Berati 10 vjet në UNESCO, specialistët: -Kumbaro tregon fasadat në Facebook, në monumente një makabritet. –
Berati 10 vjet në UNESCO, specialistët: -Kumbaro tregon fasadat në Facebook, në monumente një makabritet. –
Berati dhjetë vjet në UNESCO, specialistët e trashëgimisë pohojnë gjendja në qendrën historike lë për të dëshiruar. Përballë pohimeve që bën Ministria e Kulturës specialistë të fushës pohojnë se gjendja sot është më problematike se sa dhjetë vite më parë. Banesa monument kulture në degradim, punime të kryera ndër vite që kanë sjellë dëmtime në qendrën historike, rreziku nga zjarri, etj, për specialistët e trashëgimisë kulture kanë munguar investimet. Inxhinierë dhe restauratorë pohojnë se zëri i tyre nuk dëgjohet nga Ministria e Kulturës dhe sipas tyre kjo e fundit reklamon më shumë rregullimin e një çatie dhe lyerjen e një fasade. Në 10 -vjetorin e hyrjes në UNESCO, ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro tha se Berati nuk është në fazën e mbijetesës, por të rijetëzimit. Por Kumbaro kundërshtohet nga specialisti i trashëgimisë inxhinieri dhe restauratori Pavli Shkarpa. “Berati është një makabritet. As në Ministrinë e Kulturës dhe as në Bashki se kanë kuptuar ende se çdo të thotë Berati në UNESCO. Beratit nuk ka investime kapitale, por ka meremetime çatish dhe lyerje fasadash. Rruga që është nga ana perëndimore e kalasë është e pashtruar dhe është për turp. Muri rrethues i kalasë aty ku ka rënë nuk është rregulluar. Situata në Berat është kjo që themi ne, jo çfarë prezanton Ministria e Kulturës në Facebook. Në Facebook nxjerrin një ikonë që po e restaurojnë dhe thonë kemi bërë punë apo tregojnë se çfarë bëjnë në një fasadë si dhe lyerje. Unë e quaj Beratin sot më të degraduar se para 10 vitesh. Drejtori i DRKK në Berat përpiqet për problemet në qendrën historike dhe ka bërë, por ai aq mundësi dhe buxhete ka nuk mundet më tepër”, pohon inxhinieri Shkarpa njëkohësisht dhe kryetar i Shoqatës Antipatrea, Berat. Ndërsa flet për Beratin, inxhinieri Pavli Shkarpa shprehet se kritikat e specialistëve nuk dëgjohen nga institucionet. “Ministrja Kumbaro nuk ballafaqohet me ne, nuk na dëgjon. Unë i kam thënë ministres së Kulturës për degradimin e kishave të Beratit, dhe asgjë nuk është bërë. Banesat monumente kulture të kategorisë së parë në lagjet Kala, Goricë dhe Mangalen janë drejt shkatërrimit, nuk mirëmbahen nga shteti. Mundohet DRKK Berat, por nuk kanë mundësi më tepër. Hidrantet e qendrës historike nga zjarri lënë për të dëshiruar. Përgjegjësia për gjendjen e Beratit shkon në ministri dhe në IMK”, vijon inxhinieri Shkarpa.
Pak restaurime dhe show 100 fish
Specialisti i trashëgimisë kulturore Ajet Nallbani shprehet se situata me monumentet e kulturës agravohet çdo ditë. “Rreziku i zjarrit është prezent në qendrën historike të Beratit. U arrit shumë me futjen e Beratit në UNESCO, por premtimet nga institucionet janë mbajtur pak. Këtë e tregon dhe shkurtimi i sektorëve mbrojtës dhe restaurues. Kemi dhe investimet pa kriterin restaurues dhe konservues, por më tepër për interesa dhe show. Qeveria dhe ministria duhet të ketë vëmendjen, por vazhdon e njëjta situatë për mua. Duhen ndryshime thelbësore që mungon dëshira që paratë të shkojnë aty ku ka nevojë vërtetë, këtë e bën specialisti dhe jo politikani. Për restaurimet bëjnë një grimcë dhe show 100 fish”, pohon specialisti Ajet Nallbani. Numri i turistëve është shtuar dhe falë hyrjes së qytetit në UNESCO, por sipas Nallbanit në këtë drejtim duhet punuar më shumë për monumentet. “Turizmi është shtuar, por fal hyrjes së Beratit në UNESCO. Në raport me këtë duhet të punojnë. Berati ka vlera të panumërta për t’u vizituar, por jo të gjitha janë të gatshme. Shumë monumente rrinë mbyllur. Duhet akord me komunitetet fetare që të jenë në unison për pranimin e turistëve, me banorët që jetojnë në monumente të veçanta që duhen vizituar”, pohon më tej Nallbani. 8 Korrik 2008 shënon një datë të veçantë për qytetin e Beratit dhe vlerave që ai përfaqëson. 10 vjet më parë në sesionin e 32 të Komitetit të Trashëgimisë Botërore të mbajtur në Kanada, Berati u regjistrua si sit i Trashëgimisë Botërore. / Nga Julia Vrapi