Bombardohet kryeqyteti i Jemenit, ushtria izraelite ofensivë ndaj rebelëve Huthi
19 Dhjetor 2024
Ushtria izraelite i ka bombarduar kryeqytetin e Jemenit dhe një qytet port të enjten në mëngjes, duke i vrarë të paktën nëntë njerëz, thanë zyrtarët.
Paraprakisht, rebelët Huthi e kishin sulmuar Izraelin me raketa.
Sulmet e së enjtes rrezikojnë përshkallëzimin e konfliktit me rebelët e mbështetur nga Irani, sulmet e të cilëve në korridorin e Detit të Kuq kanë ndikuar ndjeshëm në transportin global.
Kanali satelitor al-Masirah, i kontrolluar nga rebelët Huthi, raportoi se disa nga sulmet kishin si objektiv stacionet e energjisë në kryeqytet, si dhe terminalin e naftës Ras Isa në Detin e Kuq. Kanali, duke cituar e korrespondentin e tij në qytetin port Hodeida, raportoi se të paktën shtatë njerëz u vranë në portin e afërt të Salifit, ndërsa dy të tjerë u vrarë në terminalin e naftës Ras Isa.
Gjithashtu u raportua për të plagosur në portin e Hodeidas.
Ushtria izraelite nuk dha hollësi për objektivat e goditura dhe as për dëmet e shkaktuara nga bombardimet e saj
“Objektivat e goditura nga [forcat ushtarake izraelite] përdoreshin nga forcat e Huthit për qëllime ushtarake”, tha ushtria izraelite në një komunikatë.
“Sulmet dëmtojnë regjimin terrorist të Huthit, duke parandaluar që ai të shfrytëzojë objektivat për qëllime ushtarake dhe terroriste, përfshirë kontrabandën e armëve iraniane në rajon”, tha ushtria izraelite.
Daniel Hagari, zëdhënës i ushtrisë izraelite, tha se sulmet goditën infrastrukturën energjetike dhe të portit, që ai pretendoi se rebelët “po e përdornin në mënyra që kontribuon efektivisht në veprimet e tyre ushtarake”.
“Izraeli nuk do të hezitojë të veprojë për t’i mbrojtur veten dhe qytetarët e tij nga sulmet e Huthit”, tha Hagari.