BERZH: – Shqipërisë do t’i duhen deri në 70 vjet për të arritur standardet e jetesës së BE
26 Shkurt 2024
Në Londër po zhvillohet sot Samiti i Investimeve në Ballkanin Perëndimor 2024, i organizuar nga Banka Europiane për Rindërtim e Zhvillim.
Në këtë ngjarje, janë të pranishëm krerët e qeverisë nga 6 vendet e rajonit. Gjatë hapjes së samitit, presidentja e BERZH, Odile Renaud-Basso, theksoi se edhe pse rajoni ka bërë një progres të konsiderueshëm gjatë dekadës së fundit, ende ekziston një hendek i ndjeshëm midis rajonit dhe Bashkimit Europian.
“Sipas një studimi të ri të BERZH-së mbi konvergjencën me standardet jetësore të BE, ka mundësi që duhen mes 40 dhe 70 vjet, ose edhe më shumë, për të mbyllur këtë hendek.
Ky zbulim nxit në mënyrë kritike nevojën për të kombinuar fondet publike me kapitalin privat për të shpejtuar konvergjencën. Kështu, BERZH ka bashkëpunuar me institucione financiare ndërkombëtare dhe Komisionin Europian për të gjetur mënyra për të përfshirë kapitalin privat në projektet kryesore të infrastrukturës rajonale, përmes PPP-ve ose tërheqjes së investimeve private në sektorin e energjisë”, deklaroi Renaud-Basso.
Ajo theksoi se është koha për të njohur forcat dhe potencialin e vërtetë ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Po ashtu, ajo shprehu gatishmërinë e BERZH për të bashkëpunuar ngushtë me Komisionin Evropian dhe qeveritë e rajonit në zbatimin e Planit të Rritjes së BE për Ballkanin Perëndimor, duke parë në këtë një mundësi për të sjellë investime dhe reforma të nevojshme.
Renaud-Basso gjithashtu theksoi potencialin e madh të investitorëve në rajon, duke përmendur regjimet e favorshme të tatimit të fitimit të korporatave, forca punë konkurruese dhe perspektivën e qartë të integrimit në Bashkimin Europian. Ajo shtoi se njerëzit e rajonit janë të arsimuar mirë, shumë të kualifikuar dhe shumë prej tyre janë sipërmarrës të talentuar.
Në përfundim, ajo shtoi se rajoni duhet të përqëndrohet në tri prioritete kryesore.
Së pari, është e nevojshme që vendet e Ballkanit Perëndimor të përshpejtojnë procesin e tyre të gjelbërimit. Investimet e shtuara në fushën e energjisë rinovueshme, si dhe në rrjetet elektrike dhe në efikasitetin e energjisë, do të ndihmojnë në rritjen e rezilienecës së rajonit ndaj sfidave të ardhshme në fushën e energjisë dhe konkurrueshmërisë ekonomike.
Së dyti, përmirësimi i standardeve të qeverisjes publike duhet të jetë një prioritet, duke përfshirë reformën e ndërmarrjeve shtetërore, luftën kundër korrupsionit dhe përdorimin e teknologjisë dixhitale.
Së treti, përhapja e hapësirave për tregti dhe investime është thelbësore. Integrimi më i thellë në zinxhirët globale të vlerave do të jetë kyç për rritjen e konkurrueshmërisë dhe inovacionit.
Si organizata e financimit ndërkombëtar më e madhe në rajon, BERZH ka investuar mbi 18 miliardë euro në rajon, me një shifër rekord prej 1.63 miliardë euro vetëm vitin e kaluar.
Gazeta Dita