Shefi i diplomacisë europiane, Josep Borrell Fontelles ka dhënë ditën e sotme një mesazh të drejtëpërdrejtë për Serbinë dhe politikën e saj të jashtme.

Ndryshe nga herët e shkuara, ku Borrell ia adresonte mesazhin vendeve kandidate në përgjithësi, këtë radhë, ai jo vetëm ka artikuluar qartë, se ky mesazh i drejtohet Serbisë, teksa  ka bërë të kuptohet, se vendi duhet të bëjë një zgjedhje, ose me regjimin e Putinit, ose ndërtimin e një të ardhme të përbashkët me BE-në. Kjo tregon, se vendet e BE-së janë tashmë të unifikuara në qëndrimin, se nuk mund të tolerohet, qe Serbia të mbështesë regjimin e Putinit me qëndrimin e saj.

“Serbia është një nga vendet që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe sa më shpejt që të mundet, duhet që sa më parë të përshpejtojë përpjekjet për rreshtimin me sanksionet europiane. Ne i kuptojmë vështirësitë. Ne e vlerësojmë shumë faktin që të gjithë votuan kundër Rusisë në asamblenë e përgjithshme të OKB-së. Por, ne presim që vendet kandidate për anëtarësim në BE të rreshtohen tërësisht me politikën e jashtme të BE-së”. është shprehur Borrell.

“Për mua ashtu si dhe shumë ministra të jashtëm është e qartë, se të mbash lidhje të ngushta me regjimin e Putinit nuk përputhet më me ndërtimin e një tê ardhme të përbashkët europiane. Të dyja gjërat njëkohësisht nuk përputhen me njëra tjetrën. Të qenit neutral sot në raport me luftën në Ukrainë është koncept fals. Një vend ka pushtuar tjetrin. Duke i vendosur të dyja vendet në të njëjtën nivel, kjo zbeh diferencën mes sulmuesit dhe të sulmuarit. Kjo nuk është e mundur”.

Ndër të tjera gjatë fjalës së tij Borrell ka shprehur edhe vlerësimin për mbështetjen e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, që janë rreshtuar 100% me politikën e jashtme të Bashkimit Europian dhe mund të ekspozohen ndaj një kërcënimi edhe më të ashpër nga Rusia.

“Duke na u bashkuar neve, kjo mund të ketë një kosto. Dhe në fakt, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut konsiderohen tashmë nga Rusia si vende jo mike” ka shpjeguar Borrell.

GAZETA SHQIP