Berat – Përfundon restaurimi i ikonave “Shën Gjergji” dhe “Shën Gjergji dhe Shën Mitri”
5 Tetor 2024
Restaurimi i dy ikonave “Shën Gjergji” dhe “Shën Gjergji dhe Shën Mitri” ka përfunduar. Kjo bëhet me dije nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Berat që thotë se janë shpëtuar nga degradimi. “Mjeshtrat e restaurimit në DRTK-Berat kanë përfunduar punën për shpëtimin nga degradimi të dy thesareve të trashëgimisë kulturore. Ikona “Shën Gjergji” me prejardhje nga kisha “Lindja e Shën Mërisë”, Vokopolë, autori anonim dhe ikona “Shën Gjergji dhe Shën Mitri” me prejardhje nga kisha “Profet Ilia” Berat, autori anonim”, thuhet nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Berat. Këto ikona janë pjesë e fondit të DRTK-Berat. Restaurimi i këtyre dy ikonave vjen në vijim dhe të punëve të tjera restauruese më parë po nga specialistët e kësaj drejtorie.
DRTK Berat është institucion rajonal i specializuar në varësi të ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore dhe ushtron veprimtarinë e saj në fushën e trashëgimisë kulturore, me seli në Berat. Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Berat ka për mision ruajtjen, mbrojtjen, mirëmbajtjen, konservimin dhe restaurimin e monumenteve të kulturës si edhe promovimi i vlerave të trashëgimisë kulturore materiale dhe jomateriale në territorin administrativ nën juridiksionin e saj. Specialistët e drejtorisë hartojnë projekte konservimi, restaurimi, vlerësimi, projekte të tjera në fushën e trashëgimisë kulturore dhe bashkërendon punën për zbatimin e tyre në nivel rajonal e vendor.