Boshatisja e Shqipërisë dhe skenari i mynxyrave që na presin. –

Nga Artur Zheji

Janë mbi një milion aplikime në 3 vitet e fundit për llotarinë amerikane, por janë disa qindra mijëra ata që janë larguar ndërkohë, pa e kthyer kokën pas, me një dëshpërim pa kufi dhe me një shpresë shpesh herë të rreme, për një tokë të premtuar që do të mund ti presë më mirë.. Dhe do ta fillojnë këta qindra e mijëra shqiptarë, jetën e tyre të re, duke filluar nga shtresat më të ulta të shoqërisë mikpritëse, ndërkohë që shkojnë si të varfër, që largohen nga vendi më i pasur për frymë, në burime natyrore në Europë.

Një pasuri që u fshihet shqiptarëve dhe u grabitet në errësirë nga një grup të pangopurish, nga brezi më grabitqar i politikanëve dhe i zorraxhinjve të tyre që kanë përqark. Një grup të pangopurish që natën grabisin Shqipërinë me ndihmën e ligjit dhe ditën qajnë hallet e varfërisë së saj të pashërueshme, kur vetë sëmundja që mbjell varfëri ndër shqiptarët, janë ata vetë, si shkaktarë dhe përfituesit e mëdhenj të kësaj epidemie që shkakton një vdekje masive të shpresës dhe të besimit te shqiptarët…

A ka një skenar për zbrazjen e Shqipërisë, e cila duhet të mbetet në dominimin e disa pak super të pasurve dhe të disa super politikanëve të paprekshëm dhe oborrit të tyre? Pse nuk paska kapacitete Shqipëria të mbajë një popullsi të vogël 3 milionëshe, me dinjitetin e dhe standartin normal njerëzor? Një popull i vuajtur dhe në thelb gjithmonë i gatshëm për sakrifica të pabesueshme për të ardhmen e fëmijëve të tyre?