3 Nars 2025

Lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, teksa prezantoi programin e qeverisjes në takimin me diasporën në Milano, tregoi edhe një tjetër shtyllë të tij.

Berisha premtoi pastrimin e Shqipërisë nga ato çfarë ka bërë qeveria në detyrë, ajo e Edi Ramës.

“Kartelet e drogës janë vendimarrësit kryesorë. Atëherë, pastrimi i shtëpisë është shtyllë kryesore. Ju jap ju fjalën e nderit se, ligji do veprojë me forcën më të madhe”, tha Berisha.

Një pjesë nga fjala e Sali Berishës:

Miq, programi ynë ka edhe një shtyllë tjetër, një premtim tjetër: pastrimin e shtëpisë. Shtëpia do pastrohet!

E kam thënë edhe njëherë, po ua shpjegoj, dhe e them prapë.

Im atë ka qenë besimtar. Falej, i lutej Zotit dhe unë e respektoja shumë. Aty, nga vitet ’70, ai filloi të mos falej më. Nuk falej, dhe kishte hall se po më prish punë mua. I them: Bab’, unë dëshiroj të të shoh duke u falur, duke u lutur.

Jo, më thotë bir, nuk falem se në këtë mjedis të tillë, as Zoti vet nuk të dëgjon.

Më vonë lexova në libra të shenjtë, çfarë thonë. Librat e shenjtë shkruajnë: që Zoti të hyjë në shtëpinë tënde, pastrojë përpara shtëpinë. Po, shtëpinë e kanë në dorë hajdutërit më të mëdhenj të kohërave. Shtëpinë e ka në dorë, sot kryeministër është Toto Rino, kryeministri i Shqipërisë është një Eskobar, një Toto Rino.

Sot, prona, buxheti plaçkiten mbi 24 orë. Sot, kartelet e drogës janë vendimarrësit kryesorë. Atëherë, pastrimi i shtëpisë është shtyllë kryesore. Ju jap ju fjalën e nderit se, ligji do veprojë me forcën më të madhe.

Së pari, zero tolerancë ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Së dyti, audit i përgjithshëm. Ku shkuan 57 miliardë euro të këtyre viteve, ku i depozituan, në çfarë i shndërruan? Do t’i merren, do iu kthehen qytetarëve. Por edhe një ligj tjetër special.

Mbyllja e fondacionit Xhorxh Soros në Shqipëri dhe shpallja non grata e Xhorxh Sorosit.

Dhe do t’u lutem shumë t’ia thoni këtë çdo miku italian që njihni. Se e bëj këtë, edhe për shqiptarët, por për italianët. Sepse, për qytetarët italianë Xhorxh Soros është, që nga Roma e lashtë e gjer sot, hajduti më i madh i kursimeve të tyre.

Po, po. 20 miliardë ka vjedhur në një bixhoz. Do i nxjerrim të gjitha, ndaj dhe ligji anti-Soros do të jetë ligji i pastrimit të shtëpisë.