“Betohem se Kosovën do ta ruaj si pjesë të Serbisë!”/ Zotimi i Aleksandër Vuçiç pas fitores së mandatit të dytë!
“Betohem se të gjitha fuqitë e mia do t’i përkushtoj për ruajtjen e sovranitetit dhe tërësisë së territorit të Republikës së Serbisë, duke përfshirë Kosovën dhe Metohinë si pjesë integrale të saj”.
Kështu thuhet në tekstin e betimit që Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka bërë para deputetëve të Kuvendit më 31 maj, pasi fitoi mandatin e dytë pesëvjeçar në zgjedhjet e prillit.
Teksti i betimit është i përcaktuar me Kushtetutën e Serbisë dhe është në përputhje me preambulën e aktit më të lartë juridik të shtetit, ku thuhet se “krahina e Kosovës dhe Metohisë është pjesë përbërëse e territorit të Serbisë”.
“Vuçiq i përmbahet asaj që është shkruar në Kushtetutë. Sigurisht që mund të ketë dallime të caktuara mes asaj që shkruan dhe realitetit, por kjo nuk mund ta çlirojë atë apo organet e tjera shtetërore nga detyrimi që qëndron në Kushtetutë”, thotë për Radion Evropa e Lirë, profesori i Fakultetit të Drejtësisë ‘Union’ dhe eksperti i të drejtës kushtetuese, Bogoljub Mirosavljeviq.
Preambula u përfshi në Kushtetutën e Serbisë në vitin 2006, pas shpërbërjes së bashkësisë së Serbisë dhe Malit të Zi, kur Vojislav Koshtunica, lideri i atëhershëm i Partisë Demokratike të Serbisë, ishte në krye të Qeverisë në Beograd.
A mund ta përmbushë presidenti betimin?
“Është krejtësisht e parëndësishme se çfarë do të premtojë Vuçiq me betimin”, tha për Radion Evropa e Lirë, Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhëniet Etnike në Beograd, duke vënë theksin në “ndarjen e tekstit të Kushtetutës nga realiteti”.
“A mundet presidenti, në realitet, të zbatojë atë që e ka thënë – nuk mundet. E pamë që nuk mundi të organizonte zgjedhjet atje, as referendumin për ndryshimin e Kushtetutës, për të mos thënë që nuk mundi të dërgonte ushtrinë e policinë, as nuk mundi të shkonte vetë atje”, tha Janjiq.
Vuçiq: Do të luftojmë shumë për Kosovën, por nuk ka asnjë zgjidhje fatlume për ne
Presidenti i Serbisë ishte për herë të fundit në Kosovë në shtator të vitit 2018, kur vizitoi Ujmanin (Gazivodën) në veri të Kosovës dhe vendet ku jeton popullata shumicë serbe. Vizita u miratua nga autoritetet në Kosovë, ashtu siç parashihet me Marrëveshjen e Brukselit.
Sipas një marrëveshjeje ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, e cila zbatohet që nga viti 2014, të dyja palët janë zotuar të dërgojnë njoftime dhe të kërkojnë leje për të vizitat e zyrtarëve.
“Gjendja në terren është e tillë që nëse Qeveria e Kosovës nuk e dëshiron këtë, presidenti Vuçiq nuk mund të hyjë atje”, tha për Radion Evropa e Lirë analisti nga Kosova, Agon Maliqi.
Vuçiq kishte planifikuar të vizitonte Kosovën edhe në vitin 2020, por vizita e tij nuk u miratua. Në një atmosferë tensioni me Prishtinën, ai takohej me përfaqësuesit politikë serbë në Beograd ose udhëtonte në jug të vendit.
Pas aksioneve të Policisë së Kosovës kundër kontrabandës, të cilat nxitën protesta të serbëve në veri të Kosovës në tetor të vitit 2021, Vuçiq u takua me ta në Rashkë në jug të Serbisë.
Në shtator të po atij viti, ministri i Policisë, Aleksandar Vulin, vizitoi detashmentin e xhandarmërisë në Kralevë (rreth 80 kilometra nga Kosova), për shkak të vendosjes së Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës në pikat kufitare me Serbinë dhe masave reciproke për heqjen e targave serbe nga automjetet që hynin në Kosovë.
A ka Serbia kompetenca mbi Kosovën?
Pas ndërhyrjes së NATO-s në Republikën Federale të Jugosllavisë (RFJ), e cila u iniciua për shkak të krimeve të forcave serbe kundër popullatës shqiptare në Kosovë, në vitin 1999, presidenti i atëhershëm i RFJ-së, Slobodan Milosheviq, pranoi Marrëveshjen e Kumanovës, me të cilën u tërhoqën forcat serbe nga Kosova.
Në vitin 2008, Kosova shpalli pavarësinë, të cilën Serbia ende nuk e njeh. Nën patronazhin e Bashkimit Evropian, Beogradi dhe Prishtina nënshkruan Marrëveshjen e Brukselit, në vitin 2013, për t’i hapur rrugën normalizimit të marrëdhënieve mes dy palëve.
