Berisha: – Shqipëria do skuqet nga turpi vetëm pak ditë më vonë, kur McGonigal të shpallë veten fajtor për krimet që ka kryer në vendin tonë
17 Gusht 2023
Kryetari PD-së Sali Berisha ka reaguar pasi ish-agjenti i FBI-së, Charles McGonigal pranoi fajësinë se ka punuar për oligarkun rus e sanksionuar nga SHBA-të, Oleg Deripaska, ndërsa dosja për marrëdhënien e tij me Shqipërinë po hetohet e ndarë.
Sali Berisha në një deklaratë për mediat theksoi se “Shqipëria do skuqet nga turpi vetëm pak ditë më vonë, kur McGonigal të shpallë veten fajtor për krimet që ka kryer në vendin tonë.”
“Unë jam këtu para së të gjithash për të denoncuar me forcën më të madhe indiferencën kriminale, antiligjore dhe antikushtetuese të SKAPit të partisë dhe drejtësisë shqiptare ndaj aferës McGonigal në Shqipëri.
Shqipëria do skuqet nga turpi vetëm pak ditë më vonë, kur McGonigal të shpallë veten fajtor për krimet që ka kryer në Shqipëri.
Nuk mund të ketë drejtësi në botë, përveç asaj që funksionon në kontrollin e plotë të qeverisë, që nuk hap hetimin dhe nuk vendos ndjekjen penale ndaj McGonigal dhe Edi Ramës, Dorian Duçkës, Agron Nezës, që rekrutuan me korrupsion McGonigal, për hetime private, që i dërguan të dhëna dhe dëshmitarë me këshilltarin privat, Dorian Duçka në zyrën e tij në Nju Jork, dhe që e paguan me ish-oficerin e sigurimit të Shtetit, Agron Neza për hetimin e lobistit të PD, Nick Muzin.
Dhe siç del nga burime të besueshme, për përgatitjen me manipulim dhe falsifikim, të dosjes për shpalljen non-grata të Sali Berishës.
Një heshtje e tillë armiqësore ndaj ligjit, Kushtetutës, opozitës së vendit dhe rendit demokratik, mund ta mbajnë vetëm prokuror dhe hetues, militantë fanatikë të Edi Ramës”, tha Berisha.