8 Shkurt 2025

Në skenën politike shqiptare po vihen re lëvizje të rëndësishme që sinjalizojnë një zhvendosje të pushtetit brenda qeverisë së drejtuar nga Edi Rama. Zv/kryeministrja Belinda Balluku duket se ka marrë tashmë kontroll të plotë mbi vendimet kyçe qeveritare, duke eklipsuar edhe vetë kryeministrin. Shumë vendime të qeverisë mbajnë firmën e saj. Balluku madje urdhëron ministrat dhe vepron me autoritet të pakufizuar, ku sipas burimeve të brendshme, një grup ministrash të rëndësishëm janë tashmë nën urdhrat e zëvendëses së Ramës. Bashkë me ministrat, tashmë Balluku po i “rrëmben” edhe oligarkët Ramës dhe Berishës.

Ministrat nën urdhrat e Ballukut

Balluku prej kohësh ndodhet në krye të një institucioni me shumë fonde, para, dhe mundësi për të bërë qoka. Por së fundmi kompetencat e saj u shtuan pasi dyshi i qeverisë përveç ministrisë së saj ka nën kontroll dhe stafet e tre dikastereve të tjera. Ish-drejtorët e saj tashmë janë bërë ministra. Kështu ministria e Brendshme që është përgjegjëse për Policinë e Shtetit, Ministria e Mbrojtjes që ka ushtrinë, e ministria e Financave që lëvizin paratë e fondet, po drejtohen nga Belinda Balluku, pasi personat përgjegjës që vendosi Edi Rama janë ekspertë “kukulla”, pa një përvojë politike, apo poste politike në kupolën e mazhorancës. Më konkretisht, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, është në krahun e Belinda Ballukut. Ndërkohë, në postin e ministritë Financave ndodhet Petrit Malaj, teksa zëvendësoi në këtë post Ervin Meten.

Petrit Malaj mbante postin e Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, nën varësi të Ballukut. Ndërkohë, ministër i Mbrojtjes është Pirro Vëngu, i cili zëvendësoi në këtë post Niko Peleshin. Po ashtu edhe Vëngu ka qenë drejtor i Belinda Ballukut, pasi mbante postin e kreu të Autoritetit Portual të Durrësit. Ky i fundit nxori edhe më hapur shefen e tij Ballukun. Vëngu nuk falënderoi Edi Ramën për përzgjedhjen në këtë post, por në rrjetet sociale menjëherë sapo mori detyrën vitin e kaluar falënderoi nga zemra Belinda Ballukun për mbështetjen që i ka dhënë. “Dora e hekurt” e Ballukut filloi menjëherë të shfaqet te këto ministri, pasi me vendosjen e drejtorëve “kukulla”, spastrimet filluan si asnjëherë më parë duke larguar emra të “vjetër” që kishin zënë “rrënjë” në këto ministri.

Gjithashtu Taulant Balla është shndërruar brenda pak muajve nga një kandidat për krahun e djathtë të Edi Ramës në një zëdhënës dhe PR i bindur i Belinda Ballukut. Ish numri dy i Partisë Socialiste, ish numri një i socialistëve në parlament, deputeti më i votuar në zgjedhjet e vitit 2021 duke siguruar në Elbasan gati 7 mijë vota më shumë se sa vetë Edi Rama në Durrës ka hequr dorë nga ambicia për të qenë numri 2 në qeveria e parti dhe ka pranuar ‘nënshtrimin’ ndaj Belinda Ballukut. Thashethemet korridoreve të qeverisë dhe të Partisë Socialiste sugjerojnë se ëndrrën e gjatë dhe karrierën e shkurtër të Taulant Ballës në postin e ministrit të Brendshëm e ndërpreu papritur pikërisht Belinda Balluku. Por, revanshi i zv/kryeministres nuk u mbyll me kaq.

Ajo e spostoi edhe nga drejtimi politik i partisë në qarkun e Fierit dhe që të dyja këto lëvizje nuk u shoqëruan pa hatërmbetje. Përballë këtyre zhvendosjeve Balla u ngushëllua publikisht me marrjen e drejtimit të fushatës së PS-së në diasporë, duke shtuar madje se detyra e re kishte më shumë përgjegjësi dhe rëndësi. Ai e kaloi ‘hatërmbetjen me bukë’ dhe së fundmi me qëndrimet në mbledhjet e grupit parlamentar të PS-së është shndërruar në një ushtar të bindur të Belinda Ballukut. Në një nga mbledhjet me dyer të mbyllura të PS-së , Balla u rreshtua në krah të Ballukut, kur kjo e fundit kritikoi me një gjuhë të ashpër kryetaren e Kuvendit, Elisa Spiropali, me pretendimet se ishte nën shantazhet e Gazment Bardhit, që e orienton për drejtimin e seancave plenare.

Pushteti i Ballukut

Këto fakte i konfirmoi dhe ish-ministri i financave Arben Ahmetaj. Ai tha hapur në intervistën e fundit për mediat nga arratia në Zvicër se në PS vendos Belinda Balluku e cila emëron ministra dhe drejtor policie si të dojë ajo. “Po mor po: Pirro Vëngu, ministri i brendshëm, ministri i financave…përfshirë edhe vetën ajo. Kjo ka emëruar edhe drejtorë policie, por le ta lemë të pastrohet ajri. Ajo është pushtet qorr në dorë të korrupsionit dhe krimit. T’ua themi shqiptarëve, po të marrim sektorët e plaçkitëses.

