Betoni i dobët dyshohet si shkak për disa nga viktimat e tërmetit.

7 janar  2020

Prokuroria e Durrësit po shqyrton të dhënat laboratorike të materialeve të ndërtimit nga 7 ndërtesat e shkatërruara nga tërmeti i 26 nëntorit, për të zbuluar përgjegjësit e vdekjeve tragjike të 23 personave nën rrënojat e tyre.

Tetë nga nëntë anëtarët e familjes Lala humbën jetën më 26 nëntor, pasi lëkundjet e tërmetit shkatërrimtar e kthyen ndërtesën 4-katëshe ku ata banonin, brenda pak sekondash, në një pirg rrënojash betoni dhe hekuri në zonën e ish-kënetës në Durrës.

Dy muaj më vonë, prokurorët po analizojnë me kujdes të dhënat e përftuara nga analizat laboratorike të materialeve të ndërtimit të përdorura në ndërtesën e rrënuar, në përpjekje për të gjetur shkaqet e rrëzimit të saj.

“Prokuroria Durrës ka administruar analizat laboratorike nga laboratori ‘A.L.T.E.A. & Geostudio 2000’ dhe nga të dhënat paraprake dyshohet se betoni i përdorur është jashtë standardeve të ndërtimit,” sqaroi për BIRN një prej tre prokurorëve që po hetojnë çështjen.

Pas tërmetit, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës regjistroi një procedim penal për veprat e shpërdorimit të detyrës, ndërtimit në kundërshtim me rregullat teknike me pasojë vdekjen dhe vrasjen me dashje.

Më 14 dhjetor, me urdhër të Prokurorisë, Policia e Shtetit arrestoi 9 persona dhe shpalli në kërkim 8 të tjerë, të dyshuar si përgjegjës për shembjen e 4 ndërtesave me pasojë humbjen e jetëve njerëzore. Në total vetëm në Durrës, nga tërmeti u shembën tërësisht 7 ndërtesa ku humbën jetën 23 persona – përshirë dhe 8 anëtarë të familjes Lala.

Analizat e betonit për 7 ndërtesat e shkatërruara, të para nga BIRN, tregojnë se në të paktën 4 prej tyre, marka e betonit të përdorur për ndërtim dyshohet se ka qenë nën standard. Megjithatë, tre inxhinierë ndërtimi të pavarur, të konsultuar nga BIRN, këshilluan që të bëhet kujdes për të arritur në përfundime mbi shkaqet që mund të kenë determinuar ose kontribuar në kolapsin e ndërtesave.

Përveç shtatë ndërtesave ku u regjistruan viktima, hetimi i Prokurorisë së Durrësit mbi materialet e ndërtimit pritet të shtrihet edhe në qindra pallatet e dëmtuara nga tërmeti, duke pasur qëllim zbardhjen e shkaqeve dhe përgjegjësit që kanë kontribuar në dëmtimin e tyre.

Beton jashtë standardit

Tërmeti shkatërrimtar me magnitudë 6.4 i shkallës Rihter i 26 nëntorit shkaktoi 51 viktima dhe më shumë se 900 të plagosur në Durrës, Krujë, Tiranë dhe Lezhë, ndërkohë që qindra ndërtesa u dëmtuan duke u kthyer në të pabanueshme dhe mijëra vetë u lanë të pastrehë.

Klasa e betonit apo “marka”, siç njihet në gjuhën e përditshme, shpreh cilësinë e betonit kur ai testohet përmes forcave shtypëse. Nga analizat e lexuara nga BIRN, të realizuara nga laboratori ‘A.L.T.E.A. & Geostudio 2000’ me kërkesë të Prokurorisë, rezultoi se gjysma e 20 mostrave të ndryshme të betonit të marrë nga 7 ndërtesat e shkatërruara rezultojnë me vlera rezistence në shtypje kubike nën standard.

Fletët e analizave për cilësinë e betonit përfshijnë shtëpinë e familjes Lala, pallatin 6-katësh ku ndodhej ish-bar “Baron’s”, pallatin 6-katësh pronë e familjes Konomi, hotelet ‘Mira Mare’, ‘Vila Palma’ ‘ Tropikal’, si dhe “Godinën e Re numër 4” tek Shtëpia e Pushimit të Ministrisë së Brendshme.  Për të mos cënuar sekretin hetimor, BIRN do t’i referohet rezultatit te analizave të këtyre ndërtesave vetëm nëpërmjet një numri rendor.

Analizat laboratorike e betonit të shprehura në megapaskal të 7 ndërtesave

Sipas fletëve të analizave, pas testimit të rezistencës në shtypje kubike të betonit, rezultoi se nga mostrat e marra në 7 objektet, janë përdorur klasa të betonit që luhaten nga  6.32 megapaskal deri në 42.08 megapaskal.

