Bota në krizë buke, zyrtari ukrainas publikon “provat”: Rusia derdhi 20 tonë grurë ukrainas në rrugët e Mariupolit
19 Mars 2023
Një zyrtar ukrainas ka pretenduar se Rusia ka derdhur grurin vendas në një rrugë që të çon në qytetin e Mariupolit.
Sipas mediave të huaja, Petro Andriushchenko, një këshilltar i kryetarit të bashkisë së qytetit të pushtuar, pohoi se “njëzet tonë” grurë ishin shpërndarë në rrugën në zonën e Novoazovsk në lindje të Mariupolit.
Në një postim në Telegram, z. Andriushchenko tha: “[Rusia] do të qajë për ‘urinë në botë’. Pyes veten se kush e shkaktoi urinë në botë?”
Një video e postuar dje nga këshilltari tregon se makinat duhet të kalojnë mbi grurin e hedhur në rrugë.
Vladimir Putin ka vizituar sot Mariupolin, territor ukrainas i pushtuar që nga fillimi i luftës, në atë që media shtetërore ruse e përshkruan si një “udhëtim pune”.
Putin, i cili mbërriti me një helikopter, udhëtoi nëpër disa zona të qytetit, duke bërë ndalesa dhe duke biseduar me banorët, sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve TASS, e cila citon Kremlinin.
Nëse pretendimet e zyrtarit ukrainas për derdhjen e grurit në rrugë janë të vërteta, atëherë kjo është një vepër e rëndë pasi kujtojmë se një pjesë e madhe e botës ndodhet në një krizë të vërtetë buke dhe po jetojnë në kushtet e mjerimit.
Gazeta Sot