Berisha: – Prokurori urdhëroi asgjësimin e telefonatave të implikimit në vrasje të Taulant Ballës
9 Dhjetor 2022
Kreu i PD-së Sali Berisha hodhi akuza të rënda sot ndaj figurave kryesore socialiste, duke nisur nga kryeministri Edi Rama, deri të Taulant Balla e Arben Ahmetaj.
Berisha pyeti se ku shkoi prokurori që urdhëroi asgjësimin e telefonatave të implikimit në vrasje të Taulant Ballës?
“SPAK është i partisë. Nga SPAK projektohen rryma të partisë. Rryma njëri me tjetrin. Një goditje e morën me inceneratorët. Tani ka rryma kush të fajësohet apo jo. Janë bërë të gjitha në emër të partisë.
Ku shkoi prokurori që urdhëroi asgjësimin e bisedave telefonike të implikimit në vrasje të Taulant Ballës? Është nga lart. Ça kujton se janë këta?! Janë ushtarë, ushtarë mjeranë! Ku shkoi? Mos u merrni me ta”, tha Berisha.
Sa i përket inceneratorëve, ai deklaroi se kryeministri dhe ish-ministri i Financave çuan paratë nga thesari i shtetit në qesen e Lefterit, duke iu referuar ish-ministrit të Mjedisit.
“Ku është përgjegjësia e Lefterit dhe ku është e të tjerëve. Lefteri ishte ministër, në buxhetin e ministrisë së tij nuk kishte një qindarkë për inceneratorët.
Për informacion, ti nuk merr dot kurrë një projekt që s’e ke buxhetuar. Përgjegjësit kryesorë janë ata që çuan paratë nga thesari i shtetit në qesen e Lefterit. Këtë e bëjnë vetëm dy persona dhe askush në Shqipëri, të dy bashkë dhe asnjëherë vetëm. Këtë e bën kryeministri plus ministri i Financave. Në qoftë se këta nuk bien dakord plotësisht asnjë qindarkë nuk lëviz në buxhet. Buxheti është ligj parlamenti”, deklaroi Berisha.
Gazeta Shqiptare