Bosët e Urbanëve që lobuan për rritjen e çmimit, në pranga për falsifikim biletash

Gusht 28, 2019

Nga Boldnews.al

Tre vjet më parë, Ferdinand Ibrahimi dhe shoqata e drejtuar prej tij e Transportit Urban të Tiranës, iu bashkua nismës së Erion Veliajt për të rritur çmimin e biletave për udhëtarët kryeqytetas.

Sot, bosi i linjës urbane të Unazës, së bashku me drejtuesit e linjës së Tiranës së Re dhe të Porcelanit, përfunduan në pranga, pasi dyshohet se kanë falsifikuar bileta dhe abone, megjithëse çmimi u rrit sipas kërkesës së tyre.

Nën nxitjen e kryebashkiakut të Tiranës, Ibrahimi propozoi rritjen dyfish të biletës për një udhëtim, nga 30 lekë të reja në 70 lekë.

Ky propozim ndihmoi Veliajn që të prezantohej në publik si “mbrojtës i interesit qytetar”. Kryebashkiaku, nën reagimin e fortë qytetar, vuri “veton” e tij dhe vendosi se çmimi i biletës do të rritej vetëm me 10 lekë të reja, duke shkuar në 40.

Në këtë mënyrë, Erion Veliaj, i cili sapo kishte marrë detyrën e kryebashkiakun, synoi që të realizonte qëllimin e tij, për rritjen e çmimit, e konvertuar në rritje të ardhurash nga taksat e urbanëve. Nga ana tjetër, ai u prezantua si “mëshiruesi”, i cili mendon për xhepat e qytetarëve të thjeshtë të Tiranës, të cilët kanë autobusët urban si mjetin e vetëm të transportit.

Por, nga ai moment i “aleancës” së Veliajt me drejtuesit e linjave të autobusëve, duket se diçka nuk ka shkuar mirë. Shërbimi urban nuk ka përmirësime të dukshme dhe qytetarët, sidomos në periudhë të nxehtë, ankohen për cilësinë e ulët.

Përgjegjësia, natyrisht që kërkohet tek Veliaj, i cili dha premtimin publik se rritja e çmimit do të shndërrohej në rritje cilësie. Për cilësinë e lartë, ai vetë do të dilte garant.

Në fakt, garancia e Erion Veliajt për shërbimin jo vetëm që ra, por, për më tepër, drejtuesit e tij, “ish-aleatët” e rritjes së çmimit të biletës, tashmë janë në pranga, pasi dyshohet se janë përfshirë në skemë mashtrimi dhe falsifikimi.

Kush janë “bosët” e arrestuar
Ferdinand Ibrahimi, kryetar i Shoqatës së Shërbimit Urban është personazhi më publik në listën e të arrestuarve. Prej 15 vitesh ai është pronar i linjës së autobusëve të Unazës. Ibrahimi, pronar i kompanisë së pjesëve të këmbimit “Ferlut” fitoi në vitin 2004 tenderin e zhvilluar nga qeveria “Nano” për transportin urban në linjën e Unazës së kryeqytetit.

Vite më parë, ai ka qenë botues i gazetës së përditshme “Ballkan”.

Ferdinand Ibrahimi rezulton bashkëpronar në kompaninë “Tirana Ticket”, e themeluar në Prill 2019, aksioner në të cilën është edhe një prej të arrestuarve të tjerë të së mërkurës, Fatos Vrapi.

Së bashku me Ferdinand Ibrahimin, u arrestua edhe djali i tij 20-vjeçar, Anastas Ibrahimi. Emri i Anastasit është përdorur nga i ati i tij për t’i dhënë emrin kompanisë “Anas”, e cila është distributori kryesor i automjeteve “Fiat” në Shqipërisë.

