Befason Mero Baze: – Të fortët dhe disa të majtë do votojnë pro dyshes antiamerikane Berisha-Meta në 6 mars
Befason Mero Baze: – Të fortët dhe disa të majtë do votojnë pro dyshes antiamerikane Berisha-Meta në 6 mars
25 Janar 2022
Analisti Mero Baze shkruan se Sali Berisha dhe Ilir Meta e kanë betejë për jetë a vdekje rezultatin e 6 marsit.
“Po ashtu të gjithë e dimë që Edi Ramës nuk i hyjnë në punë fare këto zgjedhje. Madje mund të ketë dëshirë t’i humbasë të gjashta, vetëm se nuk ka mundësi, pasi nuk e lë Berisha me Bashën. Në këto kushte, e vetmja gjë që duhet hetuar është aleanca fluide e elementëve “të fortë”, siç perceptohen faktorët elektoralë të pavarur në Shqipëri, që i bashkëngjiten herë PS-së, e herë PD-së”, – shkruan botuesi afêr Ramës
Më tej ai befason duke thënë se “të fortët” dhe shumë të majtë do votojnë për dyshen antiamerikane Berisha-Meta. Shkruan Baze:
“Pas shpalljes së Berishës “non grata” dhe sidomos pas betejës së tij për t’iu kundërvënë SHBA-së dhe politikës së saj në Shqipëri, Berisha dhe Meta po formojnë një pol anti-amerikan, që qartazi do konkretizohet me partinë e tyre të re “sovraniste”.
Kjo është parë me simpati nga shumë elementë të tjerë në politikën shqiptare, kryesisht individë apo grupime që shikojnë në perspektivë një fat të njëjtë me Berishën e Metën, për shkak të SHBA dhe këmbënguljes së tyre për reformën në drejtësi.
Për këtë arsye, ka shumë shanse që këta elementë, të cilët në shumicë kanë ofruar mbështetje të tyre për pushtetin në Shqipëri, në këto zgjedhje të devijojnë heshturazi votat për grupin Berisha- Meta, i cili në të vërtetë i përfaqëson ata në politikën shqiptare.
Duke qenë zgjedhje të parëndësishme për Partinë Socialiste dhe mbi të gjitha, duke qenë zgjedhje ku ata vetë nuk kanë ndonjë interes konkret, ka shumë shanse që ata të devijojnë votat drejt Berishës e Metës, në shenjë solidariteti, por dhe si investim për të ardhmen e tyre politike.
Edhe pse është ende herët, pasi nuk kanë dalë kandidatët nga asnjë parti, është shumë interesante të shikohet se si simpatia e këtyre grupeve, por dhe plot individëve të tjerë brenda së majtës, në këto zgjedhje pa interes për socialistët dhe pushtetin e tyre, shkon për dyshen Berisha- Meta.
Natyrisht në heshtje dhe diskrecion të plotë, pasi nuk duan të marrin përsipër telashet e tyre, por kanë një dëshirë për suksesin e tyre. Siç thuhej dikur në Labëri në kohë të luftës, jo pa humor “Partia të fitojë, por Balli të mos humbasë”.
Gazeta Dita