Boll Hashim me intervista, Ramush Haradinaj ka të drejtë!

nga: Artur Zheji

Ramushi, për fat Kryeministër i Kosovës në këto kohë të vështira, nuk është as “kosovar”, as myslyman e as i krishterë, as malësor e as fusharak, as nga Puka si origjinë e as nga Deçani si vendlindje, por, si edhe e nënvizon herë pas here, ai është para së gjithash: Shqiptar.

Dhe dukshëm një shqiptar i mirë, që paralajmëron të veshë “çizmet” nëse duhet, që ka përballuar disa herë Hagën, apo arrestimet e pabesa, por pa u thyer.

Në këtë periudhë, ku skenarët gjeopolitikë, nuk dihet se ku gatuhen dhe nuk dihet ende se sa të helmuar janë, qënia e tij kryeministër i Kosovës, është e vetmja garanci e mirëfilltë gjeopolitike, që shqiptarët kanë sot, në Prishtinë dhe në Tiranë.

Dikush që e do, i thërret “Rambo”, dikush tjetër që nuk e do, sja pëlqen të folmen prej malsori, me fjalë të prera dhe me muzikalitet të ashpër dhe me kënde të palatuara të frazës, porse, sot, në Tiranë apo Prishtinë, duhen burra që ruajnë themelet, dhe ai, Ramushi, këtë di ta bëjë më së miri dhe më qartësisht se askush.

Sepse sot ka rëndësi e vërteta e ardhmërisë së Kosovës, që janë thelbësore edhe për Shqipërinë gjeografike edhe për Tiranën zyrtare, që ka ngecur në llucën e paqartësisë dhe të amatorizmit politik e gjeopolitik mbi të gjitha.

Hashim Thaçi sot, është një orator, ndoshta më fjalëbukur se Ramushi, por priret, nga intervista në intervistë, të thotë gjithmonë e më pak, se çfarë mendon në të vërtetë. Atëhere përse intervsitohet kaq shpesh?

Për të thënë apo për të mosthënë?

Për të na mbushur mendjen se është i logjikshëm, për të na bindur se humbësi i madh i Luftës së Kosovës, 1998-99, Serbia, ka të drejtë ti vendosë kushte Fitimtarëve?

Nuk kam guxuar të mendoj mbrapsht për Hashim Thaçin, dhe personalisht vijoj ta ruaj në etiketime Presidentin e Kosovës, por duhet thënë se sot për sot, Ramush Haradinaj, është garancia e shqipëtarëve dhe e amerikanëve, në të dy anët e kufirit Kosovë – Shqipëri.

Tanimë, të mirat dhe të këqiat që mund të ndodhin në njerën prej “Shqipërive”, janë të lidhura pazgjidhshmërisht dhe moskultura gjeopolitike e kryeministrit të Tiranës, nuk mbushet dot, me dijenitë e gjera të Baton Haxhiut në darka me verë e biseda, sepse lypsen akte politike.

Të cilat akte, qëndrueshmëria dhe qartësia e Ramushit, i ka nxjerrë krejtësisht në dritën e Diellit, thjeshtë, shumë qartë e kuptueshëm dhe me përgjegjësi historike.

Sepse Fitimtarët e Luftës në tokën e përgjakur të Kosovës, nuk mund të shndërrohen në humbësit me kostum shik e papjon, në tryezat prej druri të shtrenjtë are të bisedimeve, me kushte e diktat.

Gjermania humbi në luftën e dytë botërore 30-40% të territoreve të Gjermanisë së para luftës, të banuara 90% me gjermanë etnikë dhe kurrë ska ngritur pretendime pas 74 vite lufte. Serbia, mbush 20 vite që ka humbur edhe Luftën e Kosovës, etnikisht dhe historikisht 90% e banuar nga shqiptarë dhe sot, ja mbrrin të kërcënojë me mosnjohje të Kosovës. Ekuacioni është ndryshe, Serbia është e detyruar të njohë Kosovën, që të hyjë në Bashkimin Europian, përse duhet t’ja lejojnë shqiptarët këtë gjë?

Në emër të kujt interesi?!

Le të mos e njohë kurrë Kosovën dhe le të mbetet jashtë BE-së, nëse vijon të jetë arrogante dhe kokëfortë! Punë për të! Shqiptarët ja kanë dhënë dorë për së tepërmi dhe mjaft herë.

Prandaj dhe është e rëndësishme që Ramushi të qëndrojë dhe bota intelektuale mbarëshqiptare, e ka mision ta mbështesë, si qëndrestar gjeopolitik dhe përtej politikave lokale të intersave të vogla, në të dy anët e kufirit Kosovë-Shqipëri.

/360grade.al/