6 Dhjetor 2023

Një shekull më parë, më 4 nëntor 1922, lordi britanik Carnarvon dhe një ekip arkeologësh hapën për herë të parë varrin e faraonit Tutankhamen. Në muajt dhe vitet pas zbulimit, disa prej personave që hynë në dhomën e errët dhe plot pluhur, vdiqën në rrethana misterioze që iu atribuuan mallkimit të faraonëve.

‘Mallkimi’ besohet se prek ata që ngacmojnë eshtrat e kujtdo egjiptiani të lashtë duke sjellë fat të keq, sëmundje e madje edhe vdekje. Lordi Carnarvon vdiq pak muaj pas hapjes së varrit nga një pickim mushkonje që i shkaktoi helmim gjaku. Dy nga gjysmëvëllezërit e tij vdiqën pak pasi vizituan varrin në 1923.

Princi Ali Kamel Fahmy Bey i Egjiptit u qëllua për vdekje nga gruaja e tij në 1923. George Jay Gould I, djali i një financieri të njohur, vizitoi varrin përpara se të ndërronte jetë nga temperatura e lartë. Sir Lee Stack, guvernator i Sudanit u vra më 1924.

Këto janë vetëm disa prej rasteve, por një prej egjiptologëve më të rëndësishëm në botë thotë se ka arritur ta shmangë mallkimin famëkeq dhe origjina e tij nuk është kaq paranormale.

Zahi Hawass thotë se çelësi që mallkimi mos të të prekë është të mbrohesh nga bakteret e lashta. “Një mumje brenda një varri ka mikrobe që nuk mund t’i shohësh. Në të shkuarën, arkeologët nxitonin dhe kur hynin brenda varreve prekeshin nga mikrobet dhe vdisnin”.

Për të mos patur të njëjtin fat me ta, Hawass merr kohën e tij.

“Dy javë më parë gjeta një sarkofag të vulosur që peshonte 25 ton dhe ishte 60 këmbë nën tokë. Kapaku i arkivolit ishte 6 ton. Dy punëtorë nisën ta hapnin që unë të fusja kokën dhe të shihja ç’kishte brenda.

Kur ata e hapën, e lashë rreth gjysmë ore që brenda tij të futej ajri i freskët dhe më pas nuk ndodhi asgjë. Ky ishte mallkimi i faraonëve”.

Sigurisht, bakteret 3000-vjeçare nuk shpjegojnë tentativat për vrasje apo realizimin e tyre,  por Haëass është i vendosur që t’i japë fund këtij miti. Ai thotë se mallkimi u bë i famshëm nga rrëfimi ekskluziv i Lord Carnarvon për Times of London. Reporterët e tjerë nuk mund të shkruanin asgjë në atë moment dhe 5 muaj pas vdekjes së tij, krijuan shumë histori rreth mallkimit që nuk ishin të vërteta./tvklan.al