20 Prill 2025

I ftuar në emisionin “Odeon” në Syri TV, studiuesi Behar Gjoka shprehu shqetësimin për mungesën e autorit Petro Marko në programet shkollore, si në ciklin parauniversitar, ashtu edhe në nivel universitar.

“Kam pasur dëshpërim kur sivjet pyeta Ministrinë e Arsimit nëse është në programet e shkollës 8-vjeçare e të mesme. Asnjë orë. Kam pyetur pastaj në Universitet, më thanë: është dy orë. Nuk është çështje orësh prania e Petro Markos, e Migjenit dhe e të tjerëve. Është çështje e historisë gjuhësore, letrare, historisë shpirtërore, pa të cilën është e vështirë të edukosh qenien shqiptare në këto momente.”

Gjoka theksoi se e kupton, por nuk e pranon mospërfshirjen e Markos në programet shkollore para viteve ’90, kur sistemi politik i kohës e shpalli “armik”.

“Mospërfshirja para ’90, para një sistemi, unë këtë e kuptoj. Nuk e pranoj, po e kuptoj. U dha një urdhër, doli një vendim, u shpall armik ai. Ka 30 e ca vjet, ai nuk është më armik. Mirëpo nuk kemi kohë. E di pse nuk kemi kohë? Se ne na dalin shkrimtarë tepër, ne na dalin shkrimtarë mangët. Ne shtetin e shesim, partinë jo. Dhe këtu jemi në një situatë që duhet të çlirohemi sadopak. Së paku ata që janë në amshim, duhet t’i hipotekojmë si vlera.

Në një fjalë të drejtpërdrejtë dhe të ngarkuar me përgjegjësi kulturore, Gjoka bëri thirrje për rivlerësimin e figurave letrare themelore si Petro Marko, duke e parë këtë si një domosdoshmëri për edukimin shpirtëror të brezave.