Botimet shqip në shek. XVI me alfabet latin, Yll Rugova: – Rasti i Budit, gdhendja e germave shqip një vit para vdekjes, mbikëqyri vet procesin! – E përbashkëta me Buzukun
Këto janë shënimet mbi pagesat e 1000 kopjeve të shtypura të dy botimeve të Pjetër Budit, bërë në Itali, një vit para ndarjes nga jeta të tij, ku procesi i gdhendjes së germave është mbikëqyrur nga vetë ai…
Në gjurmët e shenjave të shqipes, që janë përdorur përgjatë viteve 1555 deri më 1912-ën, studiuesi Yll Rugova në prezantimin e tij këtë të premte në Institutin e Antropologjisë përqendrohet tek Pjetër Budi dhe viti 1621. Gdhendja e pak germave të shqipes në dy botimet e tij “Pasqyra e të rrëfyemit” dhe “Rituali Roman” të shtypura në Itali në punishten italiane, nuk është evidentuar Bertolotti 250. Siç shpjegon Rugova, kjo mund të ketë ndodhur sepse bëhet fjalë vetëm për tri germa të huaja. Edhe pse shumica e botimeve në gjuhën shqipe nga shek. XVI dhe XVII janë të shtypura me alfabet latin.“Ai një vit më vonë niset për në Kosovë ku dhe vdes duke kaluar lumin Drin, siç përshkruhet nga një dokument tjetër në Romë. Por dokumentet këtu na informojnë se të paktën në vitin 1621 ai ka qenë prezent në Romë dhe ka qenë drejtpërdrejtë i përfshirë në mbikëqyrjen e librave të tij. Për çka, siç figuron dhe në dokumentacion është paguar 10 skudi që është edhe monedha e asaj kohe, për secilin libër”, shprehet më tej.
Në vazhdën e studimeve të tij tipografi shpjegon të përbashkëtat mes germave të Budit dhe Gjon Buzukut, duke u ndalur tek germa specifike ‘dh’.“Kjo germë me siguri është gdhendur në këtë punishte, por për shkak se ka qenë vetëm një nuk figuron në regjistrat që shpalosim. Emri i gdhendësit është Giacomo Antonio Moro, i cili është marrë me gdhendjen e germave në atë kohë tek kolegji Marionit, dhe që me siguri duhet të ketë gdhendur edhe germën shqiptare, por për ne është me rëndësi të ndiqet trajektorja e evolucionit të asaj shkronje, sepse atë e kemi edhe tek Buzuku së pari. Në vitin 1618 është hera e dytë që përmendet, por tashmë shumë e stilizuar”, thotë më tej.
Vetë studiuesi i historisë së tipografisë, gjithashtu grafik dizajner, i cili i ka riprodhuar germat e Budit përmes kompjuterit, veçon karakteristikat e tyre…“Synohet një lloj harmonizimi i germës së veçantë, me shkronja të tjera latine që ndodhen në libër. Por, germat e tjera që janë aty i takojnë asaj që quhet si shkolla italiane e tipografisë, ende e pa studiuar sa duhet jo vetëm në Shqipëri por edhe jashtë, pavarësisht peshës së madhe që ka”, thotë më tej Rugova.
Gazeta Shqiptarja.com