Biblioteka- Muzeume të Tiranës! –

E sjellim artikullin e mëposhtëm të Arshi Pipës, botuar në prill 1944, si një shënim krahasues për çfarë ndodh sot e si shfrytëzohet qendra muzeale e Tiranës. Mjaft specialistë kanë sugjeruar që përgjatë bulevardit të Tiranës të ketë një jetë të pasur muzeale, dhe argumentet janë: godinat përgjatë bulevardit, qendra e vjetër historike e Tiranës ku në këto vite është bërë zbulimi i kalasë së vjetër, dhe pikërisht m’u tek vendi ku na flet Pipa për sarajet e Toptanasve etj… A i përgjigjet Tirana sot, kësaj fryme kulturore e muzeale për të cilën fliste kritiku?!

Nga Arshi Pipa

 

Bibliotekat, pinatekat, muzeumet janë institute kulturore ku pasqyrohet jeta mendore e nji kombi.

Këtë s’e thomi për vehte, natyrisht, por për ata qe nuk e dinë. E thomi për ata të huej, që vijshin deri dje me na vizitue si nji vend të rrallë. Gjejshin kta zotnij, lorda plakoça të velun nga mondanitetet, gazetare kulima që kërkojnë për shtyllat e tyne sensacionalitete, se Shqipnia asht nji vend “piktoresk”, pak “selvaggio” por charmant” n’at “simplicityy”-n e vet natyrale., qi ka thesare të panjohuna bujarije e pyjesh virgjine etj…etj…

Kta zotnij na i marrim për dore dhe i çojmë – jo te Xhamija e Ethem Beut, a te Ura e Brarrit, a te Kalaja e Petrelës, se kto ma i mori vesht bota- por te ndonji prej institutevet tona kulturore të sipërpërmenduna. Dhe u thomi: Urdhnoni, Zotnij, na kemi edhe kësi llojesh tjera!

I çojmë, fjala vjen, te Biblioteka e te Muzeumi. Asht e vërtetë, spjegojmë atëhere, se na nuk kemi shum biblioteka e muzeume. Historija e jonë, në robninë e saj pesë herë shekullore….e u thomi ktu ato pak fjalë të nevojshme të zakonshme. Veç, shtojmë mandej, nji Bibliotekë e nji Muzeum i kemi si duhet…E u prijmë për atje.

Edhe përjashta kështu bajnë. Kur viziton ndonji qytet, të drejtojnë ma parë kah monumentat ma të përmendun, shtatore, pallate, tempuj, galerina arti. Dihet se kishat janë të stolisuna zakonisht me vepra plastike nga mjeshtrat e medhej. Shpesh, kush ka mndësi, pinakotekat e muzeumet e edhe bibliotekat, i vendosin ndër pallate historike. Ka lezet e njikohësisht dinjitet që nji vepër arti të ruhet në nji ndërtesë gjithashtu arti ose në nji tempull. Kështu në Firence, pinakoteka ma e madhe e Italisë ndodhet në “Galleria degli Uffizi”, vepër e Vasarit. Në pallatin Pitti ndodhet galerija e artit modern. Verës në kopshtijet e tij epen çfaqje theatrore, dhe në njenën prej sallavet të tija, “Salla e Bardhë”, koncerte. Kapela e princave “Medici”, ku gjinden disa nga skulpturat ma të bukura të Michelangelos asht në Kishën San Lorenzo. Jo fort larg kësaj kishe ndodhet nji nga pallatet ma të bukura të Rilindjes, pallati “Strozzi”. Këtu, tash vonë, vendosën bibliotekën e moçme të “Gabinetit Viesseux”. Nji tjetër pallat i vjetër: “Bargello” asht sot museum armësh e veshjesh.

Dhe tash pyesim:

Ata që e vendosën bibliotekën-muzeumin kombëtar të Tiranës te binaja e moçme që qe dikur e princavet Toptanas, a mos u frymëzuan prej nji ideali të këtillë?

Bibliotekë e muzeum! Dy institute kulture të harmonizuem në nji të vetëm! Ekonomi vendi qi i ka hije shijes të madhit burrë që dijti me i vllaznue aq mrekullisht! Bibliotekë e muzeum bajnë dy. Shto edhe arkitekturën e pallatit ku janë ruejtë, e bajnë tri! Pallati asht në stilin klasik të traditës së madhe qerpiçane: i gjanë e i bollshëm, me çardak sa me nga kuajt, me salla të ndrituna –higjenikisht- prej shumë dritorevet.

Karakteristikë dalluese: shkallët i ka jashtë dhe i ka, natyrisht, si të gjitha pallatet, simetrike ndër dy anët. Kto shkalla gurit puqen në maje tue përba nën të nji hark që në thjeshtësinë e vet “austere” ka bukurinë e vet. Mbi shkallë, përpara derës së hymjes, stolisë me xhama, çelet nji terracë me parmakë hekuri ndër ana që përban ballkonin. Prej këndej mund të soditet natyra përqark.

