Bllokada franceze: – Ja ç’ndodhi sot dhe skenari i shpresës së fundit

15.10.19

Nga: mapo.al

Franca bllokoi të martën një përpjekje të Bashkimit Europian për të miratuar nisjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, raporton agjencia Bloomberg.

Takimi i ministrave të Jashtëm të BE përfundoi pa asnjë rezultat. Franca bllokoi planet që dy vendeve t’u jepet një datë për nisjen e bisedimeve vitin që vjen.

Parisi kishte mbështetjen e Holandës gjatë përpjekjeve për të bllokuar nisjen e negociatave, në veçanti me Shqipërinë.

Gjatë diskutimeve u shfaq një propozim i ri, që e ndante Shqipërinë nga Maqedonia e Veriut, e cila do të niste menjëherë negociatat. Por as ky propozim, që nisi të merrte mbështetje, nuk u pranua nga Franca.

Tashmë kjo çështje pritet të kalojë për diskutim në samitin e krerëve të shteteve dhe qeverive, të enjten dhe të premten. Mirëpo ky samit do jetë tejet i ngarkuar për shkak të diskutimeve për Brexit dhe çështjen e sulmeve turke në Siri.

Shpresat e Shqipërisë janë në fije të perit. Franca ka vendosur veton, dhe vetëm nëse presidenti francez, Emmanuel Macron ndryshon mendje në minutat e fundit, gjërat mund të marrin për mirë.

Një diplomat tha për AFP se të gjitha opsionet mbeten të hapura deri në fund.

Po derisa të vijë momenti final, një përfaqësues i qeverisë gjermane tha se kancelarja Angela Merkel do e trajtojë me Macron këtë temë të mërkurën në Këshillin e Ministrave franko-gjerman.

Gjermania po lobon deri në fund që Shqipëria të marrë një sinjal pozitiv, që nënkupton nisje të negociatave me kushte.

Beteja franko-gjermane ndjehej përgjatë kësaj kohe dhe pritet të vazhdojë edhe më tej, pasi në lojë janë çështje edhe më të mëdha se nisja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.