BIRN: – Porti i Vlorës, Rama thotë se falja e truallit për 1 euro ‘nuk është sakrilegj’
24 Nentor 2023
Kryeministri Edi Rama mbrojti vendimin për dhënien me qira simbolike 1 euro të 57 mijë metrave katrorë tokë shtetërore në Portin e Vlorës, si një stimulim për turizmin dhe e justifikoi përfitimin publik me faktin se në port do të ankorohen jahte që do nxisin zhvillimin e turizmit.
“Nuk është një sakrilegj, sepse llogaria është shumë e thjeshtë,” tha Rama në përgjigje të pyetjes së BIRN për përfitimet që kishte publiku nga kjo vendimarrje, duke shtuar se përfitimi nuk duhet të shihet vetëm në mënyrë të drejtpërdrejtë.
“Portet turistike në vetvete janë investime të mëdha dhe nuk janë investime që sjellin një fitim të arsyeshëm, nëse nuk kanë kompleksin e mikpritjes aty ose rezidencial,” shtoi ai.
Në këtë rast, sipas Ramës, shteti ka dy rrugë; ose do t’i ndërtojë vetë ose do t’ia kërkojë kompanive private.
Ai u përpoq të bënte krahasime me vende të tjera si Turqia apo Mali i Zi në modelin e ndjekur për nxitjen e investimeve të tilla, duke thënë se “në vende të tjera, shteti jep financim”.
“Jo vetëm që nuk kërkon gjë, jo vetëm i jep terrenin e i heq taksat, por i jep financim direkt,” theksoi ai.
Në mars të vitit 2021, qeveria e kryeministrit Edi Rama vendosi që ta jepte portin ekzistues me koncesion dhe sipërfaqen e truallit prej 57 mijë metrash katrorë me qira simbolike prej 1 Euro për ndërtimin e një marine turistike dhe një kompeksi luksoz rezidencial të quajtur “Vlora Marina”.
Projekti “Vlora Marina” është një sipërmarrje e përbashkët e biznesmenëve Geront Çela dhe Samir Mane përmes kompanisë së tyre “Marina Residences Vlorë”, e cila zotërohet në 90% të aksioneve nga Çela dhe 10% nga grupi “Balfin” i Manes.
“Marina Residences Vlorë” synon që të ndërtojë rreth 663 apartamente dhe dy hotele mbi një truallin shtetëror prej 57 mijë metrash katrorë dhe planifikon të arkëtojë dhjetramilionë euro nga shitja e apartamenteve në dhjetë vitet e ardhshme.
Duke mbrojtur projektin që parashikon ndërtimin e një porti jahtesh, kryeministri tha se sipas studimeve të bëra jahtet sjellin zhvillim. “400 jahte sjellin një vlerë në ekonomi për vendin, të barabartë me 40 mijë turistikë që janë kategori e turizmit masiv,” tha ai.
Porti i Vlorës ka qenë pjesë e pandashme e qytetit dhe të paktën prej shekullit XVIII konsiderohej si limani i dytë më i rëndësishëm i Shqipërisë së jugut, para se qeveria të vendoste shpërnguljen e tij në zonën e Triportit, rreth 5 kilometra në veri të Gjirit të Vlorës.
Gazeta Shqiptare