Brexit, projekti kriminal i parisë dhe shtetkombi.
Vota e qytetarëve britanikë për të dalë nga konturet formale të Bashkimit Evropian është fillimi i fundit të konceptit të një Evrope të bashkuar politikisht, si një federatë e madhe kontinentale shumë-kombëshe e cila i mbivendoset identiteteve kombëtare të shteteve anëtare. Të tjera shtete pritet që të veprojnë në të njëjtën mënyrë përfshi Danimarkën, Suedinë, Francën madje edhe Italinë. Mirëpo, projekti evropian që në krye të herës nuk ka patur si premisë fundin e historisë, një tezë të cilën e mohon tanimë edhe propozuesi i saj Fukujama, por një fazë të re të bashkëpunimit tregtar midis shtetkombeve evropiane. Vota britanike për të dalë nga BE-ja formale, është një tregues edhe më i qartë se të paktën disa nga shtetkombet që e përbëjnë atë tanimë e shohin BE-në jo më si një mjet për të forcuar shtetkombet përkatëse, por si një konkurrent për sovranitetin e vet. Kjo nuk ishte një fazë e paparashikuar, siç dëshmon neni 50 i Traktatit të Lisbonës i cili parashikon të drejtën e shkëputjes.
Pyetjet thelbësore me të cilat përballen shqiptarët në dritën e këtij zhvillimi janë disa. Çfarë domethënie ka fillimi i shpërbërjes së BE-së si organizëm politik mbikombëtar për Shqipërinë? Ku dhe si jemi të pozicionuar ne shqiptarët për këto zhvillime? Cili ka qenë roli i parisë në propozimin e projektit integrues si kyçi i zhvillimit kombëtar? Cilat janë arsyet që paria ka përdorur për të luftuar pa asnjë mëdyshje dhe me të gjitha mënyrat projektin e shtetkombit shqiptar? Si e ka përdorur paria BE-në dhe disa aparatçikë të Brukselit për të imponuar vetveten si e vetmja përfaqësuese legjitime e popullit shqiptar?
Përgjigja e këtyre pyetjeve të çon detyrimisht në pëfundimin se paria e Tiranës, e cila e ka bazuar legjitimitetin e vet tërësisht në projektin integrues evropian, ka kryer një krim të rëndë kombëtar kundër shqiptarëve duke propozuar një projekt integrues të dështuar që në nisje, si çelësin e zhvillimit. E vërteta është se pëlhura integruese i ka shërbyer parisë së Tiranës si vello tyli për të ndërtuar një mur të rremë legjitimiteti brenda dhe jashtë, por edhe për të garantuar suksesin e objektivave të saj të pasurimit të shpejtë e të pafre në kurriz të interesave kombëtare shqiptare. Dështimi i pritshëm dhe i ditur i kësaj pëlhure të Penelopës ishte i garantuar jo vetëm nga konjuktura evropiane, por edhe nga mënyra e sundimit të kësaj parie oligarkike, kleptokratike e kriminale e cila parimet bazë të kozmopolitanizmit evropian i përdor sa për t’i hedhur hi syve ndërkombëtarëve. Thënë thjesht, dështimi ishte i garantuar sepse edhe në rastin më fatlum, ose në rast se konjukturat ndërkombëtare do të na e mundësonin hyrjen formale në BE ashtu siç hymë në NATO, paria nuk do të mund të sundonte duke i zbatuar konditat e BE-së dhe do të kishte gjetur rrugën për t’a vonuar, shtyrë apo margjinalizuar integrimin. Në të gjitha rastet, paria kërkon sundimin dhe jo integrimin. Kësisoj, kjo pari antishqiptare, antikombëtare dhe hajnore është përgjegjësja kryesore për dështimin e vet, por edhe për lënien në vendnumëro të interesave të shqiptarëve. Paria, pa asnjë dallim mes palëve të saj, ka kryer një krim historik pasojat e të cilit ne shqiptarët do t’i vuajmë edhe për shumë kohë.
Paria na ka gënjyer sot e 25 vite duke treguar përrallën e madhe të integrimit, sepse kjo ishte mënyra e vetme që palët e saj të shkëmbeheshin në pushtet ndërsa ata dhe klanet përkatëse kriminale pasuroheshin, vidhnin pa skrupull dhe shpërdoronin çdo pasuri kombëtare, shitnin territoret dhe sovranitetin e vendit, dhe punonin kundër çështjes kombëtare shqiptare. Ky është një krim kombëtar, i cili nuk mund të kalohet lehtë dhe që i ka kushtuar shqiptarëve të paktën dy breza të humbur në një rrugë pa krye, nga e cila nuk do të përfitonim ndonjë gjë të madhe edhe sikur të kishim ndonjë mundësi reale për të arritur në Eldoradon Evropiane.
Por le t’i analizojmë një nga një arsyet që na shpien në këtë përfundim.
