Bilioteka Kombëtare Universitare e Kosovës-Gati një shekull në shërbim të lexuesve.-
Origjina e Biblioteka Kombëtare Universitare e Kosovës vjen nga krijimi i Bibliotekës Rajonale më 1944 në Prizren (1944-1963) dhe më vonë funksionoi si Biblioteka Provinciale (1963-1970). Me themelimin e Universitetit të Kosovës në 1970 kjo bibliotekë mori rolin dhe funksionoi si Biblioteka Kombëtare Universitare e Kosovës . Ndërtimi i kësaj biblioteke në Prishtinë filloi në 1974 dhe libraria u inaugurua në 25 nëntor 1982.
Biblioteka Kombëtare “Pjetër Bogdani” dhe ajo “Hivzi Sulejmani”, momentalisht janë bibliotekat më të mëdha dhe më të pasura të Prishtinës. Ato kanë një strukturë të veçantë funksionimi dhe janë në përpjekje të pasurimit me literaturë çdo ditë e më shumë, edhe pse me fanatizëm ruajnë librat dhe dorëshkrimet e hershme.
Bibliotekat luajnë një rol shumë të rëndësishëm në zhvillimin e arsimit në vend, dhe tashmë Prishtina e ka një bibliotekë të standardeve të larta me të cilën mund të identifikohet, e cila ofron mundësi të mëdha për ata që e frekuentojnë.
Biblioteka “Hivzi Sulejmani” në lagjen “Dardania” ofron kushte adekuate për lexuesit e saj, për arsye se përveç që ndodhet në objektin e ri prej dy vitesh, po ashtu ka një kapacitet me rreth 300 ulësesh dhe është e hapur për lexues prej orës 08:00 deri 22:00, me përjashtim të shtunën, kur biblioteka mbyllet në ora 15:00.
Drejtori i kësaj biblioteke, Munish Hyseni, ka thënë për KosovaPress, se posedojnë një numër të konsiderueshëm të veprave në gjuhën shqipe dhe se numri i lexuesve në vitet e fundit ka shënuar rritje të madhe
.
Ai po ashtu ka shtuar se posedojnë edhe libra të vjetër nga shtëpitë botuese të Kosovës, në mesin e tyre lektura shkollore, fjalorë, vëllime me poezi, faktografi për historinë shqiptare etj. Ndër këto botime të hershme hyn edhe libri i Martin Camaj, “Një fyell ndër male”, botuar në vitin 1953.
Hyseni: Afro 10 mijë lexues të regjistruar në bibliotekë
“Deri para 3-4 viteve, literatura e cila është brenda këtij institucioni ka qenë e dominuar në gjuhën serbo-kroate, tash këto vitet e fundit, natyrisht që me ndihmën e Komunës së Prishtinës dhe donatorëve tjerë, thuajse kemi arritur që ta tejkalojmë që numri i fondit të librave në gjuhën shqipe është dukshëm më i madh se në gjuhët tjera, se në serbo-kroatishte, në gjuhën angleze, në atë turke, frënge e italiane. Mendojmë se i kemi mbi 200 mijë tituj në gjuhën shqipe, përpiqemi që me anë të projekteve të ndryshme t’i plotësojmë kërkesat e lexuesve dhe krahas tyre përcjellim edhe botimet që bëhen këtu në Kosovë, në Maqedoni edhe në Shqipëri… Derisa sa ishim në objektin e vjetër diku brenda vitit kemi pasur në të gjitha degët dhe nëndegët, në sektorët e bibliotekës diku afër 5 mijë e 800 a 6 mijë, ndërsa vitin që lamë pas ka arritur afër 10 mijë”, tha Hyseni.
Një nga lexuesit e rregullt që e frekuenton këtë bibliotekë gati çdo ditë, Lirim Januzaj, shprehet mjaft i kënaqur me objektin e ri, që sipas tij ofron kushte të përshtatshme për studentët.
