Berat: – “Porta e Pashait”, monument kulture i ndërtuar në kohën e Ahmet Kurt Pashës
3 Shtator 2023
“Porta e Pashait” është një monument që gjendet në qytetin e Beratit dhe gëzon statusin juridik monument kulture i kategorisë së pare.
Porta është një ndërtim me harqe dhe qemerë prej guri. Në këtë ndërtim bie në sy gdhendja e zbukurimores, e cila është e punuar me një nivel të lartë artistik, veçanërisht në bordurën, që rrethon siluetin e hyrjes për në portë.
Sipas studiueses dhe specialistes së artit Fatbardha Shkupi, ndërtimi i kësaj porte është vepër e gjyshit të usta Naum Ngjelës, nga Lavdari i Oparit të Korçës.
Porta është ndërtuar në kohën e Ahmet Kurt Pashës, në gjysmën e dytë të shek. XVIII.
Ahmet Kurt Pasha e qeverisi Beratin për gati 23 vjet (1764-1787). Gjatë sundimit të tij Ahmet Kurt Pasha, i cili veç të tjerash njihet edhe si ndërtuesi i Urës së famshme të Goricës (1780) ndërtoi edhe një kompleks sarajesh shumë të bukura me gurë të skalitur, brenda të cilit ndodhet edhe porta që për rreth 2 shekuj mban për emër titullin “Porta e Pashait”.
Nga OraNews