Berisha i pandehur për dosjen “Partizani”. – Sulo: Çështje politike! – U hetua për një akt kolegjial të para 18 viteve
16 Shtator 2024
Gazetari Arion Sulo, i ftuar në studion e emisionit “Open” në News24 ka cilësuar çështjen e ish-kryeministrit Sali Berisha në SPAK si një “çështje politike”.
Sulo theksoi se Berisha është marrë i pandehur pa u marrë në pyetje për një akt qeverie të para 18 viteve, të marrë në formë kolegjiale.
Ai shtoi se nga ana tjetër qeveria aktuale ka shumë vendime të së njëjtës formë, të cilat kanë miratuar qindra miliona euro për inceneratorët, për të cilat nuk ka pasur të njëjtin veprim nga ana e drejtësisë.
“Çështjen e ka çuar PS në SPAK. Ka dy deklarata të Ramës për nxitjen e SPAK. Escobar ka thënë për Berishën se vendimi për non-gratën u mor për gjetjen e korrupsionit dhe u bëri thirrje institucioneve për të marrë në konsideratë këto gjetje.
Unë nuk hyj te provat. Kjo për mua është një çështje politike. Sot kreu i opozitës është marrë i pandehur pa u marrë një herë në pyetje, për një akt, një vendim qeverie i para 18 viteve. Një vendim kolegjial. Nga ana tjetër kemi vendime kolegjiale të kësaj qeverie që kanë dhënë firma për qindra miliona euro të inceneratorëve. Janë vendime kolegjiale dhe nuk pyetet askush. Ka minimumi shkelje të barazisë para ligjit.
Të hetosh Berishën për vendime qeverie para 18 viteve dhe të amnistosh apo më minimalja të zvarrisësh vendimet për të tjerë, për mua është vendim politik. Ky do jetë fillimi i fundit të asaj strukture për mua”, tha ai.