“Biden është ndryshe nga Trump”. – Putin flet pas katër orë bisedime: Nuk ka armiqësi, por… Ja për çfarë ramë dakord
16 qershor 2021
Pas takimit 4 orësh të mbajtur në Gjenevë me presidentin e SHBA-ve Joe Biden, ka folur në një konferencë për mediat shefi i Kremlinit Vladimir Putin.
Ky i fundit i konsideroi bisedimet “shumë konstruktive” duke theksuar se “nuk ka pasur armiqësi, por diferenca në pozicione”. Presidenti rus e ka cilësuar Bidenin një udhëheqës ndryshe nga paraardhësi i tij Trump, duke shtuar se ai është një “burrë-shteti me përvojë”.
Po ashtu Putin deklaroi se Rusia “ka dhënë informacion të plotë” për SHBA-të lidhur me sulmet e pretenduara kibernetike. Ai tha se SHBA-të nuk ishin përgjigjur.
“Ne besojmë se hapësira kibernetike është shumë e rëndësishme për dy shtetet”, ka shtuar Putin, duke prekur sulmet e fundit në sistemin e një naftësjellësi amerikan në Teksas, dhe sulmin në sistemin shëndetësor në Rusi.
“Nuk besoj se administrata amerikane është në veçanti e interesuar për këtë”, ka thënë Putin duke iu referuar sulmeve në Rusi. “Duhet të bëjmë është konsulta me ekspertë”, shtoi ai.
Ndërkaq Putin bën me dije se palët kanë rënë dakord të rikthejnë diplomatët e dëbuar në dy vendet. Presidenti rus theksoi se dy liderët kishin diskutuar gjithashtu për Ukrainën që ndoshta të bashkohej me aleancën e NATO-s.
I pyetur mbi udhëheqësin e ndaluar të opozitës Alexei Navalny, Putini bëri thirrje për mbulim të paanshëm mbi incidentin. “Ky person e dinte që po shkelte ligjin ekzistues në Rusi dhe ai është një shkelës i përsëritur”, tha Putin.
“Ai e dinte mirë se ishte në kërkim, por megjithatë u kthye në Rusi dhe ai qëllimisht donte të arrestohej”, vijoi presidenti rus.
Takimi i 16 qershorit mbahet vetëm disa muaj pasi presidenti amerikan tha se besonte se homologu i tij rus është një vrasës. Vlen për tu theksuar që, që nga betimi si president në muajin janar, Biden ka vendosur dy raunde sanksionesh ekonomike ndaj Rusisë.
Gazeta Panorama