Tash që ka ardh pranvera asht nji lezet i veçantë me ndej në kët ballkon e me kënaqë sytë me pamjen e oborrit. Pse harrova me ju diftue, pallati ka përpara nji copë oborr, katërkandësh i rregullt, ku bin bari pa pasë nevojë me e lagë.

Për çdo eventualitet ashtu aty, në mes, nji pus, me nji grykë të punueme në relief t’ulët prej daltuesit t’onë ma të përmendun…mjerisht nuk më kujtohet emni. Nuk ka gja ma të kandshme se me kullotë…sytë në kët jeshillëk. Por nuk mjafton. A thash se shkallat janë guri te latuem? Jane kështu për t’u-intonue me arkeologjinë e kopshtit! Pse këtu ka pasë kenë dikur nji qytet greko-romak shumë i përmendun. Me gërmime të zellshme janë qitë në diell disa nga monumentet e vorruem. Kanë zbulue keshtu nja disa shtatore pa krena, rrashta pa trupa, nja disa rrasa (jo me la tesha), ndonji qyp i madh për ufull, ndonji mbishkrim turçe që përmende datën e aleancës së madhe turko romake te vj. 759 p.Kr. etj. etj.

Dojne me dhanë se sidomos nji “palosje” (panneggio) nën balkue, asht i shkollës skopane.

Vendin e nderit e xane disa cunga shtyllash, mermer i bardhe e laraman, me te cilin stoliseshin tempujt e Afërditës. Kompetentet e deduktojnë këtë nga nji bust i gjetun aty pranë, i nji bukurije së rrallë e qi s’mundet me kenë ve se aj i Afërditës. Un jam i mendimit se atë shtylla i përkasin ndonji palestre. Prove qi nuk gabohem asht se pak metra ma larg ndodhet nji “paralele” ku ende të rijt vazhdojnë me ba ushtrime trupore. Nji gja vec me çuditë: si ka muejt me durue, njisoj me shtyllat mermeri, edhe ajo vegël druni! Sidoqoftë kto shtylla, të rëndueme në nji gjysë harku të përsosun, në trajtë orkestre me fëtyre kah dera e oborrit, janë si nji grishje për vizitorin.

I cili teksa hyn, asht i përshendetun prej dy rojevet pa krena, të vueme simetrikisht në të djathtë e në të majtë. Dhe mos të çuditet aspak pse ata jane pa krena! Të hjedhi nji vështrim nëpër kopshte e do t’i gjejë me ndonji skute, tue kullote bar! Dhe do të shofi atëhere frona guri të shperndame simetrikisht nëpër kopesht, dhe mbi to ulun njerëz qi lexojnë ose andrrojnë. Do të ketë përshtypjen se ka hy me nji anfiteatër ku luhet ndonji copë e Eskilit.

Kjo sa për pamjen e jashtme, se për mbrenda, janë mrekullina te tjera. Nuk do të përmendim këtu ç’fat i madh asht për studjuesin me gjete në nji vend gjana aq të ndryshme si janë libri, shtatoret, paret e yjetra, armet, veshjet e sa tjera. Ai që don me ba studime krahazuese ndërmjet arteve të ndryshme këtu le të vije. Këtu le të vijë edhe poeti që kërkon frymëzim. N’u lodhte prej leximit të ndonji librit, i mjafton me shëtitë sytë për rreth për me u dalldisë: këtu nji rrashtë, atje nji kukull, anash nji kanavete, ma tutje trashigimet e Ilirvet. Nji xheverdare kah e djathta, bri saj nji fyell, nji “lakuriq” kah e majta, me nji qoshe nji qyp.

Nuk po flasim mandej për bibliotekën e cila ka ardhe tue u pastrue… deshta me thanë tue u pasunue vazhdimisht, kështu qi sot asht ma e pajisuna bibliotekë në gjithë Shqipninë. Reparti i saj i libravet të vjetër asht jashtzakonisht i pasun. Aq sa disa prej tyne jane të breme prej mijvet.

Bile për punën e mijvet kallxohet nji ndodhi e lezetshme. Pat ardhun do kohë ma parë nji vizitor i huej – italian, me gjasë – të cilit, ndërsa kontrollonte raftet e libravet të vjetër, i pat dalë nji mi. Qyqari qe trembe fort e pat ba nji kërcim të madh qi e çoi për rrezik te i vetmi vend i dyshemesë që kishte qëllue pak i prishun… E si pat ndodhe edhe pak i randë, vojt puna që aj ra nën aher… Tu lëshuen vrap rojtarët për me i ndihmue rrezikut… kur e gjetën kambë-kryq mbi nji turrë librash që njat-here sa i kishin prue “taze” prej Distaptur-it tue thithë nji puro!

