Bishti i flokëve dhe sfida e barbarisë. –
Bishti i flokëve dhe sfida e barbarisë. –
Një kokë e rruar malësori me një tufë flokësh pushpuritur prapa, kohë më parë e kisha pikasur në vizatimet dhe tablotë e orientalistëve të huaj për Shqipërinë dhe në përshtypjet e udhëtarëve të huaj në vendin e Shqipeve gjatë shekullit XVIII-XIX. Dhe gjithnjë pyesja veten se përse ajo tufë flokësh lihej ashtu e vetmuar, majë kokës.
Përse vallë një zakon i tillë te shqiptarët, ndryshe nga popujt e tjerë? Dhe jo shumë kohë më pas, duke iu rikthyer librit me kujtime të konsullit francez në Shkodër, Alexandre Degrand, në vitet 1893-1899, (“Kujtime nga Shqipëria e Epërme” – “Souvenirs de la Haute Albanie”) gjeta shpjegimin e kësaj pyetje të çuditshme.
Edhe ai i kishte pikëtakuar këta malësorë në pazarin e Shkodrës, apo kur kishte udhëtuar me ta në fshatrat e Hotit, Drishtit, Shurdhahut, Shllakut apo në malin e Mnellës për të shkuar në Mirditën e habitshme dhe të humbur si një tokë e largët kristiane; edhe ai kishte bërë të njëjtën pyetje. Papritmas konsulli kishte zbuluar këtë zakon dhe domethënien mitologjike të asaj tufe flokësh në kokën e malësorit shqiptar.
“Në kohën kur praktikohej ajo që të mundurve u pritej koka, tek muslimanët shqiptarë dhe më pak te katolikët, ishte zakoni për ruajtur kokën dhe për të lenë veçmas një tufë të gjatë flokësh majë kokës. Dhe kjo bëhej që të ishte e mundur që koka e prerë të kapej dhe lëvizej lehtë, pa i futur gishtat në gojë… Madje fëmijëve u bëheshin tatuazhe që të mund t’i njihnin”. E habitshme këto koka fëmijësh me tatuazhe emrash, apo shenjash pagane që të afërmit të mund t’i njihnin një ditë kokat e tyre të prera.
Është pra fjala për kokën e prerë, diçka që vjen nga mugëtirat e kohës, pasi antikiteti është i mbushur me përjetime të tilla që me Dhjatën e Vjetër, koka të prera, të pikturuara nga një rradhë gjenish të artit, nga Davidi që prët kokën e Goliatit, apo mermeret e Meduzës me kokën e prerë te tabloja e Botiçelit, me kokën e ndëshkuesit të tmerrshëm të hebrenjve të persekutuar, Holofernë-s, sipas “Librit të Juditës” në “Testamentin e Vjetër”, apo në veprat e artistëve të tjerë të mëdhenj, nga Mikelanxhelo e Cranach, te Gericault, e shumë të tjerë.