30 Dhjetor 2024

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një takim me deputeten italiane Erica Mazzetti, përfaqësuese e Forza Italia dhe Drejtuese e Departamentit të Punëve Publike, së bashku me Bardhok Dodën, koordinatori i PD-së në Itali.

Gjatë takimit, Berisha dhe Mazzetti diskutuan mbi rëndësinë e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Italisë, duke theksuar projektin TAP dhe kontributin e qeverisë italiane për garantimin e sovranitetit energjetik të Italisë dhe mbështetjen që ka pasur Shqipëria.

Berisha nënvizoi se kriza energjetike e shkaktuar nga konflikti në Ukrainë ka treguar se vendimi i Shqipërisë për të mbështetur gazin e konsorciumit Shah Deniz, në vend të atij rus, ishte i duhur. Po ashtu, ai theksoi rëndësinë e integrimit europian të Shqipërisë dhe mbështetjen e vazhdueshme të Italisë, sidomos nën drejtimin e Kryeministrit Berlusconi.

Gjatë bisedës, Berisha dhe Mazzetti diskutuan gjithashtu për luftën kundër krimit të organizuar shqiptar, një rrezik për Shqipërinë, Italinë dhe rajonin. Berisha i rikonfirmoi deputetes italiane se Partia Demokratike do të ndjekë një program qeverisës ambicioz, me fokus në ekonominë, rritjen e atraktivitetit për bizneset, mbështetje për tregtinë me jashtë, dhe një dialog të hapur me bizneset që krijojnë vende pune.

Në fund, Berisha theksoi se bashkëpunimi mes forcave politike të dy vendeve mbetet një prioritet dhe se PD-ja do të bëjë gjithçka për të nxjerrë Shqipërinë nga situata e vështirë, duke iu referuar situatës politike dhe sociale në vend.

Postimi i plotë:

Takim me deputeten italiane Zj. Erica Mazzetti

Sot pata kënaqësi të mirëprisja në takim Znj. Erica Mazzetti, Deputete e Forza Italia dhe Drejtuese e Departamentit të Punëve Publike, shoqëruar nga kordinatori i PD në Itali, Z. Bardhok Doda.

Me Znj. Mazzetti shkëmbyem mendime mbi rëndësinë e bashkëpunimit te gjithëanshëm mes dy vëndeve tona mike. Në drejtim të kësaj të fundit, me Znj. Mazzetti kujtuam rëndësinë e projektit TAP në garantimin e sovranitetit energjetik të Italisë dhe të rolit që qeveria e djathtë e viteve 2005-2013 ka patur në mbylljen me sukses të kësaj nisme strategjike për të dy vendet.

Kriza energjetike që po kalon mbarë kontinenti në vijim të konfliktit në Ukraine tregon qartazi që zgjedhja jonë për të mbështetur gazin e konsorciumit Shah Deniz, në vend të atij rus, ishte vendimi më i duhur.

Gjatë takimit shkëmbyem gjithashtu mendimin mbi rëndësinë që ka integrimi europian për Shqipërinë dhe rolin tejet mbështetës që Italia dhe Forza Italia kanë luajtur ndër vite, në veçanti nën drejtimin e Kryeministrit Berluskoni. Në këtë plan, lufta kundra krimit të organizuar shqiptar, rrezik real për Shqipërinë por edhe Italinë dhe rajonin mbeten prioritete të përbashkëta.

I rikonfirmova Znj. Mazzetti se Partia Demokratike do të jetësojë një program qeverisës tejet ambicioz, si kurrë më parë, ku kryefjala do të jetë ekonomia, rritja e atraktivitetit për bizneset e huaja e ato italiane, mbështetja e tregtisë me jashtë dhe të një dialogu real me çdo biznes që krijon vënde pune e rrit mirëqënien.

Bashkëpunimi mes dy forcave tona politike aleate mbetet një përparësi madhore për PD-në.

PD mbetet gjithmonë tejet vlerësuese ndaj lidhjes unike dhe historike që bashkon dy forcat tona politike dhe dy kombet tona, duke kujtuar se interesat kombëtare të bashkëpunimit Itali-Shqipëri shkojnë përtej axhendave politike të çastit dhe se do të bëjë gjithçka për ta nxjerrë vendin nga rrëshqitja në të vetmen narko-diktaturë në kontinentin Europian.