BIRN: Si e mori Pëllumb Gjoka statusin e investitorit strategjik nga qeveria e Edi Ramës
5 Maji 2024
Nga Edmond Hoxhaj, BIRN
SPAK ka përfunduar hetimet ndaj biznesmenit Pëllumb Gjoka, i akuzuar për vrasje dhe grup të strukturuar kriminal, si dhe ndaj bashkëpunëtorëve në polici dhe prokurori, ndërsa i kërkon gjykatës kalimin e çështjes për gjykim.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, njoftoi të shtunën më 4 maj përfundimin e hetimeve ndaj biznesmenit Pëllumb Gjoka, i akuzuar për vrasje dhe grup të strukturuar, si dhe të bashkëpunëtorëve të tij, mes tyre një prokuror dhe dy funksionarë policie. SPAK ka dërguar për gjykim çështjen ndaj shtatë të pandehurve, duke bashkëngjitur edhe të dhënat për pasuritë e sekuestruara, të dyshuara si produkt i veprës penale.
Pëllumb Gjoka, 49 vjeç, u arrestua në korrik 2023 si anëtar i dyshuar i një organizate kriminale që kishte kryer ndër të tjera vrasje dhe pengmarrje. Ai është pronar i kompanisë “Imperial Group”, me aktivitet në fushën e investimeve në turizëm dhe në lojërat e fatit krahas bizneseve të tjera.
Në vitin 2021, qeveria shqiptare i dha kësaj kompanie statusin e investitorit strategjik për projektin Silver Sand Resort, një projekt masiv që duhet të shtrihet në një sipërfaqe prej 113 mijë metra katrorë për ndërtimin e pallateve, vilave dhe hoteleve. Sipas dokumenteve të publikuara, vlera e planifikuar e investimit ishte 52 milionë euro, nga të cilat, një pjesë do të financohej nga shitja gjatë ndërtimit të apartamenteve dhe vilave.
Hetimi ndaj Gjokës filloi pas mbërritjes së një dosjeje nga Franca. Ndaj tij dhe anëtarëve të tjerë të grupit ka nëntë lloj akuzash për vepra penale, mes të cilave vrasje, korrupsion aktiv e pastrim parash, të kryera në kuadër të grupit të struktuar kriminal. Ndërsa zyrtarët e arrestuar si pjesë e organizatës akuzohen për korrupsion, zbulim të akteve apo të dhënave sekrete, si dhe për sigurimin e kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje.
Veç Gjokës, për gjykim janë dërguar edhe të pandehurit Behar Brajoviq; Edmond Preka; Astmer Bilali; dy zyrtarët e policies, Ardit Hasanbegaj dhe Oltian Bistri, ky i fundit me funksion si shef i Drejtorisë së Forcës Operacionale; si dhe prokurori Xhevahir Lita.
Prokuroria thotë së i ka bashkëngjitur akteve të dërguara për gjykim edhe të dhënat e pasurive të sekuestruara në cilësinë e produktit të veprës penale. SPAK ka sekuestruar 390 mijë m2 pyll e ndodhur në Pulaj-Plazh të Velipojës në Shkodër dhe pesë pasuri të paluajtshme të blera për vlerën 980 mijë euro.
Prokuroria e Posaçme njofton se është ndarë çështja për për personat e tjerë nën hetim për të cilët nuk janë ekzekutuar ende masat e sigurimit të miratuara nga gjykata, si dhe për persona të tjerë të përfshirë në këto aktivitete kriminale.
Nga Alfapress