28 Prill 2025

Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në një takim me demokratët e Kuçovës, ka theksuar disa prej angazhimeve të Partisë Demokratike për zgjidhjen e problemeve të rëndësishme që prekin sektorët kyç të ekonomisë, siç është bujqësia.

Ai u shpreh se, me ardhjen në pushtet, PD-ja do të marrë masa të menjëhershme për të anulluar iniciativën e “Ballkanit të Hapur” dhe do të përfundojë taksat që ai i cilësoi si armiqësore për fermerët shqiptarë.

Berisha foli gjithashtu për angazhimet për të rritur subvencionet për fermerët, për të mbrojtur prodhimet e vendit dhe për të investuar në infrastruktura jetike si vaditja dhe kullimi i tokave.

Sipas Berishës, me ndihmën e këtyre masave, Shqipëria do të zhvillohet më tej në sektorin e bujqësisë dhe prodhimit vendor, duke e bërë “Made in Albania” një markë krenarie për vendin.

Deklarata e plotë:

Miqtë e mi!
Liljana para jush këtu paraqiti me të drejtë gjendjen tejet të vështirë të fermerëve shqiptarë.
Ju duhet ta dini se, pasi firmosi si argat i Vuçiçit ‘Ballkanin e Hapur’ 80 përqind e prodhimeve bujqësore në tregjet shqiptare vijnë nga Shumadia dhe Banata, se hyjnë pa doganë.
Në Shqipëri nisi një therje masive e bagëtive. Subvencioni që ju merrni është 1/5 e asaj që merr fermeri në Maqedoninë e Veriut, është 1 e 7, ose e 8 e asaj që merr fermeri në Serbi.
Është 1 e 4 apo e 5, e asaj që merr fermeri në Kosovë.
Merr fund.
Dhe çbëri Edi Rama këtë vit, më falni. 8 miliardë euro, për 380 mijë fermerë të cilët japin 20% të prodhimit të brendshëm, të cilët punësojnë 500 mijë shqiptarë.
Sa dha? Dha gjithsej 57 milionë euro, nga të cilat fermerët marrin subvencion 32 milionë.
Fjala ime e nderit, se kjo shumë do të 5-fishohet. Po. Se ju për çdo njësi prodhimi, serë, arë apo çfarë do qoftë, për çdo fidan të mbjellë, për çdo kokë bagëti të mbajtur, do të financoheni njëlloj siç financohen fermerët e vendeve përreth.
Pra do 5-fishohet subvencioni dhe ju garantoj se prodhimet tuaja do të mbrohen në sezon.
Se Ballkani i Hapur do të griset ditën e parë të qeverisjes së Partisë Demokratike dhe se, taksa armiqësore ndaj fermerëve shqiptarë, taksa simetrike e TSVH-së, merr fund.
Taksa do të jetë në blerje dhe shitje, sepse duhet që ju ta merrni mbrapsh TVSH dhe jo grosistët.
Ju garantoj se do investohet çdo vit, 70 mln euro në kullim, në vaditje, mbrojtje toke.
Miq, ja ku është hidrocentrali i Banjës, ai në radhë të parë është vepër vaditëse dhe ndaj është ndërtuar dhe dytësor është energjia.
Ju siguroj se potencialet e tij do të përdoren për të dyfishuar sipërfaqen e ujitur në Shqipëri.
Miqtë e mi!
‘Made in Albania’, prodhimi shqiptar do të jetë krenaria jonë. I garantoj biznesmenët e Kuçovës dhe të Shqipërisë.
Biznesi i vogël, energjia zbret nga 18 në 6 lek.
Bashkitë s’do mund të vendosin kurrë taksa e tarifa më shumë se 1%.
Por ngaqë jam këtu tek bashkitë, do të shpreh nderimin tim më të madh për ju, për demokratët dhe demokratet e Kuçovës, për fitoren tuaj në Maj të kësaj bashkie me Lefter Maliqin, ua grabitën.
Ju garantoj se ligji do të veprojë me forcën më të madhe para atyre që grabitën mandatin tuaj.