Fatos Vrapi dhe bashkëshortja e tij, Albana Vrapi, të dy të arrestuar, janë pronarët dhe administratorët e kompanisë “Alba-Trans”. Kjo kompani operon me autobusët e saj urbanë në linjën e Tiranës së Re, Qendër-Uzina Autotraktor dhe Qendër Tufinë, sipas të dhënave të publikuara në faqen zyrtare të Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetës.

Kompania “Alba-Trans” e bashkëshortëve Vrapi është krijuar në vitin 2003 dhe, si objekt të aktivitetit të saj ka shërbim transporti udhëtarësh urbanë, interurbanë dhe ndërkombëtar.

Fatos Vrapi është përfshirë, përkohësisht, edhe në një projekt mediatik. Ai rezulton si bashkëpronar i kompanisë “Libertas media group” me 25% të aksioneve, aq sa ka edhe Blendi Gonxhja, një personazh i afërt me kryeministrin Edi Rama.

Kompania “Libertas”, e themeluar në vitin 2008, është aktualisht në likujdim e sipër.

Fatos Vrapi është zgjedhur së fundmi edhe anëtar i Këshillit Bashkiak, përfaqësues i Partisë Demokracia Sociale të drejtuar nga Paskal Milo.

Së bashku me Ibrahimin, Fatos Vrapi është një prej aksionerëve kryesorë të “Tirana Ticket”, e krijuar në Prill 2019, me objekt “Shitjen e Biletave dhe aboneve për Udhëtarët që përdorin transportit qytetas, shërbim konsulence lidhur me transportin qytetas dhe shoqëritë e transportit qytetas, organizim të trajnimeve dhe seminareve informuese mbi transportin qytetas”.

Praktikisht, “Tirana ticket” është kompania përgjegjëse për prodhimin e shpërndarjen e biletave dhe aboneve të transportit urban të kryeqytetit.

Dhe, pikërisht në këtë proces, pra në prodhimin dhe shpërndarjen e biletave dhe aboneve, këta persona dyshohet se kanë kryer falsifikime.

Sipas të dhënave hetimore të publikuara deri më tani, personat e arrestuar, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë falsifikuar bileta të transportit urban në kohë dhe periudha të ndryshme, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore dhe përfitim financiar të disa shoqërive operatore në transportin urban në qarkun Tiranë.

Ata përdornin bileta urbani të falsifikuara dhe jo të prodhura në Shtypshkronjën e Letrave me Vlerë, të cilat i kishin hedhur në qarkullim, duke përfituar shuma të konsiderueshme monetare.

Nëpërmjet këtyre veprimeve i kanë shkaktuar shtetit një dëm të madh ekonomik, i cili do të përllogaritet në vazhdimësi nga strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Gjatë arrestimit janë sekuestruar edhe 150 000 bileta urbani të falsifikuara, vënia në përdorim e të cilave kap vlerën 6 000 000 lekë të reja.

Në të njëjtën skemë dyshohet se është përfshirë edhe Erisa Vora, administratore e “Tirana-Urban-Trans”, kompani e cila operon në linjën “Tiranë-Porcelan”. Vora është arrestuar gjithashtu paraditen e së mërkurës.

“Tirana-Urban-Trans” është një kompani e krijuar në vitin 2001. Ajo është shoqëri aksionere, ku ortaku kryesor është Hazbi Parllaku, me 50% të aksioneve.

Parllaku, për të cilin nuk ka dyshime, të paktën deri më tani, për përfshirje në skemën e falsifikimit të biletave, është gjithashtu aksioner në “Tirana Ticket”, së bashku me Ferdinand Ibrahimin dhe Fatos Vrapin.

Edhe Parllaku, ashtu si dy kolegët e tij, dikur ka qenë pjesë e investimit në projekte mediatike. Në vitin 2008, Hazbi Parllaku rezulton bashkëpronar në kompaninë “eco-ndërtimi”, e cila, si objekt të saj, ndër të tjera kishte edhe “Veprimtari ne fushen e telekomunikacionit (Radio,Televizion,Telefoni,internet, etj)”.