Brikena, vajza e Eqrem Çabejt: Promovojmë Joklin në një kohë të trishtuar për trashëgiminë.-

Nga: Dhurata Hamzai.-

 

Një libër i shkruar nga Norbert Jokli në vitin 1923 dhe i përkthyer nga gjuhëtari i shquar Eqrem Çabej, që titullohet “Studime përmbi etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes” është promovuar keti dite në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Tiranë.

Gjatë prezantimit të Veprës së Joklit, vajza e gjuhëtarit të shquar, Brikena Çabej, e cila ka dhënë kontributin për botimin e librit  “Studime përmbi etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes” me bashkëpunëtorët e Institutit “Çabej” tha:

  • Unë në fakt duhet të isha e gëzuar në këtë promovim për botimin e librit, por në të vërtetë ndihem thellësisht e trishtuar, se shumë pak po bëjmë për ruajtjen e vlerave të trashëgimisë dhe të vlerave gjuhësore. Më tej vajza e gjuhëtarit të shquar u shpreh se “Ne po humbasim shumë nga këto vlerat, ndaj hedhja dritë në studime të tilla duhet të na ndihmojë për të qenë më të vetëdijshëm për vlerat tona të trashëgimisë kulturore e kombëtare. Dhe këto vlera ruhen duke bërë përpjekje që të mblidhen dhe të ruhen  për brezat në vijim, jo vetëm pasuria intelektuale e Norbert Joklit, por edhe biblioteka të albanologëve të tjerë të shquar, brenda dhe jashtë vendit, të cilat u kanë mbetur familjeve pas vdekjes së tyre

Jokli ia kishte kushtuar jetën gjuhës shqipe. Edhe pse studimet universitare i kishte kryer në drejtësi, Jokli kishte mbaruar doktoraturën në gjuhësi krahasimore, duke u specializuar në shqipen, gjuhët balltike e sllave dhe më pas u përfshi tërësisht në këtë fushë të rrallë të dijes.

Me punën e tij këmbëngulëse dhe njohuritë e thella në gjuhësinë krahasimore, ai kishte arritur përfundime shkencore me rëndësi të jashtëzakonshme në studimet albanologjike dhe të gjuhëve indo-europiane. Vetë Mbreti Zog e kishte nderuar Joklin me dekoratën më të lartë të Mbretërisë me rastin e 25-vjetorit të Pavarësisë. Sipas prof. Mahir Domit, shteti shqiptar me ndërhyrjen e Aleksandër Xhuvanit kishte dhënë 5000 franga qysh në vitin 1926 për botimin e punimit madhor të Joklit – Fjalorit Etimologjik të Gjuhës Shqipe