Borrell reagon për urdhërarrestin e lëshuar ndaj Putinit: Fillim i procesit të llogaridhënies! BE mbështet…
20 Mars 2023
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, tha se e mirëpret vendimin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për urdhërarrestin e lëshuar ndaj presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.
Borrell tha se kjo është nisje e kërkimit të përgjegjësisë për krimet e luftës dhe krimet e tjera më të rënda, të kryera nga agresioni rus në Ukrainë.
“BE-ja e sheh vendimin e Gjykatës si një fillim të procesit të llogaridhënies dhe mbajtjes së liderëve rusë përgjegjës për krimet dhe mizoritë që ata urdhërojnë, mundësojnë ose kryejnë në Ukrainë.
BE-ja shpreh gjithashtu mbështetjen e saj për hetimet nga Prokurori i Gjykatës Penale Ndërkombëtare në Ukrainë dhe bën thirrje për bashkëpunim të plotë nga të gjitha shtetet palë”, tha ai, në një komunikatë të publikuar nga Bashkimi Evropian.
Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) të premten ka lëshuar urdhërarrest për presidentin rus Vladimir Putin.
GJNP-ja pretendon se ai është përgjegjës për krimet e luftës, duke përfshirë dëbimin e paligjshëm të fëmijëve nga Ukraina në Rusi.
Sipas Gjykatës, krimet janë kryer në Ukrainë nga 24 shkurt 2022 – kur Rusia filloi pushtimin në shkallë të plotë.
Gazeta Panorama