Botohen dy ramane te panjohur të Faik Konicës, “Martesa e Lejlës” dhe “Sotiri dhe Mitka”,
Gjetur, përkthyer dhe pajisur me shpjegime e shënime nga Fotaq Andrea. –
Botohen dy ramane te panjohur të Faik Konicës, “Martesa e Lejlës” dhe “Sotiri dhe Mitka”, të cilat deri pak kohë më parë e kanë pasur jetën e tyre në gjuhën frënge, ku autori ishte me pseudonimin “Jean de Kroia”. Falë punës kërkimore dhe përkthimit të bërë nga Fotaq Andrea, këto dy romane misterioze tashmë bëhen pjesë e letërsisë shqipe. Edhe këto dy romane rrisin vlerat e Konicës dhe shndërrohen ikona të letrave tona.
Po publikojme fjalen e Z. Andrea me rastin e promovimit te ktyre dy veprave letrare te Konices.
gjetur, përkthyer dhe pajisur me shpjegime e shënime prej këtij studiuesi të pasionuar.
Kjo vepër ishte e papritura e këndshme lidhur me krijimtarinë e Konicës romancier. Me botimin në shqip të këtyre dy romaneve u rrëzua përfundimisht thënia e nxituar e Nolit se Faiku “nuk na la asnjë vepër të mbaruar”, thënie të cilën Sabri Hamiti e studiues të tjerë e kishin hedhur poshtë duke e konsideruar koleksionin e revistës “Albania” vepër të plotë e komplekse.
Fotaq Andrea para se të merret me analizën e ideve dhe anës artistike të romaneve “Martesa e Lejlës” dhe “Sotiri dhe Mitka”, sqaron sesi ra në gjurmë, dhe si i gjeti e i bleu këto dy vepra të mbledhura brenda dy kapakësh në një dyqan librash të vjetër në Belgjikë.
Më tej ai sqaroi se pseudonimi “Gjoni i Krojës”, me të cilin ishin botuar dy romanet në frëngjisht, ishte pseudonim i Faik Konicës. Kjo e dhënë dhe shumë materiale që studiuesi i nxjerr nga teksti, e bëjnë të padyshueshëm faktin se këto vepra ishin shkruar prej Faik Konicës në vitin 1909, para se të largohej për në Amerikë, ku ishte thirrur për të marrë drejtimin e gazetës “Dielli”.
Njohja e thellë e frëngjishtes dhe e shqipes së Faik Konicës prej Fotaq Andreas ka ndihmuar në realizimin e një përkthimi mjeshtëror, sa që shpesh herë të krijohet ideja se veprat kanë qenë shkruar në shqip.
Në studimin hyrës 100 faqesh, që paraprin dy romanet, jepen për të parën herë gjerësisht lidhjet e Konicës me të quajturin Princ Aladro Kastrioti, pretendent spanjoll i fronit të Shqipërisë. Ecuria e këtyre marrëdhënieve filloi më 1901, kur Aladroja e ndihmoi Konicën për botimin e revistës “Albania” dhe përfundoi më 1909 me hartimin e këtyre dy romaneve. Konica i hartoi këto dy vepra në këmbim të tyre me një shumë paresh, që pagoi Princi Aladro si shpërblim për trajtimin e tij si personazh historik që ndihmonte lëvizjen kombëtare shqiptare. Përkëdheljen e sedrës së sëmurë të Princit Aladro autori e shpie deri aty sa një nga personazhet shpall se Aladro Kastrioti pas lirimit të Shqipërisë do të bëhet Mbret i saj.
Gjithë linja e këtij “Princi” është trajtuar me një farë humori të hollë, vë në dukje Andrea, sepse vetë Konica nuk ishte i mendimit që Shqipëria e lirë të drejtohej nga një pseudoprinc, si Aladro Kastrioti.
Andrea ka meritën se ka dhënë shpjegime dhe sqarime për personazhet, madje për ndonjë, si Lejla, ka zbuluar dhe lidhjet e këtij emri me emrin e nënës së vetë autorit. Karakterizimi i personazheve zë një vend të dukshëm në studim. Konkluzioni i Andreas është se Konica me këto dy romane u paraqit si shkrimtar modern realist.
