Bota e Frida Kahlos vjen nëpërmjet një ekspozite në Madrid
Bota e Frida Kahlos vjen nëpërmjet një ekspozite në Madrid
6 Dhjetor 2021
“Jeta dhe krijimtaria e Frida Kahlos” është e hapur në Teatrin “Instante” në Madrid, nga 6 dhjetori deri më 30 shkurt të vitit të ardhshëm, dhe do të shfaqet gjithashtu edhe në qytete të tjera, duke përfshirë Barcelonën, Kopenhagën dhe Bangkokun
Veprat dhe ditarët e Frida Kahlos janë ekspozuar në një ekspozitë madhore në Madrid. E titulluar “Jeta dhe krijimtaria e Frida Kahlos”, ekspozita vjen si homazh për artisten e njohur meksikane, që shfaq mijëra imazhe të animuara në një ekran të madh dhe shumëngjyrësh
Me 2 mijë e 500 fotograme të animuara e të projektuara në një sipërfaqe prej rreth 1 mijë metra katrorë, e cila përfshin gjithashtu dyshemenë, kjo përvojë kinematografike synon të nxjerrë në pah forcën personale të artistes meksikane.
Roxana Velásquez, drejtoreshë e Muzeut të Artit të San Diegos dhe kuratore e “Jeta dhe krijimtaria e Frida Kahlos”, ka thënë se historia e Fridës shpesh tregohet përmes vuajtjeve të saj, porse ajo donte të tregonte një anë tjetër.
“Në këtë projekt duam të theksojmë gruan triumfuese, gruan që zhvillon një bisedë horizontale me intelektualët, artistët dhe krijuesit më të mirë të fillimit të shekullit të njëzetë”, ka shpjeguar ajo.
Ekspozita është e ndarë në tri fusha kryesore. Pjesa e parë fokusohet tek artistja me gjithë shkëlqimin e saj, duke e lidhur punën e Fridës me dëshmitë e bashkëmoshatarëve të saj, si një mënyrë për të shfaqur rëndësinë e saj si në lëvizjet intelektuale ashtu edhe në atë artistike të kohës së saj.
E dyta zbulon anën më intime të Fridës, duke prezantuar familjen Kahlo, duke u thelluar në rrënjët dhe miqësitë e artistes dhe duke analizuar një ngjarje kyç në historinë e saj: aksidentin traumatik që çoi në rilindjen e saj si piktore.
Pjesa e tretë rikrijon “Shtëpinë Blu”, shtëpinë ku lindi Frida Kahlo dhe ku ajo jetoi, pikturoi dhe vdiq.
Më shumë se njëqind vepra arti, vepra letrare dhe fotografi janë mbledhur për këtë projekt. Ilustrimet dhe kolazhet e animuara ndihmuan për të rikrijuar atmosferat dhe për të riinterpretuar stilin piktural të artistes.
Carla Prats, koordinatore artistike e “Jeta dhe krijimtaria e Frida Kahlos”, beson se teknologjia ndihmon që të nxjerrin në pah detaje nga veprat artistike të Kahlos, të cilat audienca mund të mos i ketë perceptuar më parë.
“Ne u kushtojmë shumë vëmendje kafshëve përreth saj, kemi skena të ndryshme ku mendoj se vizitori do të jetë i lumtur sepse është si një xhungël”, ka thënë ajo.
Çdo skenë shoqërohet nga një kolonë muzikore origjinale e krijuar nga kompozitori i nominuar për çmimin “Goya”, Arturo Cardelús. Meloditë përfshijnë një shumëllojshmëri të gjerë instrumentesh dhe efektesh zanore, të kombinuara me muzikën tradicionale evropiane dhe meksikane.
“Që në fillim vendosëm që kitara do të kishte vendin kryesor në këtë kolonë zanore, sepse është një instrument që vërtet tregon mënyrën se si Frida ishte në një mënyrë shumë të thjeshtë, por shumë me rendësi”, ka thënë Cardelús. Kolona zanore u incizua nga Orkestra e Artit e Budapestit.
Gazeta Koha, Prishtine