Kur fillon e flet dhe më vjen për të qesh, kur flet për ujin për shembull, ka patur një ushtar kjo, dhe jo vetëm, që e vuri drejtor tatimesh, e fillimisht drejtor te mbetjesh ujit, qe një shkelje e ligjit për pushtetin lokal…cila qe arsyeja, për të mbledhur tenderat o të nderuar qytetar. Nuk ka rëndësi çfarë kam thënë apo X – Y në atë mbledhje. Sot rezultati i ujësjellsave është, borxhi 100-milionë euro, çmimi vazhdon rritet. Doni energjinë? Ditë e zezë shkëmbimi energjisë ditë e zezë, sistemi agregatet e Vlorës vetëm hanë. Merr portet, skandal, e shikoni ç’po ndodh me Portin e Durrësit, skandal. 5B. Merrni rrugët, trefishuar çmimet e rrugëve. Pra, kur ky del dhe thotë që s’ju kam menduar, ky tallet me shqiptarët, dhe e din ipse, sepse ky mendon se i ka ecur. Dhe i ka ecur. Po sistemi i 5D dhe 5B është i njohur shumë mirë nga ai.

Dhe në 2021 ka funksionuar në bashkinë e Tiranës si një njësi që do merrte më shumë vota nga e djathta, e kam kundërshtuar, dhe shikoni votat që kemi marrë, votat që kemi marrë janë votat e socialistëve. Nuk ka artifice në zgjedhje. Që do marrësh votat e të djathtës përmes një artifice 5D dhe ia hedhin fajin atyre djemve që janë në burg. Jo mo janë në burg. 5D është një sistem korruptiv, 5B është një sistem kryekorruptiv. E di ti që këta të dy, po sidomos plaçkitësja ka paguar njerëz në protestat kundër Erjonit, kanë unitet këta tani, tani që ika unë uniteti është shumë i forcuar aty”, tha ai.

Goditjet e Ballukut ndaj socialistëve

Thuhet se Balluku për të marrë pushtetin total, përveç Spiropalit, me njerëzit e saj “goditi” edhe Blendi Gonxhen në emërimin që i bëri Rama si drejtues politik i qarkut Dibër. Gonxhe u caktua pas sherrit që krijoi Balluku në Dibër për të qenë drejtues politik i Qarkut të Tiranës, së bashku me Veliajn, Spiropalin dhe Manastirliun me arsyetimin se Tirana është qark i madh dhe ka nevojë për më shumë drejtues. Gjithashtu në media u evidentua me gisht Balluku si një nga personat që qëndron pas denoncuesit të rremë Nesti Angoni, i cili ka vendosur në lëvizje SPAK për të hetuar kryebashkiakun Veliaj.

Thuhet se Belinda Balluku e cila pa hyrë në qarqet e larta të Rilindjes, ka drejtuar drejtorinë e aviacionit civil, po aludohet se ka spiunuar të dhënat e lëvizjeve të Veliajt që në mes të viteve 2000, atëherë kur sistemi TIMS ende nuk funksiononte dhe të dhënat nuk mund të vileshin “online”. Denoncuesi anonim ka dorëzuar në SPAK informacione konfidenciale të Aviacionit Civil, siç është një fluturim i Veliajt 20 vite më parë, duke ngritur pikëpyetje se kush është burimi që i ka dhënë një anonimi informacione jo publike nga Aviacioni.

Balluku dhe oligarkët

Një element kyç i rritjes së fuqisë së Ballukut është mbështetja e saj nga klane të fuqishme oligarkike. Ajo ka krijuar marrëdhënie të ngushta me sipërmarrës dhe grupe financiare që ndikojnë drejtpërdrejt në projekte të mëdha infrastrukturore dhe energjetike. Burime të ndryshme pohojnë se oligarkët janë faktor kyç në vendimmarrjet e saj, duke e kthyer Ballukun në një figurë të pakontestueshme brenda qeverisë. Samir Mane thuhet se lëviz shpesh nga zyrat e Ballukut. Po ashtu edhe oligarkët që financojnë familjen Berisha, si Bashkim Ulaj, Ilir Shtufi, apo Salillari dhe Gjoka, janë tashmë në krahun e Ballukut.

Lëvizja e Ramës

Duke parë situatën që po i ikën nga duart, kryeministri Edi Rama ka luajtur me urgjencë kartën “Veliaj” për t’i prerë duart kapjes së qeverisë nga klani i oligarkëve të zv/kryeministres. Kjo është dhe arsyeja që papritur Edi Rama u shfaq së fundmi përkrah Veliajt, pas një periudhe të gjatë në të cilën kryeministri dukej se e kishte distancuar kryebashkiakun e Tiranës. Kjo erdhi në një kohë kur SPAK ka nisur hetimet ndaj Veliajt për akuza që përfshijnë korrupsionin, pastrimin e parave dhe fshehjen e pasurisë. Hetimet janë intensifikuar me kontrolle në banesat dhe bizneset e familjarëve të tij, si dhe me sekuestrimin e celularëve.

Në muajt e fundit, Veliaj është parë gjithnjë e më pak në takimet politike apo në daljet publike përkrah Ramës. Edhe në rastet kur ishte i pranishëm, ai kishte një rol dytësor. Megjithatë, ditët e fundit ka një riaktivizim të dukshëm të Veliajt, i cili po rikthehet në skenën politike. Rama në disa takime në Tiranë ka ngritur në qiell si asnjëherë më parë publikisht punët e Veliajt me kryeqytetin. Tashmë me rifutjen në lojë të Veliajt, pozitat e Ballukut në PS pritet të lëkunden fort.

Gazeta Sot