Duke i quajtur klasikë këta romane, studiuesi thekson se ata “ruajnë theks dhe vlera aktuale, të cilat shfaqen në madhështinë morale të personazheve pozitrivë në ndeshje me personazhe që përfaqësojnë botën e vesit, ligësisë dhe krimit.” (f. 99)
Kthimi i Mitkës në atdhe dhe gjetja e lumturisë prej tij pikërisht duke punuar në Shqipëri, thekson studiuesi, ka tingëllim aktual sot, kur atdheu ka nevojë të kthehen njerëzit e përgatitur në emigracion për t’i shërbyer Shqipërisë.
Nëpërmejet këtyre dy romaneve të shkruar në frëngjisht, Konica, thekson studiuesi, “përpiqet të japë një imazh sa më të mirë për Shqipërinë dhe shqipëtarët, në një kohë kur autorë të huaj nuk mungonin t’i denigronin, shanin, poshtëronin, në kor me propagandën antishqiptare sllavo-greke” (f. 100)
Me këto dy romane, vë në dukje studiuesi, del edhe më shumë në pah misioni historik i Konicës, mision që para së gjithash e mbi të gjitha e vesh atë me profesionin e nderuar të Patriotit të flaktë, të Rilindasit të zjarrtë, të Pionierit enciklopedist, që diti si rrallëkush të luftojë injorancën, mediokritetin, mendjet e mbrapshta dhe ligashe, që diti të punojë për emancipimin e shoqërisë shqiptare” (po aty).
Karakterizimi i Faik Konicës në fund të këtij studimi: “Figurë e përplotë, erudit i shkallës së epërme, i pari në gjithçka, i paparë dhe i paarritshëm në botën shqiptare, Faik Konica mbetet mbi të gjitha ideatori dhe farkëtari i mendimit modern shqiptar me rezonancë përherë të fuqishme, përherë aktuale” – duket si i nxituar.
Në fakt, ky përkufizim, si do ta shohim në trajtimin e veprës tjetër të z. Andrea, është i saktë, por nuk e ka vendin në këtë studim hyrës ku flitet vetëm për dy romanet e Konicës, por e ka vendin te vepra madhore studimore “Faik Konica – Përlindësi modern, Fletore koniciane”, e cila merret me gjithë trashëgiminë mendore të këtij gjeniu që shpërtheu që në moshën 20-vjeçare.
* * *
Për sudimin “Faik Konica – Përlindësi modern, Fletore Koniciane”, mund të themi që në fillim se Fotaq Andrea ka depërtuar thellë në mendimet e Faik Konicës dhe ka kuptuar si askush para tij thelbin e veçantë të mendimtarit Konica. Tipikja e këtij rilindësi, thekson ai, ka qenë: “europianizimi dhe modernizimi i kombit, si komb nga më të lashtët në kontinentin e vjetër, me identitet e vitalitet historik që meriton, pas shekujsh të tërë qëndrese e mbijetese, vendin e vet në familjen e bashkuar europiane” ( f. 7).
Djaloshi Konica u formua në shkolla Perëndimore, ku u brumos me mendësinë europiane. Në të gjitha shkollat ku studioi, si Seminari i Jezuitëve në Shkodër, Liceu Galatasaraj në Stamboll e më tej te liceu i Karkasonës në Francë, në kolegjin e Dijonit e më pas në Paris e së fundi në Universitetin Harvard në Boston MA, ky student mori gjithnjë vlerësime me nota maksimale.
Që në vitin 1895, i diplomuar për letërsi romane ai ishte një qytetar europian i shkëputur mendërisht prej klasës së vet: aristokracisë feudale shqiptare.
Prandaj mund të themi se Konica u shfaq në fund të shek. XIX-të në arenën e lëvizjes sonë kombëtare jo si përfaqësues i klasës feudale shqiptare, por si shqiptari i parë thellësisht europian. Thellësia e mendimeve të tij të kujton humanistët e mëdhenj Marin Beçikemi, Leonik Tomeu, etj dhe klerikët e shumëditur si Gjon Buzuku, Pjetër Budi, Pjetër Bogdani, etj, me të cilët ai krijon një hallkë lidhëse.
Sipas tij, problemi i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, më tepër se kombëtar, ishte moral. Që të shpëtonte ky popull, sipas tij, kishte nevojë para së gjithash të stërviste e të lartësonte karakterin. Shqiptarët e kulturuar e me moral të lartë do të dinin të qeverisnin Shqipërinë kur të lirohej.