Dispozitat kryesore të marrëveshjes i referohen shuarjes së strukturave të sigurisë dhe institucioneve gjyqësore të Serbisë në Kosovë, gjegjësisht shkrirjes së tyre në sistemin gjyqësor të Kosovës, vendosjes së komandantit rajonal të policisë për katër komunat me shumicë serbe, përfundimit të bisedimeve për energjinë dhe telekomunikacionit, si dhe formimi i Asoaciacionit të komunave me shumicë serbe.
“Realiteti është se në njëzet vjetët e fundit, e veçanërisht pas marrëveshjes së Brukselit, kontrolli efektiv i territorit të Kosovës është gjithnjë e më shumë në duart e Qeverisë së Kosovës, si dhe kontrolli i sigurisë në duart e institucioneve të Kosovës dhe forcave ndërkombëtare”, tha analisti nga Kosova, Agon Maliqi.
Edhe pse Marrëveshja e Brukselit parasheh shfuqizimin e institucioneve paralele serbe në Kosovë, ato ende ekzistojnë dhe Qeveria e Serbisë ndan çdo vit dhjetëra milionë euro nga buxheti i saj për financimin e tyre.
Në Qeverinë e Kosovës marrin pjesë përfaqësues të serbëve, ndërkaq partia më e madhe – Lista Serbe – konsiderohet si satelit i Partisë Progresive Serbe të Vuçiqit.
Pa zgjedhje serbe në Kosovë
Qeveria e Kosovës nuk e miratoi organizimin e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare serbe në Kosovë, që u mbajtën më 3 prill. Pjesëtarët e komunitetit serb mundën të votonin në një prej qyteteve afër kufirit të Serbisë.
Paraprakisht, më 16 janar, Kosova nuk ka lejuar hapjen e vendvotimeve për referendumin për ndryshimet në Kushtetutën e Serbisë në fushën e drejtësisë. Siç ishte thënë asokohe, serbët nga Kosova kanë mundur të votonin me postë ose në Zyrën Ndërlidhëse të Beogradit në Prishtinë.
Zgjedhjet e fundit parlamentare, të cilat Serbia i organizoi në mjediset e banuara me serbë në Kosovë, u mbajtën më 21 qershor të vitit 2020.
Në atë kohë, sipas praktikës së krijuar, misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë kishte mbledhur fletëvotimet.
Kjo praktikë u vendos në vitin 2017 dhe për këtë ka pasur leje nga autoritetet e Kosovës.
Retorikë për përdorim të brendshëm
Në Kushtetutën e Serbisë, Kosova përmendet shprehimisht tri herë. Fillimisht në preambulë, më pas në tekstin e betimit të presidentit të Republikës dhe në fund në nenet për organizimin territorial, në të cilët përcaktohet pozita e krahinave.
“Krahina jugore serbe” është ende në fjalorin zyrtar të zyrtarëve serbë në Kosovë, ndonëse, në fakt, tash e më shumë se 20 vjet, ajo nuk është e tillë.
Kufijtë quhen “vendkalime administrative”, shteti i Kosovës “i ashtuquajtur”, ndërsa institucionet “të përkohshme”.
Vetë presidenti Aleksandar Vuçiq ka thënë vazhdimisht, gjatë dhjetë vjetëve të tij në pushtet, se nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës, ndërkaq hulumtimet tregojnë se shumica e qytetarëve serbë e kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës.
Të pyetur se a do të mbështesnin pavarësinë e Kosovës, nëse kjo do të ishte kusht për pranimin e Serbisë në Bashkimin Evropian, pothuajse 70 për qind e të anketuarve thanë jo, sipas një sondazhi të kryer në gusht të vitit 2021,nga organizata joqeveritare Qendra për dialog social dhe iniciativa rajonale.
“Ajo retorikë mund të jetë simbolike për përdorim të brendshëm, por nga këndvështrimi i Kosovës, ajo krijon një klimë që e vështirëson dialogun dhe marrëveshjen me Serbinë, madje edhe bashkëpunimin rajonal. Të gjitha këto shihen si aspirata për hegjemoni dhe dominim”, tha Agon Maliqi.
Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike thotë se Kushtetuta e Serbisë është një “shkronjë e vdekur në letër” për shumë njerëz, e veçanërisht në elementet për Kosovën.
“Këtë e ka ideuar Vojislav Koshtunica për të mos u marrë me problemet dhe për të mos qenë përgjegjës për atë që po ndodhte në terren. Paradoksi i nacionalizmit serb është se ata i duan shumë serbët dhe Kosovën, por nuk do të donin të merreshin me ta. Ky është një alibi dhe ajo që shkruhet në Kushtetutë është e pamundur të realizohet”, thekson Janjiq.
Negociatat mes Serbisë dhe Kosovës në Bruksel duhet të çojnë përfundimisht deri te një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme midis dy palëve.
Pas takimit me presidentin e Serbisë dhe kryeministrin e Kosovës, më 4 maj në Berlin, kancelari gjerman Olaf Scholz tha se marrëveshja përfundimtare ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës do të duhej të përmbajë njohjen e Kosovës. Kjo do të nënkuptonte ndryshimin e Kushtetutës së Serbisë dhe fshirjen e Kosovës nga betimi i Presidentit të Republikës. /REL
Nga Gazeta Shqiptare