27 Prill 2025

Në fjalën e tij përballë shqiptarëve në Selanik, lideri i opozitës Sali Berisha u bëri thirrje atyre që të mos harrojnë se, si Edi Rama i bllokoi dhe i braktisi në Kapshticë për 4 ditë me radhë në kohën e kovidit.

‘Qytetarë dhe qytetare të diasporës kurrë, kurrë mos harroni Kapshticën. Se si ky i pashpirt, se si ky i pa nder, se si ky antishqiptar, ju la ju në tokën e askujt në Kapshticë në kohën e kovidit.

4 ditë la shqiptarët. Akt, akt i cili në të gjitha konventat ndërkombëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara përbënte krim kundër njerëzimit’, theksoi kryedemokrati Sali Berisha.

Pjesë nga fjala e kreut të PD, Sali Berisha:

Miq, për të shpëtuar vendin duhet të jemi seriozë. Duhet një politikë demografike jashtëzakonisht e fuqishme.

A mund të imagjinoni ju, ku do të jemi ne pas disa vitesh me treguesin  më të ulët të lindshmërisë në botë. Ne do jemi në shuarje, mos të kemi iluzione.

Duhet të jemi të vërtetë.

Pra, rikthimi i të gjithë shqiptarëve që kanë mundësi të rikthehen nga emigracioni, do të jetë kusht për të shpëtuar Shqipërinë, dhe Shqipëria ka çdo mundësi për t’u krijuar çdo kusht atyre që të kenë sukses të ndërtojnë ëndrrën në vendin e tyre.

Një politikë demografike e veçantë do të bëhet. Çdo çift i ri, do të ketë një grant për çatinë e tij. Me atë grant do të paguajë interesat e kredisë, dhe në qoftë se ai bëhet me fëmijë të tretë, kredinë do e paguajë shteti, çdo gjë që i ka mbetur.

Çdo fëmijë do ketë bonusin: 70 euro fëmija i parë, 60 euro fëmija i dytë dhe shpenzimet, nga lindja gjer në 23 vjeç, fëmija i tretë.

Kombi me çdo çmim duhet të rikthehet në rininë e tij.

Është detyrimi më madhor i çdo shqiptari. Është kushtrimi më i thellë i sotëm dhe të të gjitha kohërave për të kthyer shqiptarët në rininë e tyre.

Pra, ky vit është viti juaj, sepse entuziazmin, energjinë pozitive, besimin në dashurinë tuaj e induktuat në çdo skaj të Shqipërisë. Dhe sot fushata juaj kudo, është fushata e fitores, fushatë e optimizmit, fushatë e ngadhënjimit.

Ndiqeni fushatën tjetër. Fushata tjetër është fushata e poshtërimit të qytetarëve. Është fushata e e mashtrimit të shqiptarëve. Është fushata ku, burreci 2 metra i gjatë i trembur gjer në palcë flet çdo mëngjes me veten e tij, shan, turfullon. Fjalori i atij që urren shqiptarët: çyryk, autik, buf, hardhucë, zhapik, budalla.

Një fjalor i turpshëm. Një fjalor me të cilin, njëlloj si honi që kërkon të gjejë strehë. Kudo, përpiqet të gjejë strehë në banalitete për t’i shpëtuar përgjegjësisë që ka ndaj jush.

Qytetare dhe qytetarë të diasporës, kurrë mos harroni Kapshticën, se si ky i pashpirt, se si ky i pa nderë, se si ky antishqiptar ju la ju, në tokën e askujt në Kapshticë, në kohën e Covidit. 4 ditë, la shqiptarët.

Akt i cili, në të gjitha konventat ndërkombëtare të OKB-së përbënte krim kundër njerëzimit.

Miqtë e mi, fushata jonë është epërore, sepse ne vijmë me program, ai vjen me sharje e shpifje.

Ai bën kllounin, bën çdo gjë, vetëm e vetëm që të maskojë 130 milionë euro të vjedhura me djegësin e Tiranës.

Të maskojë 8300 m2 me vilën dy herë sa e Enver Hoxhës në Surrel, në një kohë kur kishte të deklaruara gjithësej 3800 euro.

Do të maskojë 120 milionë euro gjobë që iu vuri shqiptarëve, duke përzënë Beketin, sepse televizioni i tij e kritikonte.

Do të maskojë 21 milionë euro që shpenzon në udhëtime me avion taksi.

Shishet 33 mijë euro Romane Conti që hap për qejfet e tij.

Do të maskojë 224 mijë m2 tokë në Gjipe. Do të maskojë 38 mijë m2 tokë që i dha vëllait të tij.

Do të maskojë aksionet e vëllait të vet, apo të vetat në hotele 100 milionëshe të ndërtuara nga kompania 5D e bashkisë.

Miq, për të maskuar të gjitha këto, për të maskuar gjëmën që u bëri shqiptarëve, që i vidhisi në honet e varfërisë për të maskuar dëbimin masiv të tyre, është i aftë të bëjë çdo gjë.