Së pari, duhet theksuar se interpretimi që i jepet integrimit nga paria, si projekt alternativ ndaj shtetkombit, nuk është adoptuar nga asnjëri nga shtetet e zhvilluara anëtare të BE-së. Përkundrazi, shumë prej tyre, përfshi Mbretërinë e Bashkuar por edhe Zvicrën, Danimarkën, Suedinë, Finlandën etj. e kanë kushtëzuar anëtarësimin me kushtet që i volisnin shtetkombeve përkatëse. Britania, Suedia dhe Zvicra nuk kanë hyrë në Euro, Danimarka nuk pranon en bloc ligjet e natyralizimit, Hungaria të emigracionit etj. Pra, shumë larg prej eliminimit të veçorive të shtetit që rrjedhin prej interesave dhe identiteteve të ndryshme, BE-ja ka shërbyer si një arenë rregullatore e shkëmbimeve midis shtetkombeve të cilat ruajnë me fanatizëm identitetin e shteteve përkatëse. Askush nuk ka ëndërruar t’a përqafojë kozmopolitanizmin evropianist si totem Kantian aq sa t’ja mbivendosë atë identitetit kombëtar, jo vetëm shtete të fuqishme si Gjermania dhe Franca, por edhe shtete më të vogla si Greqia, Sllovakia, Çekia, Rumania, Bullgaria apo Danimarka.
Së dyti, ndërkohë që burokratët evropianë dhe funksionarë të tjerë të Brukselit luanin kukamfshehti me palët e parisë që bënin sikur çonin përpara këtë projekt të dështuar kozmopolit, vendet e tjera të Ballkanit, përfshi edhe anëtaren e hershme të BE-së Greqinë, adoptonin qartazi dhe pa mëdyshje projektin etnik të shtetit, madje duke përdorur fuqinë e të qenit anëtarë për t’i realizuar projektet e veta kombëtare. Për shembull, ndonëse firmëtare e dokumentave evropianë dhe botërorë të të drejtave të njeriut Greqia vijon të mos i njohë të drejtat e shqiptarëve të Çamërisë dhe i detyron emigrantët shqiptarë të ndryshojnë emrat dhe fenë në këmbim të shërbimeve shtetërore, madje dëbimin e tyre e promovon si zhvillim pozitiv. Po ashtu, Rumania dhe Sllovakia vijojnë të mos e njohin Kosovën, për shkak të pretendimeve respektive mbi Moldovën apo aleancës me Serbinë jo anëtare, edhe pse përfaqësohen si bashkëqeverisës të Kosovës në EULEX. Pra, ndërsa paria jonë lufton me çdo mjet projektin e një shtetkombi shqiptar, të shqiptarëve e prej shqiptarëve në emër të vlerave evropiane, fqinjët tanë anëtarë të BE-së vazhdojnë e ndjekin strategjitë e tyre kombëtariste në dëm të interesave shqiptare të cilat kanë mbetur jetime.
Së treti, vetë parisë nuk i ka interesuar kurrë integrimi si qëllim fundor, por stërzgjatja e procesit deri në pafundësi për t’i mbajtur shqiptarët peng të hajnisë dhe kriminalizimit të palëve të saj. Paria ka si objektiv pasurimin sa më të shpejtë me të gjitha mënyrat, pa asnjë shtrëngesë institucionale, ose më saktë shtrëngesë formale të pakontrolluar tërësisht prej saj. Lufta për reformën në drejtësi është vetëm shembulli i fundit se parisë nuk i intereson interesi kombëtar por kontrolli mbi levat institucionale. Sakaq, një Shqipëri e integruar në BE do të presupozonte një masë të konsiderueshme të kontrollit të organizmave evropianë mbi institucionet shqiptare, një zhvillim tërësisht i pakëndshëm dhe i papranueshëm për parinë. Ndaj dhe qasja integruese është thjesht një vello tyli për të legjitimuar hajninë e palëve të parisë pa asnjë dallim.
Së katërti, Shqipëria dhe shqiptarët nuk do kishin asnjë përfitim nga BE-ja nëse do të hynin si vend me sovranitet të kufizuar. Nuk ka nevojë për përqasje teorike, Kosova jep shembullin më të mirë praktik se strukturat institucionale të imponuara nuk arrijnë të shndërrohen në garanci për zhvillim kombëtar por bëhen leva të kontrolluara të oligarkisë kriminale të parive lokale. Më tej, në mungesë të strukturave shtetërore të konsoliduara që mbështesin interesat kombëtare në arenën e BEse, shqiptarët do ishin jetimë në ato struktura. Paria do mbronte interesat e veta të ngushta, edhe në dëm të interesave kombëtare sepse siç e thamë më sipër interesi primar i saj është pasurimi dhe jo shqiptarët. Pra, edhe sikur të ishte e mundur, do të na duhej të kishim një debat të gjerë e gjithëpërfshirës mbi dobinë e disa prej aspekteve të integrimit vis-à-vis interesave kombëtare shqiptare. Një debat të tillë, pse jo të finalizuar edhe me një referendum popullor, paria jo vetëm që nuk e ka lejuar duke kooptuar dhe mënjanuar të gjithë aktorët intelektualë publikë, por i trembet si djalli temjanit sepse do të evidentonte gënjeshtrën e madhe integruese të parisë. Treguese është përgjigja e një parlamentari konservator britanik i cili reagoi ndaj pyetjes së gazetarit të BiBiSi-së se “si do t’ja bëjmë tani që BE-ja po thotë se nuk ka marrëveshje me Britaninë pas votës kundër” me fjalët: “një grupim i cili nuk të lejon të dalësh prej andej, dhe kur del kërcënon se do të të thyejë gjunjtë nuk është një grupim në të cilin do të doja të bëja pjesë, sepse është një grupim mafioz”.
