21 Prill 2025

Një dekadë pas votimit unanim në Kuvend të ligjit për dekriminalizimin e politikës, dy forcat kryesore në zgjedhjet e 11 majit, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, kandidojnë në lista të mbyllura dhe të hapura një duzinë personash që po hetohet aktualisht nga Prokuroria e Posaçme, SPAK.

Pavarësisht se korrupsioni është një nga problemet madhore të Shqipërisë dhe politika po shkon drejt zgjedhjeve me premtime për luftë kundër fenomenit, në listat e kandidatëve për deputetë gjen persona që po hetohen apo gjykohen për vepra penale të korrupsionit, shpërdorimit të detyrës, pastrimit të parave apo dyshime të tjera të ngjashme.

Në listën e Tiranës, Partia Socialiste kandidon ish-ministren e Jashtme, Olta Xhaçka, aktualisht nën hetim për “shpërdorim detyre”, kryetaren e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, e cila po hetohet për pengim të drejtësisë si dhe deputetin Plarent Ndreca, aktualisht në gjykim për veprën e “shkeljes së barazisë në tendera”.

SPAK po kryen gjithashtu hetime ndaj kandidatit të PS në Fier, ish-drejtorit të Tatimeve, Ceno Klosi si dhe ministrit aktual të Mbrojtjes, kandidat në listën e Vlorës, Pirro Vëngu, pas kallëzimeve të depozituara nga Partia Demokratike.

Madje, Partia Demokratike ka përfshirë në listë edhe ish-gjyqtarë që u larguan me dorëheqje apo u shkarkuan nga procesi i vetingut si Gjin Gjoni në Lezhë dhe Arian Ndoja në Durrës.

Edhe pse kandidimet e mësipërme nuk bien ndesh me ligjin, për analistët dhe studiuesit e politikës tregojnë qartazi sfidën që dy forcat e mëdha politike po i bëjnë drejtësisë si dhe i krizën e vlerave dhe standardeve të demokracisë shqiptare.

“Kjo na çon te problemi i madh klasik i demokracisë shqiptare, tek fakti që kemi një elektorat që nuk funksionon me standarde morale politike të larta dhe që nuk e ka problem t’i votojë këta njerëz, pavarësisht se e di që mund të jenë të hetuar nga SPAK-u apo me probleme me drejtësinë,” thotë Ermal Hasimja, analist dhe studiues i Shkencave Politike.

“Dhe ky është problemi themelor i demokracisë në Shqipëri,” shtoi ai./ Reporter.al