Por çka dojshin aty turrat e libravet të Distaptur-it, keni me thanë ju? Fajin e kam vetë që harrova me ju thanë qysh në fillim se kati i poshtëm i bibliotekë-muzeum-pinakotekës kombëtare asht depoja e libravet të Ministrisë s’Arsimit. Eh! po për me ba tamam duhej edhe kjo! Punët e mira a çohen deri në fund a s’fillohen aspak! I madh kishte pasë kene ky konaku i Toptanasvet, rueje Zot! Kam kenë e kam shëtite vetë për gjithë anë. Kaq e shum sende ka zanë e prap zen se zen edhe ma. Kan mbetë kah ana e djathtë nja dy dhoma të vogla bosh. Marr lejen me ba nji sugjerim. Pse me i lane bosh në kët kohë kur po hiqet aq keq me gjetë ndërtesa? Kishe me thane pra se mund të depozitohen aty edhe nja disa thasë groshe a patate, nga ato të caktueme bje fjala për arsimtaret. Ka qillue edhe Nozullimi aty prane, larg dy hapa. Gjynah me e humbe kët rasë!

Kam marrë vesht se nja disa njerez, që nuk kuptojnë një xero nga arkeologjija e nga paleologjija, po mundohen me e transferue biblioteke-muzeumin në nji godinë tjetër, gjoja ma të re e ma të përshtatshme për nji institut kulture të këtillë. Dhashtë Zoti mos ndodhte ky kob! Ata pseudo-artista, kushdo qofshin, të marrun mendsh nga makalushlleqet moderne, nuk po janë në shkallë me kuptue mendimin fisnik t’atyne që e lane biblioteke-museumin për pesëmbëdhet vjet rresht të ndertesa e sipërshkrueme. Kjo don me thanë, me nji fjalë, mos me çmue punën e të tjerevet. Prandaj i drejtohem Kryesis së Shtetit, me nji lutje botore, qi të ndalojë, për të mirë të Kombit e për hir te traditës, çdo veprim “inovator” të kotë, tue e lane bibliotekë-muzeumin aty ku asht, spakut edhe për nja pesmbedhet vjet tjera, deri sa të gjindet nji pallat edhe ma i vjetër, ma artistik se ay i Toptanasvet.  Kan mbërrijtë me thanë – o moskuptim i kohnavet t’errta! -se të huejt që vijnë me na vizitue mund të na tallin për këtë “babiloni” (asht fjala e tyne) kulture. I nënshkruemi, paleolog i doktoruem pranë “Columbia University”, deklaroj solemnisht: Nuk asht e vërtetë. Un, që dite për natë, natë për ditë, gjindem në ndonje skaj të bibliotekes, tue kërkue, tue hetue, un që, kur ishte dimen e ende nuk ishte vue pori në sallën e inkunabujvet, ngrohesha, tue fërkue duert, me zjarrin e kulturës e të historis zamadhe iliro-trake, unë arkeologu që kam shëtitë gjithë botën për me ndeshë gjurmët e lavdishme të qytetnimit Shqiptaro-Ilir tue ia zbulue deri në rranzat e Himalaias e deri në Misir, un shkrimtari dorëshkrimet e të cilit presin me u nxjerrë, kur t’u vijë dita, nga kanaveta e posacme e Muzeumit ku janë ndrye e ruejtë me kujdes, un pra flas ndryshe. Jam njeriu i bibliotekës e i muzeumit qysh ditën që asht themelue. Kam pa me qindra, me mija vizitorësh të huej që kanë hy këtu, kam folë me shumicën prej tyne. Dhe të gjithe nuk kanë thanë veç fjale lavdi e bindjeje për shijen sinkretike, jashtëzakonisht të hollë të shqiptarit; i cili në nji kohë kur n’Amerike hahet dreka në kambë (për me kursye kohë) dhe bahen shtëpijat njiqind katësh (për me kursye vend) paraqitet me kët vepër të pavdekshme si ma i madhi ekonomist – artist i shekullit.

Do kohe ma parë, nji mik më ka ba kët vrejtje: “A nuk të duket se na shqiptarët jemi pak temerare, lamë pasunin e madhe të libravet t’one në nji ndërtesë të vjetër të cilën mjafton nji shkrepse për me e ndeze si mullar sane, lamë trashigimet e paçmueshme t’arkeologjisë s’onë nëpër oborre, ku edhe nji hajdut pulash mund të hyjë, tue shkapërcye nji mur t’ulte?” Këtu indinjata e eme ma në fund ka plasë. Por çka kujton ti – kam bërtite atëhere, – se shqiptari, pinjolli i racës së shkelqyeshme Ilire, aj qi poeti ma i madh englez, Haroldi, përmendte me nderim për trimnin e kalorsin e tij, mundet, guxon, ban sakrilegjin, për me mendue, jo ma me krye kso gjanash? Flet puna vetë: tash pësmbëdhetë vjet që biblioteka e muzeumi janë aty, cili u gjet me marrë e mos me këthye nji libër, ose me zhduke andej edhe vetem nji pare ari të koleksjonevet? Shpirtin fisnik të Shqiptarit e ka çmue me kohë bota, shpirtin artist të tijin – përveç amerikanvet – e çmojmë na vetë. E të vije bota tjetër mandej e të thotë se nuk jemi të mëdhej!

(Marrë nga Revista “Kritika”, Nr.2, prill 1944, rubrika: Jehona kulturore, botuar nën pseudonimin letrar te Prof. Arshi Pipes, shënuar ad literam: CRITICUS)

Nga: MAPO.