10 Janar 2025

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbajti një takim me deputetët e PD-së këtë të premte, ku diskutoi për zgjedhjet e përgjithshme të majit dhe rëndësinë e votës së Diasporës.

Ai theksoi se përpjekjet e partisë deri tani kanë qenë të kufizuara, duke e krahasuar angazhimin për Diasporën me “një pikë uji në oqean”.

“Qëllimi i kësaj mbledhje është angazhimi ynë total në fushatë elektorale, duke bërë një skemë të re në mendjen tonë, siç e kemi flamurin, njëra kokë në Shqipëri dhe koka tjetër në emigracion dhe diasporë.

Sepse na ndjekin ne gjithë jetën, bicefalitë. Nëse kombet tjera i kanë patur mitologjike, ne i kemi reale. Ndaj dhe i kemi reale sepse sot, ka shumë, shumë mundësi që më shumë votues shqiptarë janë jashtë se brenda vendit.
E këtu nuk është fjala për diasporë të 100 viteve më parë, se edhe ata janë dhe e meritojnë, e jemi krenar me ta. Por këtu është fjala që vetëm në 10 vitet e fundit sipas statistikave të BE-së në hapësirën Shengen janë larguar nga Shqipëria për në hapësirën Shengen 1 milionë e 99 mijë shqiptarë. Statistika e fundit është 1 milionë e 99 mijë shqiptarë në hapësirën Shengen. Pa llogaritur pastaj që absolutisht nga Afrika e Jugut, gjer tek Kepi i Veriut madje edhe ne Groenlandë gjenden shqiptarë.

Ka kudo dhe në çdo vend. Janë bërë përpjekje serioze. Këtu është ngritur një qendër digjitale, në degë ka filluar identifikimi i emigrantëve, janë bërë një seri takimesh në Greqi, Itali, SHBA, Britani e madhe. Por po të kemi parasysh planetin si konstituencë, këto janë pika uji në oqean, këto që kemi bërë ne deri tani.

Së dyti, të themi të vërtetën, zgjedhjet për gjysmën e shqiptarëve përfundojnë në datën 12 mars. Sepse ajo është data e fundit e regjistrimit të tyre, pastaj ata kanë alternativë të vetme të vijnë në Shqipëri dhe nuk mund të votojnë më, me mekanizmin ligjor të miratuar për votën e tyre.
Edhe kjo përbën një detyrim për ta përparësuar këtë proces.”, tha Berisha.