8 Janar 2025

Sali Berisha, kreu i Partisë Demokratike, ka reaguar sërish në lidhje me akuzat e tij ndaj deputetit socialist Pandeli Majko, duke e përfshirë atë në një çështje që lidhet me krimin elektoral në Kukës.

Përmes një postimi në Facebook, Berisha ka akuzuar Majkon për përfshirje në përdorimin e resurseve publike për qëllime elektorale dhe përkrahje të aktiviteteve të dyshimta në periudhën kur ky i fundit ishte drejtues politik i Qarkut Kukës.

Sipas Berishës, akuzat kundër Majkos mbështeten në prova të regjistrimeve ambientale, të cilat, sipas tij, implikojnë drejtpërdrejt edhe figura të tjera si Alban Çela dhe drejtuesit e OSSHE-së në Kukës. Ai pretendon se këto veprime përfshijnë një tender prej 800 mijë eurosh për shtylla centrifugale, të cilat janë përdorur për financimin e fushatës elektorale në qarqet Kukës dhe Durrës.

Në postimin e tij, Berisha ironizon Majkon duke thënë se “kërkoi strehim politik te Elisa Spiropali”, ndërsa ironizon me shprehje të tjera drejtuar edhe figurave të tjera të PS-së, si Belinda Balluku dhe Nesti Rama. Gjithashtu, Berisha sugjeron që Majko të kërkojë informacion nga SPAK (të cilin ai e etiketon si “SKAPI i Partisë”), duke e konsideruar këtë institucion si të kapur nga qeveria.

Postimi i plotë:

Majko kërkoi strehim politik tek Pëllumbesha Spirogjoka. Bravo Pandi! Të dashur miq, denoncimi im dje, për të katërtën herë i dosjese së krimit elektoral në Kukës, zgjoi më në fund Z. Majko. Theksoj dhe një herë se kjo dosje është e bazuar në regjistrimin ambiental, që implikon direkt Pandeli Majkon, Alban Çelën, Drejtorinë e OSSHE-së të Qarkut Kukës etj… në të cilën vertetohet tenderi me shtylla centrifugale prej rreth 800 mijë euro dhe shpërndarja e tyre për fushatë elektorale në Qarkun Kukës dhe Qarkun Durrës. Sugjerim! Z. Majko mos pyet Pellumbeshën për virgjërinë tënde se ajo është shumë zenë në betej me Lubi Ballukun e Nesti Ramën, që i hëngrën kokën Lal Vjedhësit, por shko merr dosjen në arkivën e “SKAPIT të Partisë”.