Bota në krizë energjetike, çmimet e naftës dhe gazit rriten sërish
Bota në krizë energjetike, çmimet e naftës dhe gazit rriten sërish
– 02/10/21
Miliona banorë dhe fabrika në Kinën Veriore kanë mbetur pa energji elektrike, 90% e Britanisë së Madhe ka mungesa karburantesh, ndërkohë që në SHBA prodhuesit e qymyrit nuk po plotësojnë dot kërkesat e klientëve teksa kontinenti i afrohet dimrit.
Ekspertët thonë se arsyet për krizën energjetike mbarëbotërore janë të shumta dhe të vjetra: ato lidhen me varësinë tonë të madhe të burimet si nafta, qymyri e gazi, por edhe me investimet e pakta në këta sektorë.
Kina është ekonomia e dytë më e madhe në botë e cila furnizohet në 60% të saj nga termocentralet.
Por vlera e qymyrit në bursa ka prekur kufij të rinj, të cilët shumë provinca nuk i përballojnë dot dhe po i kompensojnë duke ndërprerë energjinë elektrike.
“Furnitorëve u kemi kërkuar t’i përmbushin detyrimet duke e shtyrë punën në turnet e natës ose duke përdorur gjeneratorët e vet për të mos e penguar prodhimin. Ndërprerjet po i rritin kostot”, thotë zv.drejtuesi i një kompanie kineze që prodhon televizorë dhe që e sheh me pesimizëm situatën me eksportet e vendit për Krishtlindjet.
Ndërkohë, problemi tjetër mbetet vlera e karburanteve dhe e gazit.
Nafta bruto është rritur gati 80 për qind nga një vit më parë dhe 45 për qind në gjashtë muajt e fundit, duke e kaluar këtë javë vlerën 80 dollarë fuçia.
Gazi në Europë, nga ana tjetër, kapërceu të enjten vlerën 1,100 dollarë për 1 mijë metër kub ose mbi 90 mijë dollarë për megavat për orë.
Furnizuesi rus, “Gazprom”, thotë se rritja e çmimit lidhet me vonesat në mbushjen e depove të nëndetshme europiane të gazit dhe vlera ka për t’u rritur më tej në të ardhmen e afërt.
Gazeta Mapo