Berisha: – “Non Grata” pa fakte, vendimi i Departamentit i bazuar në raportet e OJQ-ve të financuara nga Sorosi
Berisha: – “Non Grata” pa fakte, vendimi i Departamentit i bazuar në raportet e OJQ-ve të financuara nga Sorosi
25 Qershor 2021
Ish-kryeministri Sali Berisha mendon se shpallja e tij “non grata” prej Amerikës është vepër e pasardhësit të tij Edi Rama, dhe e miliarderit George Soros. Pretendimet e tij, ish-kreu i qeverisë i përsëriti për institutin slloven “IFIMES” që analizon zhvillimet në rajon dhe botë.
Ndërsa Uashingtoni e ka justifikuar qëndrimin për shpalljen e ish-kryeministrit Sali Berisha si person të padëshiruar për Amerikën, ish-kreu i shtetit mendon se po akuzohet pa asnjë fakt.
Këtë linjë mendimi e përsëriti të premten në një prononcim për Institutin Ndërkombëtar për Studimet mbi Lindjen e Mesme dhe Ballkanin.
Ish-kryeqeveritari akuzohet për korrupsion dhe shfrytëzim pushteti për interesa personale, por sipas Berishës, në 30 vite karrierë politike nuk i kanë ngritur asnjë padi të tillë në Prokurori, dhe akuzat e fundit i shpjegon vetëm si hakmarrje politike të pasardhësit Edi Rama dhe atij që ai e quan protektorin e tij, miliarderit George Soros.
“Duket që vendimi i Departamentit të Shtetit bazohet në raportet e OJQ-ve të cilat financohen të gjitha nga George Soros, nga raporte mediesh të kontrolluara nga qeveria dhe organet pranë saj, nga njësia antikorrupsion e qeverisë, e cila renditet ndër më të korruptuarat në Europë,” tha Berisha.
Berisha thotë se vendimin për shpalljen “non-grata” ai e kishte të paralajmëruar që në vitin 2019, pasi ishte deklaruar kundër copëtimit të territorit të Kosovës në favor të Serbisë.
“Pozicioni im i qartë kundër këtij akti ishte në harmoni me shumë zyrtarë të lartë europianë, amerikanë, ligjvënës dhe analistë prestigjiozë. Besoj fort se kryesisht për këtë arsye u lobua gjerësisht në Uashington që të shpallesha persona ‘non grata’,” tha Berisha.
Ish-kryeministri e pranon se nuk e influencon dot Departamentin e Shtetit që ta nxjerrë nga lista e zezë ku e ka futur familjarisht.
“Padinë në Gjykatën e Parisit nuk e ngrita për të kthyer vendimin e sekretarit Antoni Blinken, pasi është e drejta e tij ekskluzive, por që të zbuloj të vërtetën, të bëj transparente dhe të hedh poshtë shpifjet e pabaza. Dua që t’i kthej nderin e dinjitetin familjes dhe vetes, përpara miliona shqiptarëve që më kanë besuar e votuar më shumë se çdokënd tjetër pas komunizmit,” përfundoi ai.
Nga TV OraNews