14 Mars 2025

Avokati zbulon se SPAK ka sekuestruar telefona, kompjuterë dhe dokumentacione që fundosin zëvendësen e Edi Ramës

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, është përfshirë në një mori skandalesh që po tronditin politikën dhe administratën shtetërore. Hetimet që janë zhvilluar nga SPAK (Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar) për ministren, duket se janë drejt fundit dhe siç bëhet e ditur nga avokati i njohur Arben Llangozi, Balluku rrezikon të arrestohet. Ai ka konfirmuar në një intervistë për mediat se gjatë hetimeve janë sekuestruar dokumentacione të rëndësishme, përfshirë telefona dhe kompjutera, të cilat kanë përmbajtje që mund të vënë në dyshim ligjshmërinë e vendimeve që ka marrë ajo gjatë detyrës së saj.

Një nga skandalet më të mëdha sipas tij që ka lidhje me ministren ka të bëjë me projektin e tunelit të Llogarasë, për të cilin sipas hetimeve janë zbuluar shifra të fryra fiktivisht për 50 milionë euro. “Dyshohet se SPAK do i presë fletë-arresti Belinda Ballukut. Ministrja është e përfshirë në një sërë veprimesh korruptive të cilat janë bërë skandale të njëpasnjëshme. Këto kanë dalë edhe në media. Belinda Balluku e cila ka një procedim të zgjeruar që është në kohë të gjatë nën hetim. Kanë filluar dhe hetime pro-aktive. Janë sekuestruar telefona, kompjutera. Janë sekuestruar dokumentacione të prokurorimeve publike të kryera nga kjo shtetase. Mos harrojmë dhe çështjen e tunelit të Llogarasë që është fryrë fiktivisht 50 milionë euro ky projekt”, tha ai.

Arrestimi i Ballukut

Avokati e ka theksuar këtë çështje duke thënë se ky projekt ka qenë një nga ato që ka tërhequr vëmendjen e SPAK-ut, ndërsa ka shtuar se ky është vetëm një nga disa veprimet që po hetohen nga organet e drejtësisë. “Pritet që së shpejti të përfundojnë hetimet dhe të ketë një vendimmarrje të qartë,” u shpreh Llangozi, duke lënë të kuptohet se një fletë-arresti për Ballukun mund të jetë shumë afër. Që ministrja do të arrestohet e ka paralajmëruar edhe gazetari Almer Toska. Sipas tij ka një dosje plot me fakte dhe prova për abuzimet e saj. Toska, që iu referua burimeve të tij, tha pak kohë më parë se nga zbërthimi i telefonit të Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Infrastrukturës, Viola Haxhiademi, janë zbuluar fakte dhe prova që implikojnë Ballukun.

“Është zbuluar një bisedë atje, ku Belinda Balluku urdhëron një drejtor të sajin, Bledianin, që tenderin në Burrel, tender për energjetikën, ta marrë ‘X’ kompani. Kjo dosje e Belinda Ballukut ka shumë fakte dhe argumente të shumë aferave që do të rëndojnë pozitën e Ballukut, qoftë juridikisht dhe politikisht. Unë e mbështes plotësisht kreun e SPAK, Altin Dumanin, por kur ai ka dosjen e Ballukut aty dhe nuk vepron, atëherë nuk ka këllqe. Që do të arrestohet Balluku është e sigurtë, ka dosjen me shumë fakte. Balluku të arrestohet para zgjedhjeve se pas zgjedhjeve ca rëndësie ka. Balluku është dinozaurë e korrupsionit. Duke goditur Belinda Ballukun tani, i hapet rruga të rinjve në PS. Balluku ka mbyllur në bashki Armando Subashin, nuk e qas asnjë milimetër, po e bën fushatën në Fier me njerëzit e saj, që blejnë votat”, tha ai.

Nga: Gazeta Sot