“Grupi hetimor sapo ka nisur hetimet për 7 objektet me pasoja në njerëz, ka marrë pjesë betoni nga strukturat e godinave, në prani të një specialisti të Institutit të Ndërtimit, për t’u analizuar më pas,” sqaroi për BIRN një prej 3 prokurorëve që udhëheqin hetimin.

“Jo gjithmonë klasa e ulët është tregues i keq. Nga këto përjashtohen vlera nën 20 megapaskal. Çfarë është nën të, teorikisht është gabim sepse nuk është beton strukturor,” shtoi ai.

Nga analizat laboratorike të 7 ndërtesave të shkatërruara nga tërmeti, 3 objekte i kishin të gjitha mostrat nën 20 megapaskal, 2 objekte i kishin të gjitha mostrat e betonit mbi 20 megapaskal, ndërsa në dy të tjerat, mostrat ndaheshin në gjysmë – poshtë dhe lart vlerës 20 megapaskal që i kalsifikon ose jo si beton strukturor.

I kontaktuar nga BIRN, menaxheri i laboratorit “A.L.T.E.A. & Geostudio 2000’, Skënder Allkja konfirmoi realizimin e analizave të betonit me kërkesë të Prokurorisë, por shtoi se laboratori i tij, përveç rezultateve nuk mund të jepte përfundime nëse cilësia e betonit kishte kontribuar në kolapsin e ndërtesave nga tërmeti.

“Ne kemi realizuar analizat për mostrat e betonit të marra dhe ia kemi vendosur në dispozicion prokurorisë, por nuk bëjmë interpretimin e tyre,” sqaroi Allkja. “Për këtë duhet të shprehet një specialist i fushës,” shtoi ai.

Sipas ekspertëve, standardi minimal për betonin që përdoret në konstruktin e godinave është C16/20, pra klasa 20 e betonit.

Alier Cara, një inxhinier strukturor nga Durrësi me të cilin BIRN konsultoi të dhënat e analizave laboratorike të betonit të ndërtesave të shkatërruara nga tërmeti, vuri në dukje se vetëm 3 nga 7 objektet kishin marka betoni brenda normave.

“Objekti 1 dhe Objekti 3 duken me klasë normale betoni dhe pjesërisht Objekti 5 deri diku është brenda normave,” tha Cara. “Në vitet ’90, kur ka nisur ndërtimi në Shqipëri ka pasur një gamë të vogël klasash betoni, të vlerave 20, 25 dhe rrallëherë 30 megapaskal,” shtoi ai.

Sipas inxhinierit durrsak, edhe në raste si ai i objektit 2, ku vetëm një nga mostrat e betonit tregon vlerë poshtë standardit të betonit strukturor, ky i fundit mund të ketë kontribuar në rrëzimin e ndërtesës.

“Mostrat e betonit në “Objektin 2” tregojnë për përdorimin e klasës së betonit 40, por nëse ajo është përdorur në katin e dytë dhe në të parin betoni ka pasur vlerën 17.74 megapaskal sipas analizave, objekti e ka marrë goditjen nga kjo cilësi betoni,” tha ai.

“Më duket e çuditshme se si në një objekt është përdorur beton i klasës 40 dhe një vlerë tjetër, që nuk konsiderohet fare klasë betoni për strukturë,” shtoi ai.

Cara shpjegoi se ka godina ku nga tërmeti i 21 shtatorit, betoni mund të ketë pësuar plasaritje apo të ketë dalë jashtë funksionit dhe tërmeti i 26 nëntorit e ka shembur strukturën që mbështetej deri në atë moment vetëm në hekurat e godinës.

“Nëse betoni porositet në një pikë prodhimi, vjen i garantuar dhe ke garancinë se ka një shmangie prej 3 njësi nga klasa e kërkuar, që është normale,” tha Cara.

“Ndërsa kur betonin e bën vetë me punëtorë dhe betoniere, nëse nuk ndjek gramaturën e saktë, merr klasën e betonit nga 7 deri tek 40 megapaskal,” shpjegoi ai.

Megjithatë, Cara dhe dy inxhinierët konstruktorë të pyetur nga BIRN theksuan se çdo gjykim mbi analizat është paraprak, pasi ka shumë rëndësi edhe mënyra se si janë marrë mostrat e betonit. Sipas tyre, ato duhen marrë në elementët strukturorë, në disa kolona të objektit, trarë dhe soletë, që të krijojnë një panoramë të plotë.

“Është pak të gjykosh mbi 2 rezultate analizash [për një objekt], por sigurisht që kupton se ka një lajthitje të vlerave në mes,” tha Cara.

Këto dilema, sipas Prokurorisë do të zgjidhen nëpërmjet akteve të ekspertimit teknik që do të përpilohen nga specialistë për secilën nga ndërtesat e shkatërruara.

“Pasi t’i vendosen në dispozicion një specialisti analizat e betonit, hekurit, ato gjeologjike, aktet e këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe aktet e tjera, më pas do të dilet në një konkluzion përfundimtar se kush është shkaku i rrëzimit të godinave,” sqaroi një prej prokurorëve të çështjes.