Januzaj: Biblioteka ofron kushte të përshtatshme për mësim
“Biblioteka “Hivzi Sulejmani” është një objekt mjaft i mirë për të mësuar, besoj që ofron kushte të përshtatshme për studentët për të mësuar. Unë personalisht jam student në Fakultetin Teknik dhe mësoj këtu”, tha ai.
Edhe Biblioteka Kombëtare, ka një “arsenali” me libra të vjetër.
Drejtoresha e sektorit të koleksioneve të veçanta në Biblotekën Kombëtare, Bedrie Mekolli, tha se në kuadër të këtij sektori, posedojnë madje edhe dorëshkrime, harta, atlase, plus edhe fondin arkivor që botohet në Kosovë, që do të thotë se ata nga çdo botim që botohet në Kosovë, një kopje prej tij dorëzohet në këtë sektor, në mënyrë që t’i ruajnë për gjeneratat e reja.
Ajo po ashtu tha se këto botime të vjetra, në mesin e tyre edhe dorëshkrime, nuk janë në përdorim për lexuesit, por vetëm në raste të veçanta, kur nevojiten për ndonjë hulumtim, plus hulumtimet janë të monitoruara, për ta ruajtur privatësinë.
Mekolli: Libri më i rrallë, “Historia e Skënderbeut”, 1533
“Libri më i rrallë në Bibliotekën Kombëtare është i vitit 1533, është libri për jetën dhe të bëmat e Skënderbeut i Marin Barletit. Këtë libër e ka dhuruar bibliotekës sonë një koleksioniste e njohur angleze Patricia Nugge, në vitin 2004. Përveç këtij, kemi edhe libra tjerë sigurisht të vjetër që janë të rëndësishëm për shqiptarët në përgjithësi, mirëpo kemi edhe në gjuhë tjera. Gjithashtu, këtij koleksioni i bashkëngjiten edhe koleksioni i dorëshkrimeve arabe, që janë të vjetra por janë në gjuhë të ndryshme, përveç arabishtes është edhe osmanishtja e vjetër, turqishtja pra, gjuha persiane, por ka edhe dokumente në gjuhën shqipe, por të cilat janë të shkruara në alfabet osman”, tha ajo.
Mekolli tha se hapësirat për libra të ndryshëm ruhen më fanatizëm, duke i monitoruar ato kohë pas kohe, në mënyrë që të mos dëmtohen nga kushtet e jashtme.
Një tjetër veçori e bibliotekës është edhe nënndarja e saj në biblioteka më të vogla personale, si biblioteka e Esad Mekulit, Hasan Mekulit, e Krist Malokit dhe Fehmi Aganit, nga të cilat mund të furnizohen lexuesit në veçanti.
Ndryshe, qëllimi kryesor i bibliotekave në Kosovë është që të gjithë qytetarëve të integruar në botën e informacionit në zhvillim, pa dallim moshe, kombi, race, feje, t’u sigurojë qasje të lirë dhe të pakufizuar në dije, mendim, kulturë dhe informacion, të kenë mundësi të vlerësimit të arriturave shkencore, arteve, dhe të trashëgimisë kulturore përgjithësisht.
Në Kosovë ekzistojnë disa lloje bibliotekash si Biblioteka Kombëtare Universitare e Kosovës, bibliotekat e institucioneve, bibliotekat publike ndërkomunale, bibliotekat lokale, bibliotekat publike të shkollave, bibliotekat e veçanta.
Organizimi, procedurat dhe veprimtaria e bibliotekave të Kosovës rregullohet sipas ligjit për Bibliotekat e Kosovës.
Origjina e Biblioteka Kombëtare Universitare e Kosovës vjen nga krijimi i Bibliotekës Rajonale më 1944 në Prizren (1944-1963) dhe më vonë funksionoi si Biblioteka Provinciale (1963-1970). Me themelimin e Universitetit të Kosovës në 1970 kjo bibliotekë mori rolin dhe funksionoi si Biblioteka Kombëtare Universitare e Kosovës . Ndërtimi i kësaj biblioteke në Prishtinë filloi në 1974 dhe libraria u inaugurua në 25 nëntor 1982.