6 Nentor 2023

Rreth 450 objektiva u goditën në të gjithë Rripin e Gazës mbrëmjen e djeshme (5 nëntor), ku fokus ishte veriperëndimi dhe jugperëndimi i zonës ku Izraeli po zgjeron operacionin e tij tokësor.

Sulmet ajrore, sipas drejtorit të spitalit Al Shifa në qytetin e Gazës ka deklaruar për BBC se rreth 200 njerëz u vranë në ato sulme gjatë natës, si dhe pritet që numri i viktimave të rritet përsëri.

Ndër të tjera ai deklaroi se në qytetin e Gazës njerëzit mbanin trupa të pajetë me gomarë dhe në makinat e tyre sepse komunikimi ishte ndërprerë dhe ata nuk mund të arrinin shërbimet e ambulancës.

Sulmi i mbrëmshëm konsiderohet si më i madhi në Gaza që nga fillimi i kësaj lufte. Shpërthime të mëdha janë dëgjuar në të gjithë Gazën veriore.

Për shkak të bombardimeve lidhja e internetit dhe ajo telefonike u ndërpre gjatë natës, por tashmë po rikthehet, raporton BBC.

Nga ana tjetër, ushtria izraelite thotë se trupat kanë arritur në vijën bregdetare në jug të qytetit të Gazës, duke e ndarë në mënyrë efektive Rripin në dysh. Ndërkohë, që të gjitha agjencitë kryesore të OKB-së kanë thënë “mjaft është mjaft”  teksa përsërisin thirrjet për një armëpushim humanitar.

Gazeta Panorama