Mësim ky shumë aktual edhe për sot, kur duam të hyjmë në Bashkimin Europian, por na pengon klasa politike e pamoralshme, e cila është pjellë e diktaturës komuniste dhe është e brumosur sipas moralit komunist, i cili e fsheh gënjeshtrën dhe krimin, mashtron e propagandon vetëm suksese, në vend që të pranojë të vërtetën, lufton për jetë a vdekje për marrjen dhe mbajtjen me çdo kusht të pushtetit.
Për të kuptuar se kritikat e Konicës kishin synim ndërtues, se besimi i tij për të ardhmen e atdheut ishte optimist, po riprodhojmë thënien e tij: “ Parandjej një Shqipëri të lulëzuar dhe intelektuale”, thënie të cilën studiuesi e ka vendosur në faqen e fundit të librit poshtë ilustrimit të Shqipërisë me një zonjë të shëndetshme e dinjitoze me veshje kombëtare me një drapër në dorën e djathtë dhe me një dorëzë kallinjsh gruri në dorën e majtë.
Fotaq Andrea ka lexuar me vëmendje gjithë studimet e kryera para tij për Konicën dhe i ka sjellë këtu thelbin e thënieve vlerësuese për të duke filluar nga shkrimtarë e kritikë francezë e duke vijuar me arbëreshin e Italisë Gaetano Petrota, shkrimtarin e dijshëm shkodran Ernest Koliqi, poetin e talentuar At Gjergj Fishta, dijetarin At Fan Noli, etj e deri tek studiuesit e Kosovës e të Shqipërisë të pas vitit 1990 (f.173-174). Kurse me vlerësimet e veta, ai ka dhënë përkufizime edhe më të plota.
Midis vlerësimeve të ndryshme për Konicën na tëheq vëmendjen thënia e poetit gjenial francez G. Apollinaere: “Nëse Shqipëria do të ishte shtet [i pavarur], ai do të ishte kryeministër i saj”, vlerësim të cilin e mbyll me fjalët: “Sulltani e ka dënuar tri herë me vdekje” (f. 178).
Ky vendim i përsëritur i Sulltanit, është një dëshmi e drejtpërdrejtë e rrezikshmërisë së mendimeve dhe punës së Faik Konicës, në një kohë që shumë atdhetarë shqiptarë punonin në Stamboll për lëvrimin e gjuhës shqipe, letërsisë shqiptare dhe ideologjisë sonë rilindase, por Sulltani nuk i burgoste. Ky nuk i burgoste dhe nuk i dënonte me vdekje, sepse ata kërkonin vetëm “një Shqipëri autonome nën vartësinë e Sulltanit”.
Vepra “Faik Konica – Përlindësi modern” sjell vlerësime dhe materiale të rinj në shumë aspekte. Aty sillet shqip dhe komentohet për të parën herë artikulli programatik i Konicës “Shqipëria dhe turqit” botuar me pseudonimin “Tepeleni” më 25 dhjetor 1895 në gazetën frënge “La libre Parole”. Po ashtu sillet libri “Mbi edukimin”, “Letra drejtuar G. Apolinerit”, etj. Janë vlerësuar e riprodhuar Harta e Shqipërisë e krijuar prej Faikut më 1902 në gjuhën shqipe, almanaku i tij “Kalendari i Maleve” i vitit 1900.
Janë sjellë fakte bindëse nga jeta intime për pagëzimin e tij si i krishter katolik, për bashkëjetesën e tij me “dy mike të zemrës”, me njërën prej të cilave, me të parën, pati që kur ishte 22-vjeçar një djalë, të cilin e quajti Henrik Lohengrin beg Konica.
Botohet (e përkthyer shqip) për herë të parë letra që ky djalë i shkroi Fan Nolit më 16 janar 1922 nga Saint-Claude për t’i kërkuar ndihmë që të lidhej me të atin. Këtë letër studiuesi e gjeti në Arkivin Qendror të Shtetit, Tiranë, por studiuesve të mëparshëm nuk u kishte bërë përshtypje.
Janë dhënë lidhjet e Konicës me njerëz të shquar të shkencës, artit, politikës dhe të letërsisë europiane si gjuhëtarët Holger Pedersen (me të cilin ai hartoi alfabetin e gjuhës shqipe me gërma latine) dhe Louis Benlow, orientalistin Leon Cahun, shekncëtarët Elisee Reclus, Emil Legrand, poetin Guilaume Apollinaire, shrimtarin amerikan Beniamin de Casseres, etj.