Ndërtues pa shkollë

Hotel Mira Mare. Rruga Pavarësia, Plazh, pas kolapsimit nga tërmeti.

Ruzhdi Xheka, pronari i hotel ‘Mira Mare’-s në plazhin e Durrësit është njëri prej 9 të arrestuarve nga prokuroria, me akuzën e vrasjes me dashje. Nga shembja e hotelit të tij më 26 nëntor humbën jetën dy persona.

Gjatë caktimit të masës së sigurisë për Xhekën në Gjykatën e Durrësit, avokati i tij mbrojtës deklaroi se 79-vjeçari kishte vetëm 7 klasë shkollë dhe ai ishte fajtor vetëm se kishte ndërtuar në mënyrë të paligjshme – si shumica e shqiptarëve.

“Ruzhdiu nuk kishte njohuritë e nevojshme,” u shpreh avokati mbrojtës gjatë seancës gjyqësore. “Dy ditë pas shembjes doli nga rrënojat, për të vetmin fakt se ka ndërtuar pa leje si gjysma e shqiptarëve,” shtoi ai.

Pëerveç hotel ‘Mira Mare’-s, grupi hetimor i përbërë nga prokurorët Edmond Kaloshi, Madrid Kullolli dhe Pali Deçolli ka evidentuar si ndërtime pa leje hotelin “Tropikal”, lokalin në katin e parë të pallatit 6-katësh në Durrës ku humbën jetën Hatije Rexhepi dhe Xhulieta Gjana, si dhe banesën 4-katëshe të familjes Lala.

Ndërkohë, edhe hoteli “Vila Palma” ka pasur 3 kate shtesë, jashtë projektit fillestar.

Një nga pjesëtarët e grupit hetimor i tha BIRN se ndërtimet pa leje, në mungesë të një projekti, “librit të masave” ku përshkruhen me detaje punimet e realizuara, materiali i përdorur, burimi i tyre, kanë kufizuar dhe vështirësuar hetimin e prokurorisë.

“Godina është ndërtuar në vitet ’94-‘96 nuk e prodhoi vetë hekurin, tullën dhe nëse do kishte të arrestuar, duhej të ishin ndërtuesit,” tha në seancën gjyqësore avokatja Shqiponja Meta, që mbronte ndërtuesin e “Hotel Tropikal”, Avdulla Osmani.

Sipas kërkesës për masë sigurie kundër Osmanit, hotelit i tij është ndërtuar “pa studim gjeologjiko-sizmik, pa projekt konstruksioni dhe pa mbikëqyrje punimesh.”

“Për efekt të marrjes së lejes së ndërtimit dhe legalizimit, projekti është bërë pas realizimit të ndërtimit,” shpjegojnë prokurorët në kërkesën e tyre drejtuar gjykatës, ku kanë kërkuar burg pa afat për Osmanin, i akuzuar për veprën penale ‘vrasje në rrethana të tjera cilësuese.”

Hetime për ndërtuesit e pallateve

Pallat i dëmtuar nga tërmeti në Durrës | Foto : LSA

Grupi hetimor i Prokurorisë së Durrësit e ka fokusuar hetimin tek përgjegjësit për shembjen e 7 godinave ku humbën jetën 23 persona. Përveç ndërtuesve të këtyre godinave informale, në pranga kanë përfunduar dhe zyrtarë të ALUIZNI-it dhe bashkisë së Durrësit.

BIRN ka mësuar gjithashtu se paralelisht me hetimin për përgjegjësit në humbjen e jetëve njerëzore, policia po referon çdo ditë materiale për një tjetër çështje, që pritet të kalojë në sitë cilësinë e ndërtimit në pallatet ku janë shënuar dëme të mëdha materiale.

Në këtë hetim përfshihen rastet e pallateve, të cilat kanë pësuar dëme në strukturë ose në muraturë. Mostra betoni janë marrë edhe në godinat e shembura nga qeveria, pasi u shpallën të pabanueshme. Ato janë këqyrur përpara shembjes dhe është mbledhur materiali dokumentues i gjendjes së tyre fizike, përpara shembjes së komanduar.

Megjithatë, njëri nga anëtarët e grupit hetimor i tha BIRN se jo domosdoshmërish faji për këto dëme mund t’u adresohet pronarëve të kompanive të ndërtimit.

“Ndërtuesit në vetvete mund të kenë probleme të tjera, por nuk mund të merren menjëherë në përgjegjësi penale,” shpjegoi njëri prej prokurorëve në kushtet e anonimatit.

“Projektin e ka bërë një projektues, bëhet edhe studimi sizmologjik etj. dhe nëse në njërën nga këto hallka ka abuzime, identifikohet më lehtë përgjegjësi,” përfundoi ai.

BIRN

j.l./ dita