19 Shtator 2024

Nga Julia Vrapi

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë ndodhet në një situatë kritike. Seanca dëgjimore e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, ku ishte i pranishëm ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja u shoqërua me debate për mënyrën e administrimit të parqeve arkeologjike në vendin tonë, por gjendja kritike për Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë u pranua dhe nga ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja. I pranishëm në komision ministri Gonxhja tha se kanë një nismë bashkë me Bashkinë e Tiranës për të dalë me një zgjidhje përsa i përket krizës, që ky institucion ka kaluar.

“Një situatë e rëndësishme për Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, që është një institucion me një rëndësi të jashtëzakonshme dhe që kemi një situatë kritike sa i takon kushteve të sigurisë për fondet dhe për të gjithë inventarin, thesarin që kemi në bodrumet e këtij institucioni ku ne po punojmë për të pasur një qasje tepër kreative në kuptimin ekonomik të fjalës, një nismë të re që kemi bashkë me Bashkinë Tiranë dhe me shoqërinë që posedon një pjesë të këtij aseti, ne të kemi një marrëveshje të re që do të na bënte që të dilnim me më shumë metra me një zgjidhje përsa i përket krizës që ka kaluar biblioteka shqiptare në vite”, tha ministri.

Problemet me Bibliotekën Kombëtare, mungesën e hapësirave për fondet e librave, etj, janë bërë me dije dhe më parë. Por sipas ministrit të MEKI-t-, biblioteka aktuale nuk do të shkatërrohet. Ministri Gonxhja u shpreh edhe për projektin e ri të Bibliotekës së re Kombëtare 2, që sipas tij do të jetë në shërbim të moshave të ndryshme. “Biblioteka e re kombëtare 2 që do të zhvillohet, do të ndërtohet, ngrihet pranë Gardës. Biblioteka e vjetër nuk do të shkatërrohet, ajo do të jetë biblioteka në konceptin që ne kemi, do të ketë dëgjesa, një analizë dhe vendimmarrje serioze.

Biblioteka e vjetër kombëtare duhet të jetë atje për një theks ceremonial, muzeal, duke qenë në qendër të qytetit pranë sheshit “Skënderbej” dhe duke menduar si do e konceptojmë Pallatin e ri të Kulturës në shërbim edhe të bibliotekës kombëtare, ne duam që të jetë e vizitueshme dhe të jetë një objekt historik ku do të kemi fondin historik. Biblioteka e re kombëtare do të jetë në shërbim të shumë moshave me shumë kategori. E gjitha kjo do të zhvillohet në një godinë të re”, tha ministri Gonxhja.