23 Mars 2025

Gjatë fjalës së mbajtur në takimin madhështor me shqiptarët në Napoli, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, paralajmëroi Edi Ramën se, diaspora po vjen, dhe ai nuk ka vend se ku të fshihet.

‘Edi Rama, me 11 maj ata kanë një fjalë me ty, ik o mjeran se nuk ke ku të shkosh. Miqtë e mi, ëndrrat e shqiptarëve i rrënoi Edi Rama, po shpirti i tyre për liri, betejat e tyre, virtytet e tyre nuk vdesin kurrë.

Shqiptarët i lindin nënat për t’i dalë zot Shqipërisë. Prite diasporën Edi Ramën, nuk ke vend mbi tokë’, theksoi kryedemokrati, Sali Berisha në fjalën e tij në Napoli.

Pjesë nga fjala e kreut të PD-së, Sali Berisha:

Po vjen t’i dalë zot Shqipërisë.

Po vjen të shpëtojë Shqipërinë nga regjimi, të cilin do ta kishte lakmi Eskobari, Toto Rina, El Çapo.

Do ta kishin zili banditët dhe kriminelët më të mëdhenj të planetit.

Edi Rama, me ditë të numëruara, diaspora po vjen.

Diaspora po vjen sepse ti shkatërrove njëra pas tjetrës ëndrrat më të bukura, më fisnike të shqiptarëve.

Shqiptarët kishin një ëndërr në diktaturën komuniste dhe ajo ishte pluralizmi.

Shqiptarët vuajtën më shumë se të gjithë të tjerët nga shteti monist dhe partia shtet.

Kurse ti sot bëre një luftë të egër, çnjerëzore, për një Shqipëri pa opozitë.

Riktheve në Shqipëri partinë shtet.

Partinë Socialiste e faktove si kopje të shëmtuar të Partisë së Punës, e cila ishte një parti krimi.

Krimi i kësaj partie bazohej në doktrinën marksiste leniniste.

Kurse krimi yt bazohet në drogën, krimin, plaçkitjen e shqiptarëve.

Edi Rama, prite diasporën.

Diaspora po vjen se ti u shkatërrove shqiptarëve arritjet e tyre në fushën e lirisë dhe të tregut.

Ti riktheve censurën njëlloj si babai yt që varte në litar poetin për vargjet e tij kundërshtare të regjimit.

Ti monstër e babait tënd vare në litar TikTokun, mjetin më modern të komunikimit të rinisë shqiptare dhe e bëre atë se nuk duroje kritikat e tyre.

Edi Rama, diaspora nuk pajtohet me flamurin tënd të zi të censurës.

Prite se po vjen, 11 maji është dita e saj, është fundi yt.

Edi Rama, 2025-a është viti i këtyre burrave dhe grave, të cilët kanë në shpirt një dashuri të pakufishme për Shqipërinë.

Të cilët kanë marrë me vete mallin e pashuar për tokën e tyre.

Por ti, me botën e krimit që instalove në Shqipëri, me plaçkitjet masive të pasurive të tyre, i detyrove të marrin rrugët e botës.

Edi Rama, me 11 maj ata kanë një fjalë me ty, ik o mjeran se nuk ke ku të shkosh.

Miqtë e mi, ëndrrat e shqiptarëve i rrënoi Edi Rama, po shpirti i tyre për liri, betejat e tyre, virtytet e tyre nuk vdesin kurrë.

Ato janë më të fuqishme se kurrë tek shqiptarët në vendet e lira.

Ndaj dhe ata me 11 maj, nga deti, nga toka, nga ajri do vërshojnë në Shqipëri.

Shqiptarët i lindin nënat për të luftuar për Shqipëri.

Shqiptarët i lindin nënat për t’i dalë zot Shqipërisë.

Prite diasporën Edi Ramën, nuk ke vend mbi tokë.