“Bixhozi me kaskadën” na solli te kufizimet e energjisë elektrike. – Tenderi i fundit per shitje Energjie ne fund te janarit 2022
“Bixhozi me kaskadën” na solli te kufizimet e energjisë elektrike. – Tenderi i fundit per shitje Energjie ne fund te janarit 2022
21.03.2022
KESH në faqen zyrtare ka të publikuara 5 tendera për shitje të energjisë, dhe sipas publikimeve rezulton që shitja më e fundit të jetë bërë në fund të janarit, kur edhe është kapur një çmim mbi 338 euro për megavatorë. Rekordi i çmimit në shitje ishte kapur një muaj më parë: plot 450 euro për megavat
Tashmë kufizimet e furnizimit me energji elektrike janë një realitet. Ata u zyrtarizuan të dielën me njoftimin për heqjen e ndriçimit në akset rrugore gjatë natës si edhe për kufizimet në ndërtesat shtetërore. Si erdhëm deri këtu?
“Qeveria ka luajtur si një bixhozçi kur ndjen erën e parasë, por ky mars plotësisht i thatë e nxori atë zbuluar”. Pasojat priten të jenë të rënda, në kushtet niveli i Liqenit të Fierzës po ecën poshtë 260 metrave mbi nivelin e detit. Rrënimi i rezervës hidrike, në mënyrë të veçantë shterja e rezervës ujore në Fierzë, sot rezulton të ketë qenë një përllogaritje plotësisht e gabuar. “E shoh të ardhmen e afërt shumë të vështirë, kufizimet do të shtohen dhe qeverisë do ti duhet të ndalojë investimet publike, thotë ish drejtori i KESH, Gjergji Bojaxhi. Për mua ata kanë luajtur një bixhoz të frikshëm. Në vend që të importonin e pakta 100 magavat energji në bandë përgjatë gjithë kohës, ata kanë zgjedhur të shesin dhe të importojnë shumë pak. Tashmë jemi përballë një situatë të rëndë që nuk di se si do të mund të menaxhohet. Sado reshje që të ketë tashmë ata nuk e kopmpensojnë më atë që është harxhuar”, thotë zoti Bojaxhi.
Rritja e eksporteve, a ndikoi energjia?
Rrirja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare është parë si një mundësi për të arkëtuar sa më shumë dhe sa më shpejt nga kaskada e Drinit. Sipas të dhënave zyrare të INSTAT rezulton që “Eksportet për dy muajt e parë të vitit 2022 arritën në 72.3 miliardë lekë, me një rritje të ndjeshme prej 49% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rritja është ndikuar nga mëse dyfishimi i shitjeve të grupit “Minerale, lëndë djegëse, energji”, që u zgjeruan me 131%, në 19 miliardë lekë. Ky grup kaloi sërish në të dytin më të madh në vend, me 26% të totalit”. Është e vështirë të gjesh se sa peshë ka specifikisht energjia elektrike në këtë rritje, sepse raportimi i mallit më të vlefshëm për momentin nga institucionet tona bëhet së bashku me naftën, në një kohë që mallra me shumë pak rëndësi jepen të detajuara. Por ky është një problem tjetër.
Për të krijuar një pamje sado të përafërt vlen të shohim shifrat zyrtare të eksporteve dhe importeve të mineraleve naftës dhe energjisë elektrike të detajuara sipas muajve. Eksportet në janar dhe shkurt kanë një rritje pazakontë, ndërkohë importet kanë shkuar në kah të kundërt. Këto tendenca bëjnë të kuptosh se këtu nuk është vetëm efekti i rritjes së çmimeve, pasi nëse do të kishte qenë kështu do të rriteshin më të njëtin trend edhe importet.
Por nuk ka ndodhur kështu, importet në dy muajt e parë të vitit kanë rënie drastike, ndërsa në terma mujore eksportet në krahasim me muajin gusht 2021 janë dyfishuar. Kjo është e kuptueshme dhe e
natyrshme të ketë ndodhur pas një viti 2021, që me plot gojën mund të quhet një vit i ndritshëm për sektorin e energjisë elektrike. Por këtë do ta shohim pak më pas. Pra shifrat sugjerojnë se në janar dhe shkurt shitjet e energjisë kanë qenë të larta.
