BIRN: – Prokuroria e Elbasanit bëhet palë dhe mbron kërkesat e Rusisë për ekstradimin e Svetlana Timofeeva
18 Mars 2023
Pavarësisht se ka një çështje në hetim ndaj saj në Shqipëri prokuroria e Elbasanit i kërkon gjykatës të procedojë me ekstradimin në Rusi të blogeres Svetlana Timofeeva. Në parashtrimet e depozituara me shkrim në gjykatë nga prokurori Mustafa Turku, që u lexuan në seancën e 17 marsit, prokuroria mbron kërkesën e Rusisë për ta ekstraduar Timofeevën, të cilën Moska e akuzon për “marrje të paligjshme të informacionit sekret shtetëror”.
“Në rastin konkret kërkesa për ekstradimin në Rusi të shtetases Timofeeva është në puthje në aspektin formal dhe substancial dhe me kriteret dhe rregullat e përcaktuara në marrëveshjet ndërkombëtare”, thuhet në kërkesën e prokurorisë të cilën BIRN e ka.
Njëlloj si Ministria e Drejtësisë edhe prokuroria e bazon kërkesën te garancitë e marra nga homologët rusë. “Prokuroria e Përgjithshme e Federatës Ruse garanton se kërkesa e ekstradimit nuk ka për qëllim përndjekjen e personit për arsye politike, për shkak të racës, fesë, kombësisë ose pikëpamjeve politike”, thuhet në kërkesën për ekstradim.
Në të po ashtu pretendohet se Timofeevës do i jepet mundësitë për mbrojtje dhe se nuk do i nënshtrohet torturës. Prokuroria thotë se po ashtu kishte marrë garanci se ambasada e Shqipërisë në Rusi do mund ta vizitonte Timofeevën në rast ekstradimi dhe se çështjet që lindnin mund të diskutoheshin në video konferenca.
Në kërkesë nuk vihet në dukje se si ekstradimi në Rusi do të ndikonte apo jo në çështjen në hetim në Shqipëri, për të cilën prokuroria e Elbasanit mban prej 8 muajsh në qeli Timofeevën dhe dy persona të tjerë. “Nga ana jonë vlerësohet se duhet të merret në shqyrtim nga gjykata kërkesa jonë për ekstradimin e shtetases Timofeeva S.V. pasi si kërkesë është në përputhje me Konventën Europiane mbi Ekstradimin”, shprehet prokuroria.
Mbrojtësit e Timofeevës Isuf Shehu dhe Fatmir Lushi dhe vetë 33-vjeçarja, e cila përballet edhe në Shqipëri me akuza të ngjashme për të cilat është ende në hetim, e kundërshtuan ekstradimin. Në parashtrime Shehu thotë se prokuroria nuk mund të mjaftohet me garancitë nga Rusia, por duhet të mbledhë prova se “kjo garanci zbatohet”. Duke paraqitur një listë me raporte nga organizata ndërkombëtare dhe qëndrime të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut Shehu shprehet në mbrojtje se garancitë e dhëna “nuk respektohen” nga Rusia.
Në parashtrime ata këmbëngulin se Timofeeva, e cila ka kërkuar azil politik në Shqipëri, rrezikon të persekutohet politikisht në Rusi. Avokatët i mëshojnë faktit që e mbrojtura prej tyre ka kundërshtuar luftën në Ukrainë dhe regjimin e Putinit.
BIRN mësoi se Timofeeva po ashtu e kundërshtoi ekstradimin. Ajo i tha gjykatës se familja e saj ishte nën presion në Rusi dhe se blogerë të tjerë ishin përballur me akuza të ngjashme.
Svetlana Timofeeva 33 vjeç u arrestua më 20 gusht së bashku me Mikahil Zorin, 23 vjeç dhe ukrainasin Fedir Alpatov, 24 vjeç, pas një incidenti të ndodhur brenda rrethimit të ish-uzinës së armëve në Gramsh.Zorin kundërshtoi dy ushtarakët që tentuan ta ndalonin dhe përdori spray me piper kundër tyre.
Tre të arrestuarit njihen si blogerë dhe janë pjesë e një subkulture të quajtur “Urban Explorer” apo “Urbex”; të apasionuar për të vizituar dhe fotografuar godina të braktisura, përfshi objekte ushtarake të “Luftës së Ftohtë”.
Megjithatë, prokuroria shqiptare i akuzon ata për spiunazh dhe pretendon se treshja kishte ardhur në Shqipëri për të mbledhur informata ushtarake dhe strategjike të sigurisë kombëtare – dyshime të pranuara deri më tani nga gjykatat që zgjatën masën e sigurimit ndaj tyre.
Për çështjen e ekstradimit Gjykata e Elbasanit do të dëgjojë konkluzionet përfundimtare në 4 prill në orën 14.30./BIRN
Nga Gazeta Sot