Bendo jep alarmin: – Shërbime të huaja zhvillojnë veprimtari kundër Shqipërisë, krimi dhe korrupsioni kërcënim serioz. Zbardhet raporti i SHISH.

06/08/2019 –

Kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Helidon Bendo, ka dhënë alarmin sa i takon kërcënimeve që i kanosen vendit tonë nga jashtë. Për herë të parë SHISH ka publikuar raportin vjetor për vitin 2018, në të cilin jepet një panoramë e punës së këtij institucioni. Gazeta ka siguruar raportin e plotë, ku një vëmendje i është kushtuar edhe rezymesë së mbajtur nga vetë drejtori Helidon Bendo. Prej kohësh po flitet se shtetet të ndryshme po punojnë kundër Shqipërisë, duke tentuar destabilizimin dhe futjen e vendit tonë në konfliktualitet. Një gjë të tillë e ka paralajmëruar edhe zoti Bendo, i cili është shprehur se shërbime të huaja po kërcënojnë interesat kombëtare.

Po ashtu, sipas kryespiunit, problem mbetet dhe krimi i organizuar e korrupsioni. “Shërbimet dhe agjencitë e huaja të fshehta jomiqësore që zhvillojnë veprimtari kundër interesave kombëtare të Shqipërisë, terrorizmi ndërkombëtar, krimi i organizuar dhe korrupsioni mbeten kërcënimet kryesore ndaj Shqipërisë për periudhën që mbulon ky raport i parë publik. SHISH-i ka ndjekur dinamikën e zhvillimeve në rajon dhe ndikimin e tyre në rrafshin politik dhe të sigurisë. Kontributi i SHISH-it për sigurinë rajonale ka marrë vlerësime të larta nga drejtuesit politikë brenda vendit, nga partnerët strategjikë dhe nga strukturat e inteligjencës së NATO-s”, ka deklaruar Bendo.

SHISH i vendosur për tu bërë ballë kërcënimeve

Por pavarësisht këtyre kërcënimeve, kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Helidon Bendo thekson se institucioni që ai drejton është i vendosur që t’u bëjë ballë këtyre fenomeneve që i kanosen vendit. Në këtë kontekst, Bendo vlerëson angazhimin e ekzekutivit shqiptar dhe Parlamentit sa i takon çështjeve të lidhur me sigurinë kombëtare. “SHISH-i mbështet angazhimin e Kuvendit dhe të qeverisë së Republikës së Shqipërisë për të zhvilluar këshillime mbi çështje të lidhura me sigurinë kombëtare, si dhe bashkëpunimin me strukturat e zbatimit të ligjit. Shërbimi nxit edhe konsolidimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me shërbimet dhe agjencitë e huaja partnere, sidomos me ato strategjike dhe rajonale, me strukturat e NATO-s dhe BE-së, në përballimin e kërcënimeve të përbashkëta”, nënvizon kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Helidon Bendo në fjalën e tij hapëse në raport.

Rritet buxheti për pajisjet e përgjimit

Në raportin e Shërbimit Informativ Shtetëror vëmendje i është kushtuar edhe buxhetit të këtij institucioni. Në raport thuhet se buxheti i SHISH është rritur për vitin 2018 krahasuar me vitin 2017, ndërsa theksohet se shumica e investimeve ja shkuar për blerjen e pajisjeve të përgjimit dhe jo vetëm. “Buxheti faktik i Shërbimit Informativ të Shtetit për vitin 2017, ka qenë rreth 1,477 milion lek. Kjo vlerë është afërsisht 238.8 milion lek më shumë se në vitin 2013, ndërsa për vitin 2018 buxheti ishte rreth 1,548 milion lek ose 71.1 milion më shumë se realizimi i vitit 2017. Trendi i rritjes së shpenzimeve për investime është i dukshëm deri në vitin 2015, ndërsa duke filluar nga realizimi i vitit 2017 deri në vitin 2021 (planifikimi), investimet qëndrojnë pothuajse në të njëjtin nivel. Shpenzimet faktike në këto vite janë fokusuar për blerje pajisjesh të teknologjisë së informacionit, me qëllim modernizimin e tyre, pajisje për tekniken operative dhe blerje automjetesh”, thuhet në raportin e SHISH.

/Rigels SELIMAN

Helidon Bendo

/Agjensia e Lajmeve Sot News/