EKSPORTI DHE IMPORTI I MINERALEVE, LËNDËVE DJEGËSE DHE ENERGJISË ELEKTRIKE.
(në milionë lekë)
Muaji Eksportet Importet
Gusht 2021 4,387.64 7,883.03
Shtator 2021 6,211.76 11,729.87
Tetor 2021 5,622.91 11,351.67
Nëntor 2021 6,608.08 17,154.36
Dhjetor 2021 6,123.24 18,090.18
Janar 2022 9,367.26 8,216.93
Shkurt 2022 9.662.78 9.857.47
Burimi: INSTAT, BSH
Shitjet, deri 450 euro për megavat
Në fakt zyrtarisht shifrat totale të shitjes së energjisë në muajt e fundit nuk gjenden të raportuara. Ndërkohë KESH në faqen zyrtare ka të publikuara 5 tendera për shitje të energjisë, dhe sipas publikimeve rezulton që shitja më e fundit të jetë bërë në fund të janarit, kur edhe është kapur një çmim mbi 338 euro për megavatorë. Rekordi i çmimit në shitje ishte kapur një muaj më parë: plot 450 euro për megavat.
KESH SHITJET E ENERGJISË ELEKTRIKE
Tenderi SasiaMwh Çmimi euro/mwh Vlera euro
6-10 dhjetor 2021 3.00012.000 221230.15 663.0002.761.800
8-10 dhjetor 2021 1.440 153 220.320
13-14 dhjetor 2021 1.740 146.33 254.614
21-24 dhjetor 2021 240 450 108.000
25-27 janar 2022 840 338.57 284.398
Burimi: KESH
Bixhozi me kaskadën e Drinit, e sidomos me nivelin e Fierzës erdhi pas një viti të rrallë në sektorin tonë energjetik. Hyrja në punë e veprave hidrike, investime të njohura private, bëri që gjatë vitit 2021 prodhimi i energjisë elektrike në Shqipëri ta kapte shifrën 8.96 miliardë kwh, me një rritje prej 70% në krahasim me vitin e mëparshëm. Sipas të dhënave të INSTAT, 2021 ishte një nga të paktat vite me bilanc pozitiv në shkëmbimet ndërkufitare të elektricitetit. Eksportet e energjisë elektrike ishin rreth 550 milionë kwh më të larta se sa importet.
Më të hollësishme shifrat i gjejmë në bilancin e publikuar nga Enti Rregullator i Energjisë, sipas të cilit rezulton se për herë të parë në histori, në sistemin energjetik të vendit tonë kanë qarkulluar më shumë se 10 miliardë kilovatorë energji elektrike, ku gjysma e kësaj sasie përbëhet nga importet dhe prodhimi i privatëve dhe gjysma tjetër e prodhuar nga KESH.
BILANCI I ENERGJISË ELEKTRIKE 2021
(në milion kilovatorë)
Energjia Totale në Dhënie 10,456,777
Prodhimi nga KESH 5,343,974
Eksporti (-) 2,800,443
Importi (+) 2,252,548
Balanca eksport-import +547,896
Burimi: ERE
Deri ku do mbërrijnë kufizimet?
Tashmë është bërë e qartë se euforia e 2021 dhe bixhozi i luajtur me rezervën hidrike të vendit na ka vënë në një situatë shumë delikate. Tani mbetet vetëm të rrimë me sytë nga qielli për shiun e shumëpritur? Ndërkohë që biznesi i cili plot një muaj më parë kërkonte ndërhyrje nga qeveria në administrimin e rezervës energjetike, nuk nguron të përcaktojë fajtorët për situatën aktuale. Një ditë më parë Konfindustria Shqiptare në një njoftim të saj shprehej se “Kriza e energjisë është pasojë e keqmenaxhimit të plotë të rezervave të KESH gjatë vitit 2021 me shenja të dukshme korrupsioni, spekullimeve tregtare të shitje-blerjes së energjisë, mosvënies në punë prej vitesh të Bursës së Energjisë APEX dhe vonesave në zbatim të projekteve energjitike të ripërtëritshme”.
Pyetja e vetme që na mbetet tani të bëjmë është: Deri ku do të shkojnë kufizimet? /abcnews.al
Nga Gazeta Shekulli