– Bluzat e bardha po braktisin Shqipërinë. –  Ogerta Manastirliu, fajësoi Partinë Demokratike

– 05/05/22

Një raport i fundit ka detajuar se si mijëra punonjës shëndetësorë ikën në Gjermani në vitin 2020, ndërsa kryeministri Edi Rama ka hedhur poshtë shqetësimet për humbjen e punëtorëve të kualifikuar në sektorët kyç, siç është shëndetësia.

Fondacioni i Trajnimeve Evropiane publikoi një raport javën e kaluar duke detajuar eksodin masiv të punëtorëve të kualifikuar, ku përfshihej një numër i madh të rinjsh. Situata është bërë veçanërisht shqetësuese për mjekët dhe infermierët dhe përfshin gjithashtu psikoterapistë, dentistë dhe farmacistë, profesione të kërkuara, në Shqipëri.

Shqipëria ka numrin më të ulët të mjekëve dhe infermierëve për frymë në Evropë, tregojnë të dhënat e vitit 2020. Në vitin 2019, 18% e personelit mjekësor të kualifikuar punonte jashtë vendit, nga të cilët 765 mjekë shqiptarë punonin në Gjermani – një rritje prej 21% nga një vit më parë. Më shumë besohet se janë larguar që nga ajo kohë, pasi numri i emigrantëve nga Shqipëria ishte 42,000 për vitin 2021.

Kjo mungesë u ndje në mënyrë akute gjatë pandemisë COVID-19, teksa spitalet nëpër rrethe nuk ishin në gjendje të përballonin situatën.  Organizata Botërore e Shëndetësisë ka vënë në dukje gjithashtu se Shqipëria ka një nga normat më të ulëta të mjekëve për banorë, në nivel global.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, fajësoi Partinë Demokratike të opozitës, duke deklaruar se nën qeverisjen e Partisë Socialiste për katër vite nga viti 2013, vendi nuk mund të prodhonte mjekë specialistë. Që nga viti 2018, janë 309 mjekë të tjerë në sistem dhe janë punësuar mbi 600 mjekë dhe 2400 infermierë, pretendoi ajo.

Ndërkohë, një raport i “Together for Life” për vitin 2021 detajonte mungesën e personelit mjekësor në vend. “Për sa i përket disponueshmërisë së burimeve njerëzore në sektorin e shëndetësisë në Shqipëri, shqetësimi kryesor është mungesa e mjekëve, përfshirë mjekë të përgjithshëm/mjekë familjarë dhe specialistë. Aktualisht ka një hendek prej rreth 330 mjekë të përgjithshëm dhe 250 mjekë specialistë”, thuhet në raport.

Mungesa e mjekëve dhe infermierëve në sistemin shqiptar u ngrit si shqetësim edhe në një raport të OSBE-së për vitin 2021. “Shqipëria ka 12 mjekë për 10,000 banorë, që përfaqëson numrin më të ulët në Evropë… Janë raportuar mungesa të konsiderueshme të burimeve njerëzore në spitale. sidomos në zonat rurale, për shkak të migrimit të mjekëve të përgjithshëm dhe specialistëve”, thuhet në raport.

Situata është veçanërisht shqetësuese pasi, gjatë dekadës së ardhshme, rastet e sëmundjeve jo të transmetueshme si kanceri dhe diabeti, pritet të rriten për shkak të ndikimit të pandemisë COVID-19 në diagnoza të ndryshme, apo edhe mbi plakjen e popullsisë së vendit.

Gazeta Mapo