Së pesti, kjo përrallë e madhe që ju është treguar shqiptarëve ka krijuar një mendësi tek të paktën dy breza e cila është fort e vështirë për t’u ndryshuar. Paria na ka mëkuar me idenë se çdo gjë që vjen nga Evropa duhet pranuar apriori, për hir të interesave madhore të integrimit. Shumëkush është edukuar me këto ide, ka marrë bursa për në Institucionet evropiane, ka bërë mastera mbi integrimin, dhe e kanë mësuar veten me idenë se integrimi evropian është jo vetëm rruga e duhur, por edhe e vetmja drejt përparimit. Me këtë llogjikë, përpara dhe pas integrimit nuk mund të ketë zhvillim të popujve. Më tej, dhjetëra të ashtuquajtura OJQ të cilat nuk janë më tepër se vegla të parisë dhe mbajnë me rroga të majme një shtresë të tërë të shkolluarish, kanë interesa të forta për t’a mbështetur këtë lloj mendësie. Parisë i ka volitur ky lloj strukturimi për shkak se me atë mënyrë ka mundur të kontrollojë të ashtuquajturën shoqëri civile duke e shndërruar në një vegël të dobishme për interesat e veta. Më anë tjetër, mediat dhe i ashtuquajturi pushtet i katërt po ashtu kontrollohet rreptësisht nga paria. Kësisoj, kudo që përplasen, shqiptarët përballen me një propagandë të shfrenuar ku integrimi si koncept përdoret si prezervativ për të na ruajtur nga “sëmundja veneriane” e kombëtarizmit. Thënë ndryshe, mediat luajnë një rol kyç në promovimin e gënjeshtrës së madhe dhe çdo përpjekje për t’a thënë të vërtetën ashtu siç është përplaset në murin solid të evropianizmit mediatik.
Së gjashti, përqafimi në dukje nga paria i projektit integrues ka shërbyer si kundërpesha më e fortë për të luftuar të vetmen alternativë ideologjike që e konkurron parinë: ideologjinë kombëtariste. Paria është e ndërgjegjshme se rrënjët identitare janë shumë të forta ndër shqiptarët të cilët katër herë në historinë moderne i kanë larë me gjak themelet e shtetit për t’i shpëtuar sundimeve të aleancave antishqiptare. Ndaj dhe frikën më të madhe, aleanca e jeniçerëve, bashibozukëve, arhondëve dhe sektarëve të të gjitha ngjyrave e ka prej ideologjisë kombëtariste. Të gjitha përpjekjet në këtë drejtim janë deligjitimuar duke goditur figurat që i mbartnin, duke shërbyer kjo lloj teknike gojëmbyllëse edhe si shembull për çdokënd tjetër që mund t’i shkonte nëpërmend. E fundit në radhë, ishte kooptimi dhe blerja e kryetarit të AK-së Kreshnik Spahiu i cili sot është thjesht një i punësuar i djalit të Sali Berishës.
A kemi zgjidhje ne shqiptarët në këto kohë të trazuara ku rrezikohet të humbim si komb? Siç e kemi theksuar tashmë prej kohësh me kolegët e forumit Rrethi i Ferrit, zgjidhja e vetme e duhur dhe legjitime për shqiptarët është ndërrimi i rrugës së parisë dhe përqëndrimi tek ndërtimi i strukturave të shtetkombit shqiptar. Jemi vonë, dhe kjo rrugë është e mbushur me pengesa si nga paria ashtu edhe nga armiqtë e shqiptarëve të cilët kanë shumë ndikim tek paria e Tiranës. Mirëpo, edhe nëse vdekja mund të duket e sigurtë në raste të caktuara, duhet që ne shqiptarët të shkojmë në rrugën e drejtë. Popujt që kanë ndjekur rrugën e drejtë e kanë gjetur atë duke u mbështetur tek njëri tjetri, tek solidariteti mes njerëzve me identitet të njejtë, tek forca e pamposhtshme e vullnetit kombëtar. Të bashkuar në qëllimin madhor të bërjes së Shqipërisë një shtet normal, të konsoliduar, me vlera shqiptare dhe evropiane. Së bashku me miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë, ne mundemi që të kthejmë rrugë, të braktisim qorrsokakun ku na ka futur paria, dhe të ndërtojmë strukturat e duhura shtetërore për ta shndërruar Shqipërinë në një vend të denjë të familjes Evropiane, një shtet të shqiptarëve, prej shqiptarëve e për shqiptarët. Koha është tani, nesër mund të jetë tepër vonë.