Aty sqarohet datëlindja e Faikut më 15 mars 1875 (f. 278), duke e spostuar një vit më parë se koha që e kishin pranuar studiuesit e mëparshëm. Përmes analizave të shkrimeve shqip dhe frëngjisht, që ka bërë Andrea arrihet kollaj te mendimi se revista “Albania” ishte enciklopedia madhore që i mungonte botës shqiptare për rigjenerimin shpirtëror, moral, kulturor historik e letrar, shkëputur krejt prej mendësisë osmane.
Pas një vjelje shumë të kujdesëshme që u ka bërë studiuesi Andrea shkrimeve të Konicës, ai grumbulloi njëqind thënieve të arta të Faik Konicës, të cilat përbëjnë një thesar të vërtetë ideor në krejt fushat shoqërore dhe konceptuale kombëtare për emancipimin tonë shoqëror.
Duke u lexuar me kujdesë këto thënie lexuesi i mençur mund të arrijë në konkluzione të drejta lidhur me gjerësinë dhe thellësinë e botëkuptimit të Konicës, që kur ishte djalë i ri dhe deri në fund të jetës. Të çudit fakti se sa thellë i ka njohur nevojat dhe psikologjinë e popullit të vet ky djalosh, i cili u largua prej shtëpisë atërore kur ishte vetëm 12 vjeç. Pikërisht ky është një nga treguesit e pamohueshëm të gjenialitetit të tij.
Vend të veçantë zenë në libër dhe mendimet e Konicës për fqinjët tanë Greqi dhe Maqedoni. Si njohës i mirë i historisë së Ballkanit ai tregon se autorët e lashtë nuk përmendin ekzistencën e gjuhës maqedone, sepse kjo gjuhë ishte një dialekt i ilirishtes.
Kurse për Greqinë ai sqaron se gjatë Mesjetës shumë vëzhgues kishin shkruar se territori që quhej Greqi ishte i mbushur me shqiptarë të cilët dalngadal u mësuan ta quanin veten grekë dhe pasi mësuan gjuhën greke e braktisën gjuhën e tyre amëtare shqipen dhe sot ndjehen edhe shpirtvrisht grekë (f. 373-380).
Po ashtu me vlera të mëdha janë shpjegimet e Konicës për popullsinë shqiptare të Çamërisë dhe të bregdetit të Himarës.
Në Çamëri ai tregon se popullsia shqiptare para vitit 1912 përbënte mbi 90 % të popullsisë, por shteti grek duke ndjekur një politkë shoviniste e ndryshoi këtë raport duke përndjekur e masakruar shqiptarët e duke shpënë aty grekë të Anadollit. Kurse në bregun e himarës popullsia ka qenë shqiptare brez pas brezi, por kontaktet me botën greke të Korfuzit bënë që kjo popullsi të mësonte dhe greqishten si gjuhë tregëtie dhe si gjuhë kishe.
Pretendimet e shtetit grek në ditët tona se Himara ka qenë e është greke, kur aty ka pasur e ka popullsi shqiptare që di shqip dhe greqisht, është shprehje e mesjetarizmit të politikës greke. Sipas asaj mendësie shumë shqiptarë që jetojnë sot në brigjet e Adriatikut Lindor nga Shën Gjini deri në Ksamil dhe dijnë krahas shqipes edhe italisht, duhet të quhen italianë, por Italia nuk e pretendon një gjë të tillë…
Nuk mund të lemë pa përmendur se veprën e pasuron një mori fotografish, pikturash e skicash, shumica pak ose aspak të njohura, të mbledhura me kujdes prej studiuesit të pasionuar.
Natyrisht, që të ndalesh e të nxjerrësh vlerat e këtij studimi madhor duhet të shkruash një artikull sudimor shumë të gjatë, por në këtë recension krahasimtar, menduam se mund të ndalemi me kaq, duke theksuar si konkluzion: “Kur shqiptarët ta kuptojnë dhe përvetësojë mendimin e Faik Konicës ashtu si Fotaq Andrea, atëhere populli ynë do të jetë pjesë e denjë e familjes së Bashkimit Europian, ku e ka pasur dhe e ka vendin e vet, jo thjesht gjeorgafikisht, por dhe historikisht, por atë e pati dëmtuar pushtimi i gjatë osman dhe sundimi i egër komunist”./ shqiptarja