Ben Blushi: – Gjyshja ime 100 vjeç që jeton si një grumbull kujtimesh
23 Qershor 2024
Gjyshja ime nga nëna, Mynever Shuteriqi u bë sot 100 vjeç. Të gjithë ne që jemi mbledhur për t’i festuar ditlindjen pyesim njëri-tjetrin se si arriti deri këtu, ndërsa ajo ka një shpjegim më të thjeshtë: sepse na kishte dhënë fjalën.
Myneveri kishte vendosur të bëhej 100 vjeç dhe duke qeshur ia arriti. Nuk ka asnjë sëmundje, asnjë dhimbje, asnjë kërkesë, asnjë pendesë, ndoshta asnjë brengë, përveç peshës së viteve që sot janë bërë një shekull. Ajo jeton si një njeri që s’ka të nesërme por vetëm të djeshme.
Jeton si një grumbull kujtimesh.
Myneveri lindi ditën kur Fan Noli u bë kryeministër, shkoi në shkollë kur Ahmet Zogu u bë mbret, grisi posterat e Musolinit, u arrestua nga italianët si antifashiste dhe iu desh të priste një vit për të dalë në mal kundër gjermanëve sepse partizanët i thanë je ende shumë e vogël.
Ajo njohu një vend që sapo ishte ndarë nga turqit, pastaj pa me rradhë se si Shqipëria u bë me italianët, pastaj me gjermanët, me rusët, me kinezët dhe tani me amerikanët. Kur ajo lindi Lufta e Dytë Botërore nuk kishte ndodhur, holokausti nuk njihej, fashizmi ishte një fantazëm, ndërsa komunizmi një ëndërr që ajo e besoi.
Një shekull më parë, kur Myneveri lindi si një Fico, në Gjirokastër, shumica e lehtësirave që mbushin jetën tonë që nga interneti, kompujerat, lavatriçet, ekspresët, lavastoviljet, televizorët, kondicjonerët, vaksinat, aspirinat, instagrami dhe armët bërthamore nuk egzistonin dhe as ishin shpikur. Shqipëria nuk kishte më shumë se dy shkolla, nuk kishte asnjë universitet, dhe pothuajse asnjë spital. Makina e parë në Shqipëri ka ardhur pasi Myneveri kishte lindur bashkë me kinemanë dhe shtypshkronjat.
Kur Myneveri lindi Shqipëria nuk kishte asnjë bulevard, romani i parë shqiptar ende nuk ishte botuar ndërsa vajzat e vogla këndonin në shkollë. Shqipëria kishte vetëm 800 mijë banorë të uritur dhe shumë pyje të egër dhe prandaj babai i saj ishte një inspektor pyjesh, ndërsa vetë ajo u dashurua me një shkrimtar komunist, lart në mal.
Jeta e saj ishte një dedikim kokëfortë, rigoroz, i pandërprerë dhe i dhimbsur kushtuar Dhimitër Shuteriqit, njeriut të cilit ajo i shërbeu si shoqe, si grua, si redaktore, si arshviste, si mjeke dhe në fund edhe si shkrimtare.
Kur ai iku, ajo tregoi jetën e tij dhe këtë bën cdo ditë: tregon jetën e Dhimitrit ose më saktë jetën e saj me Dhimitrin. Ndoshta prandaj ka jetuar kaq gjatë sepse ka patur shumë për të treguar. Tani që mbushi 100 vjeç është e lirë dhe mund të bëjë ç’të dojë. I ka treguar të gjitha dhe mund të ikë kur të dojë.
Në fund të fundit Myneveri e mbajti fjalën. U bë 100 vjeç.